Eurodeputeti Fabio Castaldo:Blerja e votës për Reformën e patolerueshme
Nuk merret merr vesh se ç’po ndodh realisht në raportet e Shqipërisë me BE dhe SHBA. Nga njëra anë ambasadori Lu shprehet se ” duhet të votoni në mënyrë individuale për Reformën”, çka e përkthyer në gjuhen shqiptare mund të lërë nënkuptimin se edhe mund të blihet vota nga kryeministri Rama, siç po flitet se pesë deputetë të PD se janë shitur. Nga ana tjeter eurodeputetët Kukan e Fleckenstein që mbulojnë Shqipërinë thonë hapur se nuk duhet kurrsesi të blihet vota e deputetëve të opozitës për Reformën, por të shkohet drejt kompromisit politik.
Pas eurodeputetëve Kukan e Fleckenstein, një tjetër zë del në Bruksel, kundër shit – blerjes së votës për Reformën në Drejtësi. Fabio Massimo Castaldo, anëtarë në Komisionin e Punëve të Jashtme, në Parlamentin Europian thotë se ky është një fenomen i patolerueshëm në demokraci dhe se reformat e rëndësishme duhet të kalojnë me dakordësinë e të gjitha palëve.
Fabio Massimo Castaldo – Eurodeputet: “Shit – blerja e votës është e patolerueshme në çdo demokraci të denjë për këtë emër. Nuk pranojmë asnjë lloj logjike në këtë drejtim. Reformat e rëndësishme dhe kryesisht ato që prekin fusha të rëndësishme, si reforma e gjyqësorit, duhet të aprovohen sa më shumë të jetë e mundur me një qëndrim të përbashkët të forcave politike, pasi kur flasim për drejtësinë, për ligjin elektoral, apo për Kushtetutën, flasim për rregullat e lojës. Rregullat e lojës shkruhen së bashku nga forcat politike për të garantuar që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit.”
Por Eurodeputeti Castaldo e ka edhe një porosi për klasën politike shqiptare.
Fabio Massimo Castaldo – Eurodeputet: “Duhet evituar politizimi dhe ndikimi i partive politike në përmbushjen e funksioneve të jurisprudencës, të cilat janë themelore nga ana e tyre për kontrollin e funksionimit të institucioneve, por për më tepër, për të garantuar faktin që të drejtat që rrjedhin nga Kushtetuta të mund të realizohen dhe të mbrohen plotësisht”.
Pak ditë më parë, Eurodeputetët Kukan e Fleckenstein, e cilësuan trafikimin në Kuvend të votës për Reformën në Drejtësi, të papranueshëm në Parlamentin Europian.