Kryeministri Edi Rama pranon vendimin e ndërkombëtarëve, siç insistoi PD-ja

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë për mediat se arritja e konsensusit me PD është një lajm i mirë.

Por ndryshe nga Basha, lideri i mazhorancës Rama e sheh konsensusin e PD-së jo si një tërheqje të ndërkombëtarëve, por si nënshtrim i PD-së ndaj vullnetit të ndërkombëtarëve. Në fakt binte në sy një çehre jo e lumtur e kryeministrit kur mori vesh se opozita do ta votojë Reformën, ndërkohë që duhej të ishte ndryshe. Duhej që, siç bëri kreu i PD-së Basha i cili me shumë takt lavdëroi konsensusin dhe se tha që mbetet një lajm i mirë edhe për Presidentin e Kryeministrin,pra kishte nevojë që Rama të ishte i gëzuar. Nuk kishte pse kërkonte të insistonte sikur nuk ka asnjë tërheqje të ndërkombëtarëve, pasi në të vertetë ka tërheqje. Kryeministri duhej të ishte me i qeshur.

Edi Rama tha se vijat e kuqe të ndërkombëtarëve ishin aty dhe janë aty të pa lëvizura, duke kërkuar të hapte sherr dhe të acaronte PD. Edi Rama kishte nevojë që edhe nëse nuk e donte votën e opozitëse, të paktën të bënte sikur u gëzua me votën pro të PD-së.

“Besoj është një moment lehtësimi për të gjithë shqiptarët, të cilët tanimë e kanë marrë lajmin se Partia Demokratike i është nënshtruar vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe vullnetit të hekurt të partnerëve tanë strategjikë që bashkë me shqiptarët cojnë përpara një reformë historike që i hap rrugë revolucionit në sistemin e drejtësië, për përmbysjen përfundimtare të kastës së të korruptuarve dhe inkriminuarve që mban peng drejtësinë në në këtë vend. Është kënaqësi të ndaj me ju tekstin e mesazhit që unë kryetari i Kuvendit dhe kryetari i opozitës kemi marrë nga BE nëpërmjet komisionerit Hahn”,– tha Kryeministri Edi Rama.

Fytyra e kryeministrit dhe teksti i deklaratës së tij tregonin se dyshimet publike se ai po punonte me një ambasador që opozita të mos e votonte, janë të verteta.

Kryeministri si “Zot Shtëpie” dhe si interesuar që thoshte se po punon për reformën duhej të gëzohej që PD po vjen dhe e voton. E jo fuste “kunja”.

Ilir Meta është lumturuar që PS e PD ranë dakort, kurse Edi Rama ose ishte pa gjumë ose nuk ia bëri zemra të lumturohej që u gjet konsensusi. Ndërkohë nga Zyra e Shtypit në PD njofton se kreu i opozitës Lulzim Basha ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila e ka përgëzuar atë për lidershipin e treguar për reformën në drejtësi.

Ky zhvillim vjen pak pasi Basha doli i pari në një deklaratë për mediat, ku njoftoi arritjen e konsensusit për miratimin e reformës.

Nesër ndryshimet kushtetuese do të miratohen në Kuvend.

Deklarata e plotë e Kryeministrit Edi Rama për konsensusin me PD:

Besoj është një moment lehtësimi për të gjithë shqiptarët, për të gjithë qytetaret dhe qytetarwt e këtij vendi, të cilët tanimë e kanë marrë lajmin se Partia Demokratike i është nënshtruar vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe vullnetit të hekurt të partnerëve tanë strategjikë, që bashkë me shqiptarët të çojnë përpara një reformë historike që i hap rrugë revolucionit në sistemin e drejtësisë për përmbysjen përfundimtare të kastës së të korruptuarve dhe të të inkriminuarve, që mban peng drejtësinë në këtë vend.

Është kënaqësi të ndaj me të gjithë ju, tekstin e mesazhit që unë, Kryetari i Kuvendit dhe Kryetari i opozitës kemi marrë nga Bashkimi Europian, nëpërmjet komisionerit Hahn.

