Edmond Panariti: Kur mbyllen rrugët e zhvillimit, të mbetet vetëm rruga e “pastrimit”. Qytetarët nuk po durojnë më dhe po ikin

Ish-ministri i Bujqësisë dhe ish-deputeti i LSI-së, Edmond Panariti deklaron se gropa financiare në ekonominë e vendit është e frikshme dhe nuk ka mundësi të mbushet.

Në një reagim në Facebook, Panariti shprehet se nga shtrëngimi i lakut të taksave, tarifave dhe të gjobave për qytetarët dhe bizneset, shqiptarët nuk po durojnë dot më dhe po ikin.

“Ky model ekonomik është përfundimisht i dështuar dhe duhet ndryshuar qoftë edhe me kosto”,-shkruan ndër të tjera, Panariti.

Në vijim reagimi i plotë i Edmond Panaritit

Kur mbyllen rrugët e zhvillimit, të mbetet vetëm rruga e “pastrimit”.

Vendi ynë, ka tetë miliardë euro borxh dhe i duhen shtatë miliardë euro për investime në infrastrukturë që t’i bashkëngjitet Evropës.

Ku do gjenden paratë?!

Ndryshe ekonomia jonë nuk ka se si të jetë konkurruese dhe do të shtypet sepse do të mbetet jashtë korridoreve evropiane të zhvillimit.
Këto janë treguesit financiarë të rrënimit!
Një gropë e frikshme e cila nuk ka shans të mbushet, pasi nuk ke se çfarë të futësh më në lojë për të gjeneruar fonde.
Përveç se të shtrëngosh lakun e taksave, tarifave dhe të gjobave për qytetarët dhe bizneset sa për të vegjetuar!
Por qytetarët nuk po durojnë më dhe po ikin!
Dhe hemorragjia vazhdon!

Sepse edhe ato pasuri kombëtare që mund të na nxirrnin nga gropa, nuk janë më në duar të shtetit.
Kur të shterojnë opsionet e zhvillimit atëherë mbetet alternativa e pastrimit.
Futen në lojë për shembull nismat për legalizim të hashashit mjekësor apo aministim i parasë së pajustifikuar.
Ky model ekonomik është përfundimisht i dështuar dhe duhet ndryshuar qoftë edhe me kosto.

SHKARKO APP