Elisa Spiropali, ngjitje politike e kontrolluar brenda Partisë Socialiste

Në politikën shqiptare, ngritja reale e një figure nuk matet vetëm me postin që mban, por me besimin politik që gëzon brenda forcës së saj politike. Në këtë këndvështrim, Elisa Spiropali po kalon një fazë të qartë konsolidimi politik brenda Partisë Socialiste dhe mazhorancës qeverisëse.

Prej kohësh ajo konsiderohet pjesë e rrethit më të afërt politik të kryeministrit Edi Rama, por zhvillimet e fundit tregojnë diçka më shumë: Elisa Spiropali po ndërton një profil që shkon përtej rolit tradicional të një ministreje apo funksionareje partiake.

Në një klimë politike shqiptare ku shumica e figurave të larta të PS janë përballur me akuza, hetime apo polemika korrupsioni, Spiropali ka arritur të ruajë një element të rëndësishëm politik: mungesën e skandaleve personale apo akuzave penale. Kjo e bën atë një aset të sigurt për mazhorancën, sidomos në një periudhë kur drejtësia e re po godet gjithnjë e më shpesh nivele të larta të politikës, sidomos brenda kupolës së PS.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për Ramën, figura të tilla janë strategjikisht të vlefshme, sepse garantojnë stabilitet politik dhe mbrojtje publike të qeverisë pa krijuar kosto të papritura.

Swiss Digital Mobile Reklama

Roli në politikën e jashtme i ka dhënë Elisa Spiropalit një avantazh që pak politikanë shqiptarë e kanë pasur: ekspozim ndërkombëtar. Prania në forume diplomatike, kontakte me partnerë europianë dhe përfaqësimi i Shqipërisë jashtë vendit e zhvendosin profilin e saj nga politikane e brendshme partie në figurë shtetërore. Pa harruar edhe sharmin e saj fizik.

Në politikë, diplomacia shpesh përdoret si fazë tranzicioni për liderë që përgatiten për role më të mëdha.

Brenda Partisë Socialiste po vihet re gradualisht një boshllëk brezash. Figura historike të PS-së janë të konsumuara politikisht, ndërsa një pjesë e ministrave janë dobësuar nga hetimet apo polemikat publike. Në këtë kontekst, Spiropali shfaq disa elementë që e favorizojnë: ka besimin personal të kryeministrit; disiplinë politike dhe lojalitet i lartë; aftësi komunikimi publik; profil relativisht i pastër politik.

Kjo ka bërë që në qarqet politike ajo të kuotohet gjithnjë e më shpesh si figura më e konsoliduar pas Kryeministrit Edi Rama në hierarkinë reale të mazhorancës.

Megjithatë, politika në PS mbetet fort e centralizuar rreth liderit. Asnjë figurë nuk rritet realisht pa balancën e Ramës dhe pa miratimin e tij politik. Ngritja e Spiropalit deri tani duket e kontrolluar dhe e menaxhuar, jo një ambicie e hapur për lidership.

Në momentin që Elisa Spiropali do synojë me tepër se sa ka takatin momental duhet të shkojë “kokat e varura” në PS!

Elisa Spiropali nuk është sot thjesht një ministre që po fiton dukshmëri. Ajo po ndërton profilin e një politikaneje stabilizuese brenda PS-së, në një kohë kur partia ka nevojë për figura me kredibilitet publik dhe pa ngarkesë skandalesh.

Nëse kjo trajektore vazhdon, Elisa Spiropali mund të shndërrohet në një nga figurat kyçe të së ardhmes të PS. Deri më tani është yll në ngjitje.

Por me hap të kujdesshëm, se në PS përherë ka “gropa” që nuk shikohen!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ftesa e Trump e shpëton Ramën nga sulmet e brendshme politike?