Erdogani në Beograd ofron mbështetjen e negociatave Kosovë-Serbi

Nga radio gjermane DW-

Vizita e presidentit turk Recep Taip Erdogan në Beograd ka për synim trajtimin e çështjeve bilaterale dhe rajonale. Presidenti Vuçiq thotë se kjo është “epoka e artë e marrëdhënieve serbo-turke”.

Temat kryesore të bisedimeve të dy presidentëve ishin problemet rajonale, përmirësimi i bashkëpunimit bilateral, Ukraina dhe energjia. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kërkoi ndihmën turke për furnizimin me energji elektrike gjatë dimrit. Por ai shprehu interesim edhe për blerjen e dronëve turq “Bajraktar”.

Ndërsa presidenti turk Erdogan theksoi se Turqia është e gatshme të mbështesë në çdo mënyrë arritjen e zgjidhjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Për situatën në Ukrainë, Erdogan thotë se Turqia gjithmonë ka ndjekur një politikë ekuilibrimi mes Rusisë dhe Ukrainës dhe shtoi se në atë luftë nuk ka fitues, por ka shumë humbës. Në të njëjtën kohë, Erdogan nënvizoi se Rusia nuk duhet nënvlerësuar dhe se gabojnë të gjithë ata që e bëjnë këtë.

Bashkëpunimi ekonomik është vazhdimisht në rritje mes këtyre vendeve. Sipas Erdoganit, heqja e vizave dhe nënshkrimi i protokollit për hyrjen në të dy vendet vetëm me kartë identiteti, do të përmirësojë më tej bashkëpunimin e mirë mes këtyre dy vendeve. Erdogani shpreson se do të ketë një pajtim të të tre komuniteteve në Bosnjë-Hercegovinë dhe se Ballkani nuk mund të tolerojë më këtë lloj problemi.

Kapaciteti turk i negociatave

Turqia është shumë e interesuar për rajonin tonë. Ajo ka potencial të përfshihet në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, vlerëson për DW analisti politik Dragomir Angjelkoviq dhe shton: “Nga njëra anë Turqia ka një ndikim të madh te myslimanët në Bosnjë-Hercegovinë dhe Sanxhak, por edhe tek shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. E nga ana tjetër, ajo ka ndërtuar një marrëdhënie të mirë me serbët në Serbi dhe Republika Srpska”. “Erdogani, i cili konsiderohet si një politikan me prirje islamike, arriti të ngrihet mbi njëanshmërinë që kishin disa qeveri të mëparshme laike turke në këtë fushë”, beson bashkëbiseduesi ynë.

Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm, thotë për DW se “Erdogani ka luajtur një rol pozitiv në rajon deri më tani dhe ka arritur të qetësojë disi tensionet që shpërthyen midis Beogradit dhe Sarajevës”. Prandaj, mendoj se ai mund të vazhdojë të luajë këtë rol pozitiv. Roli i tij është rritur pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, sepse Erdogani arriti të mbajë një pozicion neutral dhe ka ruajtur kapacitetet negociuese”, beson Popov.

Oferta e presidentit turk për të ndërmjetësuar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës “mund të ketë efekt afatgjatë, por për momentin Amerika ka fuqinë më të madhe për të ndikuar në bashkëpunimin e palës shqiptare”, thekson Dragomir Angjelkoviq.

Turqia nuk mund të zërë shpejt vendin e parë mes vendeve që janë afër shqiptarëve, por këtë vend nuk mund ta ketë as Bashkimi Evropian. Turqia do të përpiqet të kontribuojë në zgjidhjen e problemit të Kosovës, nëse kjo është e mundur, dhe do të përpiqet të jetë gjithnjë e më shumë faktori që kërkohet. Sepse në kohën e luftës dhe në fazën e mosmarrëveshjeve të mëdha të fuqive të mëdha dhe rajonale, Turqia dëshiron të luajë një rol të rëndësishëm edhe në Ballkan”, thekson Angjelkoviq.

Por në rastin e Kosovës ka shumë lojtarë në lojë, vëren Aleksandar Popov dhe kujton se Erdogani ka një ngarkesë negative në Serbi, sepse ai thotë se “Kosova është vendi i tij i dytë”.

“Gjurmët e kësaj deklarate kanë mbetur. Erdogani në Kosovë ka mbështetje solide në mesin e shqiptarëve, por Amerika dhe Bashkimi Evropian (në një masë më të vogël) janë ende lojtarët kryesorë në këtë histori. Pra, nuk mendoj se Erdogani mund të luajë ndonjë rol të rëndësishëm në këto negociata”, thotë drejtori i Qendrës për Rajonalizëm.

Investimet në rend të parë

Vëmendje e madhe gjatë vizitës së presidentit turk iu kushtua marrëdhënieve ekonomike mes Turqisë dhe Serbisë. Vëllimi aktual i shkëmbimit të mallrave është rreth dy miliardë dollarë. Presidenti turk thotë se synimi është që së shpejti të arrijë në pesë miliardë dollarë. Kompanitë turke në Serbi punësojnë rreth 10.000 punëtorë. Dragomir Angjelkoviq tërheq vëmendjen për faktin se Turqia investon në ato pjesë të Serbisë, ku askush tjetër nuk investon: “Nëse shikojmë strukturën e investimeve turke, ato janë shpesh në zona shumë të pazhvilluara, gjë që ka një rëndësi të madhe për Serbinë. Duke pasur parasysh se edhe Turqia është në krizë ekonomike, tani është e rëndësishme që Beogradi dhe Ankaraja të bien dakord politikisht që ky biznes të mos tërhiqet”, nënvizon Angjelkoviq.

Problemet me energjinë dhe armatimet

Kriza aktuale e energjisë dhe gazit i ka dhënë rëndësi shtesë të ashtuquajturës “Rrjedha turke apo e Ballkanit”, e cila aktualisht është një nga drejtimet më të qëndrueshme të furnizimit me gaz, për të cilën Angjelkoviq thotë: “Kjo ka një rëndësi të madhe për ne. Por për këtë pyeten jo vetëm Turqia dhe Rusia, por edhe Bashkimi Evropian. Nëse ndërlikimet shtesë të marrëdhënieve gjeopolitike vazhdojnë, ka gjasa që të kërcënohet edhe Rrjedha Ballkanike”, thekson Angjelkoviq.

Ekonomia dhe infrastruktura sigurisht që sjellin ndikim shtesë në rajon dhe nuk është rastësi që po insistohet në ndërtimin e autostradës Beograd-Sarajevë, vëren Aleksandar Popov. “Mendoj se kjo është e rëndësishme për rajonin. Simbolika e lidhjes së Beogradit me Sarajevën është e mirë. Raportet ekonomike do të varen nga zhvillimet globale, të cilat tani nuk janë të mira. Ndërsa Turqia do të insistojë të jetë prezente përmes këtyre projekteve ekonomike dhe infrastrukturore“, mendon Popov.

Gjatë këtyre takimeve, siç u bë e ditur, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka treguar interesim edhe për blerjen e dronëve turq, Bajraktar, që konsiderohen ndër më modernët aktualisht në botë. Këto drone përdoren edhe në shumë zona dhe rajone të tjera të luftës dhe krizave.

SHKARKO APP