Fatmir Mediu ose “njeriu amerikan në opozitë” po ysht Bashën në zgjedhje

Sot është dita e fundit e shansit që PD të futet në zgjedhje. Sipas KQZ deri në ora 24 datë 2 maj mbetet afati ligjor. Me pas nuk ka asnjë shteg ligjor. Dje dolën tre figurat me eblematike të PD-së, si Jozefina Topalli, Eduart Selami dhe Majlinda Bregu të cilët kërkuan të mblidhen forumet drejtues të PD dhe grupi parlamentar për të vendosur për futjen ose jo në zgjedhje. Pas tyre Fatmir Mediu, kreu republikan, përkrahu treshen e lartpërmendur në sensin se duhet që Lulzim Basha të mbledhë forumet. Sot ambasadori amerikan Lu ka kërkuar një takim me zotin Fatmir Mediu, i cili njihet si “njeriu amerikan në opozitë”.

Në foto: Fatmir Mediu dhe sekretari amerikan i shtetit, Tillerson

Rreth një orë zgjati kafja e punës mes kreut të Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe Ambasadorit amerikan Donald Lu. Pas takimit, Mediu u shpreh se është me rëndësi që palët të zhvillojnë një dialog konstruktiv në mënyrë që të Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Patëm një diskutim me Ambasadorin Lu për situatën që nuk ka të bëjë as me kërkesën e zotit Lu për të hyrë në zgjedhje, por si mundet që palët të zhvillojnë një dialog konstruktiv që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 Dhe besoj që kjo është rruga më e arsyeshme që ne të vazhdojmë dialogun për të gjetur ato pika të komunikimit të përbashkët dhe të zgjidhjes që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë”, tha Mediu.

Opozita pasi nuk pranoi ofertat e PPE dhe komisionerëve te BE, po shkon jo vetëm drejt përplasjes me qeverinë, por edhe me ndërkombëtarët. Fatmir Mediu mbetet shpresa e fundit në opozitë për ta ulur Bashën sonte me Ramën. Nëse jo atëhere Basha do “takohet” me Ramën në Kavajë, ku njeri do lerë atje “kockat”.

Edhe ambasadorja gjermane ka deklaruar sot se Gjermania do ti njoh zgjedhjet edhe pa pjesëmarrjen e PD.

Susanne Schütz, ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri ka deklaruar sot se qeveria e saj do ti njohë zgjedhjet e 18 Qershorit edhe nëse në to nuk do të marrë pjesë Partia Demokratike.

 “Zgjedhjet duhet të zhvillohen në datën e caktuar. Nëse PD nuk hyn në zgjedhje është vendim i trishtë. Edhe nëse PD nuk hyn në zgjedhje ne do ti njohim”, ka deklaruar Susanne Schütz.

Pak ditë më parë ishte ambasadori amerikan, Donald Lu, i cili tha se zgjedhjet do të jenë legjitime edhe nëse në to nuk merr pjesë Partia Demokratike.

Jemi të qartë në besimin tonë se zgjedhjet do të jenë më të mira nëse kanë pjesëmarrjen e të gjitha partive politike. Nuk kemi hequr dorë nga ky synim. Po ashtu, është e vërtetë që zgjedhjet mund të konsiderohen të ligjshme dhe legjitime edhe pa pjesëmarrjen e opozitës. Por, të jemi të qartë, të gjithë duhet të biem dakord se me pjesmarrjen e opozitës këto zgjedhje do ishin më të mira. Ne po punojmë çdo ditë për të arritur në këtë përfundim”, – tha Lu në një intervistë për Zerin e Amerikës.

PD-ja po shkon drejt vetvrasjes politike me ndërkombëtarët.

SHKARKO APP