Endri Fuga: Kryeministri udhëtoi me charter, por jo me lekët e shtetit
Përmes një reagimi në rrjetet sociale nënkryetari i PD-së, Edi Paloka deklaroi sot se pas mbledhjes me ministrat në Vlorë, kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Rinas me helikopter. Sipas Palokës, nga Rinasi me avion privat (charter) Edi Rama është nisur drejt Torinos në Itali.
Paloka deklaroi se Rama do shkojë të ndjekë ndeshjen e futbollit mes Juventusit dhe Lazios që zhvillohet në orën 18.00.
Pas këtij lajmi të dhënë nga Edi Paloka ka reaguar dhe Kryeministria. Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga tha për “Panorama” se pranon se udhëtimi është i vërtetë, por avioni nuk është paguar nga lekët e shtetit.
Fuga thotë se kryeministri Edi Rama udhëton gjithmonë në klasin ekonomik. Madje ai sqaron se dhe udhëtimet me helikopter kryhen vetëm kur helikopterët duhet të plotësojnë orët vjetore teknike të fluturimeve.
Reagimi i Endri Fugës
“Është plotësisht e vërtetë që kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Torinos, se bashku me Drejtorin Sportiv te Lazios, Igli Tare. Ata janë nisur nga Rinasi me nje avion te prenotuar nga klubi i Lazios për drejtorin sportiv, Igli Tare. I cili pasi ka kaluar disa dite pushime ne jug ne Shqipërisë, është kthyer sot në detyrën e tij.
Kryeministri është i ftuar nga presidenti Agnelli, per ndeshjen e pare ne shtepine e juventineve dhe do te kthehet neser ne mengjes. Per ata qe perpiqen te luajne luftash me avione e me helikoptere, sqarojme se udhetimet e kryeministrit te vendit i kane kushtuar shume me pak buxhetit te shtetit, sesa ato te paraardhesit.
Kryeministri udhëton ne Economy Class dhe po kështu edhe ministrat. Buxheti i shtetit nuk ka paguar asnjëherë për asnje udhetim privat apo familjar te tij. Per kedo qe nuk e di se kryeministrat si rregull i kane shfrytezuar helikopteret gjate orëve te detyruara vjetore te fluturimit që këto mjete kryejnë (për arsye teknike mirëmbajtjeje), informojme se udhetimet e kryeministrit me helikopter gjate kohes se tij ne detyre, numerohen me pak se sa gishtat e duarve.
Ka me siguri njëqind rrugë e arsye për të bërë opozitë me Edi Ramën e me qeverinë e tij! Por nëse do më kërkonin të zgjidhja një absurditet mes plot të tillëve në listën e akuzave ndaj kryeministrit, është akuza se Edi Rama është i dhënë pas luksit, veseve e parave. Një budallallëk me brirë!”.