Emergjenca nga moti i keq. Vetëm ministri Sokol Dervishaj në terren
(Në foto: Ministri i Transportit, Sokol Dervishaj dje gjatë inspektimit në Rrugën e Kombit)
Kjo javë është cilësuar si nga më të vështirat në vend për shkak të kushteve ekstremet të motit. Temperatura në disa zona ka arritur minus 20 gradë, ndërsa trashësia e borës në Kukës dhe zona të tjera malore ka arritur deri në 1 metër.
Kryeministri Edi Rama mblodhi dje Zyrën Operacionale të Situatës (ZOS) në Kryeministri, ku drejtuesit e institucioneve raportuan për situatë alarmante dhe problemet në gjithë vendin. Ende nuk është e qartë se deri sa do të vazhdojë përkeqësimi i motit, pasi siç tha kryeministri, ndodhemi në një situatë të panjohur më parë.
Për shkak të borës, temperaturave ekstreme, rrugëve të bllokuara, fshatrave që kanë nisur të izolohen, situata është alarmante. Megjithëse jemi në një situatë të tillë, kur gjithë institucionet duhet të ishin në krye të detyrës, 48 orët e fundit, vetëm një Ministër i Kabinetit Qeveritar është në terren.
Ministri i Transportit, Sokol Dervishaj është ndër të paktët zyrtarë të lartë që po ndjek direkt në terren situatën dhe duke qenë prezent në zonat e bllokuara. Mbrëmjen e djeshme ishte në Rrugën e Kombit, në pikën më problematike të saj, ku u regjistruan dhe reshjet më të mëdha të borës.
Ndërsa sot, Ministri nuk po e monitoron situatën nga Facebooku dhe televizionet informative, por ka shkuar vetë në Peshkopi, ku rezulton të ketë probleme me disa akse rrugore.
Sigurisht, nuk është Ministri ai që merr ekskavatorin për të hapur rrugën me borë vetë, por prania e tij është shembulli më i mirë që një zyrtarë i lartë jep në situata emergjence. Është mesazhi më i mirë që një ministër u jep edhe atyre qindra punëtorëve që prej disa ditësh janë në akull dhe borë duke pastruar rrugët.