 “I dashur Kryeministër,

 I dashur Kryeparlamentar,

 I dashur Kryetar i Partisë Demokratike!

Në vijim të bisedave telefonike me të tre ju, dje dhe sot, do të doja të ritheksoja pikat e mëposhtme të të quajturit “propozim hibrid”, të cilat i keni në tavolinë. Këto pika janë “vijat e kuqe” për komunitetin ndërkombëtar, sikundër e kemi nënvizuar në vijimësi përgjatë gjithë procesit;

E para, roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit duhet të ketë një bazë solide, të ligjshme, brenda Kushtetutës së Shqipërisë.

E dyta, unë e rikonfirmoj, siç kemi thënë përgjatë gjithë procesit, se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të bëjë rekomandime që nuk janë ligjërisht të detyrueshme. Këto rekomandime do të përmbajnë arsyetimin përkatës për qëndrimin e marrë, bazuar në kriteret e përcaktuara nga legjislacionit.

Unë besoj se ne mund të vijojmë tani me këtë bazë.

Siç diskutuam, ju lutem konfirmoni përmes një përgjigjeje të këtij mesazhi, në mënyrë që votimi në parlament të bëhet nesër.”

Që do të thotë që “vijat e kuqe” ishin aty, janë aty dhe do të mbeten aty të palëvizura me votimin unanim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Që do të thotë që falë këtyre “vijave të kuqe”, kjo Reformë ka garantuar vijën mbrojtëse nga çdo përpjekje për të penguar revolucionin në drejtësi me mjetet e korrupsionit politik apo financiar.

Dua po ashtu t’i jap përgjigje të gjithë atyre që patën një moment shqetësimi që na u përçua edhe përmes mesazheve lidhur me shpalljen e fitores nga kryetari i Partisë Demokratike.

E para, jam shumë i gëzuar që Partia Demokratike u bë pjesë e kësaj fitoreje të madhe për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

E dyta, jam shumë i gëzuar po ashtu, që përpjekja delirante për t’i shpallur luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian rezultoi një flluskë sapuni.

E treta, dua të ndaj me ju faktin se ky është Drafti i Reformës kushtetuese dhe në këtë draft nuk lëviz absolutisht asgjë përsa i përket dy çështjeve që mbajtën peng këtë proces deri në këtë orë të fundit; Përfshirjes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në Kushtetutë dhe rolit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Për të parën jemi të qartë. Për të dytën po lehtësoj përkthimin e asaj që u dëgjua më parë nga kryetari i Partisë Demokratike, duke lexuar këtë draft kushtetues, deri dje të anatemuar si “komplot kundër sovranitetit të Shqipërisë”.

Drafti thotë: Vëzhguesi ndërkombëtar ushton këto detyra:

a) jep rekomandime lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të komisionit etj..

b) paraqet gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga komisioni etj..

c) u jep komisionerëve publikë rekomandime me shkrim për të paraqitur ankim.

ç) kanë të drejtë të marrin të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për personat e dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e  procesit dhe rivlerësimit.

Të dashur motra e vëllezër,

sot, të gjithë duhet të ndjehemi të lehtësuar jo vetëm për faktin që reforma historike nesër do të kalojë me konsensus, pasi thirrjen e historisë nuk ka mur shurdhërie që mund ta përballojë, por edhe për faktin se sidoqoftë, në Shqipëri nuk mundi të formësohej asnjë grupim, i cili do të mund ta damkoste vendin tonë me një njollë të pashlyeshme, si një vend ku beteja politike zhvillohet mes një pale që është me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe gjithçka bota demokratike përfaqëson dhe një pale tjetër që vë në pikëpyetje themelet e kësaj bote.

Duke i falenderuar të gjithë për kontributin e jashtëzakonshëm, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë popullin shqiptar, presioni i të cilit është ndjerë në të gjitha poret e elitës politike shqiptare, më vjen shumë mirë që si piktor “vijat e kuqe” mbetën thellësisht të kuqe.

Shumë faleminderit!”

SHKARKO APP