Rama hap kapitullin më të vështirë drejt BE: Operator Kombëtar për trajtimin e mbetjeve
Edi Rama vazhdon punën e përditshme, krahas takimeve për të konfiguruar qeverinë e re. Qeveria ka gati një projektligj për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Kryeministri Edi Rama tha se ky është kapitulli më sfidues në rrugën drejt BE.
Gjithashtu kryeministri Edi Rama njoftoi krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve.
“Dëshiroj që të gjithë pa përjashtim, në të gjitha nivelet dhe territorin që kanë një funksion publik si të zgjedhur apo nënpunës të lidhur me çështjet e mjedisit të vetëdijësohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE. E them me keqardhje që ndërkohë që kemi vënë re një përmirësim të mëtejshem të gjithë proceseve të pastrimit, nuk vëmë re asnjë vetëdijësim më domethënës nga ana e qytetarëve në raport me mbajtjen pastër të territorit dhe nuk vëmë re përmirësime domethënëse as në trajtimin e mbetjeve. Në këto kushte, duke marrë parasysh edhe vështirësitë, duke parë edhe vendet e tjera, ne do të çojmë përpara një paketë të re reformash e masash, të cilat ministrja do t’i shpjegojë më në detaje por dua të them se së pari, është projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetejeve, ku kemi parashikuar krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve. Një agjenci e re e cila do të jetë në dispozicion të të gjithë Republikës, të pushtetit vendor, qytetarëve, të këtij misioni për në BE, duke përqendruar të gjithë procesin e trajtimit të mbetjeve. Nuk do të jetë më proces i administruar nga bashkitë, por nga ky operator kombëtar në bashkëpunim me të gjitha hallkat e tjera të qeverisjes dhe në raport me te cilin, bashkitë do të jenë klientë, njësoj siç janë në operatorët e tjerë”, u shpreh kryeministri.
“Duke nisur nga Bashkia e Lezhës që vazhdon të prijë me forcën e shembullit në pastërti, duke vazhduar me Shkodrën, Durrësin, Himarën dhe më tutje, gjërat kanë shkuar më mirë se sa vitin e shkuar. Ka një përmirësim inkurajues. Problem mbetet mungesa e uniformitetit, sepse ka përgjatë vijës bregdetare disa zona problematike dhe ne ndërkohë duhet të vazhdojmë me ritëm sa i përket reformave dhe masave ligjore edhe në funksion të ambicies dhe të objektivit prioritar, kombëtar, për anëtarësimin në BE në fund të kësaj dekade”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se varrezat e makinave, janë ligjëruar me vullnet të Maliqit, në të gjithë territorin.
“Jemi i vetmi vend në Europë që ‘varrezat’ e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, por me vullnetin e Maliqit në territor, si fakte të kryera. Ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e të gjitha atyre varrezave. Jemi një vend që nuk ka akoma asnjë informacion nga shpërndarësit, prodhuesit apo importuesit. Ka dhe hapa të tjerë por këto dy hapa janë themelore. Duke filluar nga vendosja në kornizën ligjore dhe duke vijuar me të gjitha fazat dhe përgjegjësitë e implementimin.”, tha ai.

KOHA JONË SONDAZH

