Eksperti i sigurisë tregon ku gjendet serveri që hakeroi TIMS. Do të kemi sulme të tjera, Irani vetëm sa ka filluar …
Eksperti i sigurisë Fabian Zhilla thotë se sulmi kibernetik ndaj sistemit TIMS në Shqipëri është një sulm i koordinuar nga më shumë se një shtet.
Në një intervistë për Euronews Albania, Zhilla u shpreh se ekspertë shqiptarë kanë vërtetuar se serveri që mban informacionin gjendet në Rusi.
“Nuk është vetëm Shqipëria në fokusin e sulmeve, është edhe Kosova. Ekspertë shqiptarë kanë vërtetuar se serveri që mban informacionin gjendet në Rusi. Pra, kemi një sulm të koordinuar me shërbimet sekrete ruse”, tha eksperti.
Sipas tij, situata është kritika dhe do një përgjigje emergjente dhe të koordinuar.
Kryeministri Edi Rama njoftoi mëngjesin e së shtunës se hakerat iranianë kanë sulmuar sistemin TIMS.
Ndërkohë eksperti i sigurisë Fation Softa, teksa ka komentuar sulmin kibernetik të sistemit TIMS, thotë se do të ketë dhe sulme të tjera.
Në një intervistë për Euronews Albania, Softa tha ndër të tjera se sulmet kibernetike duhet të merren në konsideratë nga autoritetet në mënyrë që të rritet niveli i sigurisë në vend.
“Shqipëria ka investuar shumë në infrastrukturën digjitale. Ky nuk është vetëm fillimi i sulmeve iraniane të infrastrukturës së sigurisë së Shqipërisë. Mendoj se do ketë edhe rreziqe të tjera që duhet të merren në konsideratë për të rritur nivelin e sigurisë në vend.
Mendoj se kjo lloj lufte e nisur tashmë me Iranin nuk do të jetë vetëm lufta kibernetike”
Softa nënvizoi se Shqipëria duhet të investojë për të krijuar një ambient më të sigurt kibernetik//euronews.albania/