Rama shkon në 22.40 në Kamëz te Xhelal Mziu. Ora 24.00 viziton Fushëkrujën

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155358252221523/

Pas Fierit, në mesditë, kryeministri Rama ka shkuar sonte në ora 22.40 në Kamëz. Nën shoqërinë e ministres së Mbrojtjes dhe Prefektes së Qarkut Tiranë, Rama është takuar me kryebashkiakun Xhelal Mziu. Ndërsa në ora 24 kryeministri ka shkuar në FushëKrujë (shiko videon)

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155358440146523/

Nga Edi Rama.

Mesazhi 1

Vazhdon puna pa orar e as ndalesë për të lehtësuar peshën e familjeve të prekura dhe për të përballuar një natë të vështirë posaçërisht në jug të vendit, ndërkohë që edhe në pikat kritike të Tiranës, si këtu në Kamëz, po punohet non stop në bashkëpunim të ngushtë pa dallime partiake për të bërë më të mirën e mundshme.

Ndjesë dhe sigurisht mirënjohje për bashkëpunimin e banorëve që kanë qenë apo do të jenë të detyruar të levizin nga shtëpitë e tyre.

Mesazhi 2.

Vazhdojmë përpjekjet për të lehtësuar situatën që në zonën e Fushë-Krujës ka qenë posaçërisht dramatike, por falë punës fantastike të të gjithëve është mbajtur nën kontroll e po përmirësohet nga ora në orë

Në foto: Edi Rama duke dëgjuar me “vëmëndje” Xhelal Mziun.

Emergjencat Civile: Situata e përmbytjeve në gjithë vendin, deri në orën 23:00

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave në Kryeministri ka publikuar të dhënat e fundit mbi situatën e përmbytjeve në vend. Janë të paktën pesë qarqe, ku sipas Kryeministrisë situata është rënduar.

Njoftimi i plotë i Kryeministrisë:

Gjatë pasdites dhe gjatë orëve të mbrëmjes kanë vazhduar operacionet intensive në të gjithë vendin për të përballuar situatën e përmbytjeve. Situata vazhdon të rëndohet në qarqet e jugut të vendit si në Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Fier dhe Berat.

Forcat në terren po vijojnë evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara. Në raste të veçanta është kërkuar edhe përdorimi i shtrëngimit për të bindur qytetarë të caktuar që ende nuk arrijnë të kuptojnë shkallën e rrezikut. Evakuim është kryer dhe vijon të kryhet në Berat, Fier dhe Vlorë.

Kanë vazhduar edhe operacionet e kërkim-shpëtimit, të cilat në disa raste, siç ishte ai i para pak minutave në Sarandë, kanë qenë shumë fatlume. Në rastin e Sarandës u gjetën, në errësirë në majë të një peme dhe në një siutatë shumë të rrezikshme dy barinj që kishin humbur lidhjet.

Gjendja më e vështirë vijon të mbetet prurja ekstreme e lumenjve Vjosë, Osum, Seman dhe Shkumbin. Vjosa ka dalë nga shtrati në afërsi të urës së Mifolit, Selenicës dhe në Memaliaj. Probleme paarqet edhe gjendja e lumenjve të tjerë. Ekziston rreziku qe edhe Devolli të dalë nga shtrati duke krijuar probleme për fushën e Maliqit.

Rrugët janë mbajtur të lira. Përjashtim bën aksi Tepelenë Kakavijë, ku në Urën e Viroit është bllokuar kalimi. Aty po punohet për zhbllokimi e rrugës dhe për sistemin e udhëtarëve që nuk mund të vijonë aktualisht udhëtimin. Edhe në akse të tjera po punohet për eleminimin e rrëshqitjeve të dherave.

Pas ndërhyrjeve të OSHEE, numri i abonentëve pa energji është ulur në rreth 20 mijë nga mbi 100 mijë që ishte në mesditë. Përkeqësim ka njohur gjendja e ujëmbledhsit të Bovillës për shkak të turbullimit  të ujit. Masat për zgjidhjen e kësaj situate do të shoqëerohen me kufizime të furnizmit me ujë të Tiranës në ditët në vijim.Po ashtu, me probleme është stacioni që furnizon me ujë të pijshëm Fushë Krujën, Maminasin, Shijakun dhe pjesërisht Prezën.

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falënderon të gjithë pjestarët e strukturave shtetërore e private që janë të angazhuar pa ndërprerje në operacionet në terren gjatë natës për përballimin e situatës. Komiteti u bën thirrje qytetarëve që të dëgjojnë, të bashkëpunojnë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve shtetërore përgjegjëse, veçanërisht ato që lidhen me evakuimin, i cili mbetet mjeti i parë për të shmangur pasojat e rënda për jetën në këto momente.

Situata, sipas parashikimeve profesionale, do të vijojë të rëndohet dhe për këtë arsye kërkohet mirëkuptim dhe bashkëpunim i gjerë dhe solidaritet. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave  falenderon subjektet private dhe organizatat jo qeveritare që janë angazhuar në përkujdesjen ndaj personave të evakuuar apo në dhënien e ndihmave materiale dhe ushqimore për të prekurit nga gjendja.

Si pjesë e këtij njoftimi vijojnë të mbeten instruksionet e dhëna në komunikatat e mëparshme lidhur me masat e sigurisë që duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët.

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ju bën thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë situatës së reshjeve dhe përmbytjeve, duke pasur vëmendje sidomos në këto drejtime: Kujdesi për jetën mbetet prioriteti i dorës së parë. Të gjithë duhet të shmangin sa më shumë të jetë e mundur udhëtimet në zonat e prekura nga reshjet, qëndrimin në afërsi të lumenjve e përrenjve, qëndrimin afër shtyllave apo objekteve të tjera të larta që mund të goditen nga shkarkesat elektrike etj.. Qytetarët që banojnë shumë pranë shtretërve të lumenjve, në afërsi të digave apo në zona që historikisht rrezikojnë përmbytje, duket të shtojnë kujdesin për jetën dhe të jenë në gatishmëri për të bashkëpunuar me strukturat e emergjencave civile në rast të nevojës për evakuim të përkohshëm.

 

SHKARKO APP