Fatmir Mediu: Parlamenti është kthyer në një “haltore” të Edi Ramës
Flet për “Koha Jonë”, Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu: Nëse Edi Rama do të zhvilloj zgjedhje pa opozitë, këtë e ka bërë Enver Hoxha dhe opozita nuk duhet ta lejojë dhe duhet ta frenojë me çdo mënyrë
Intervistoi: Redjon Shtylla
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, vendimin e Holandës për të rikthyer vizat për shqiptarët, e sheh si një efekt domino edhe në vende të tjera të BE dhe shton se nën qeverisjen e Kryeministrit Edi Rama, vendi po shkon drejt izolimit dhe shkatërrimit.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i PR-së dhe ish-deputeti Mediu, thotë se opozita nuk duhet të lejojë që të zhvillohen zgjedhje me Edi Ramën dhe me nivelin e krimit që është sot në vend. “Zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për ti mundësuar ato duhet që Shqipëria të largojë organizatorin dhe manipulatorin e zgjedhjeve nga pozicioni i kryeministrit dhe ky është Edi Rama. Ne kemi nevojë për një qeveri që garanton zgjedhje Europiane”,-thotë Fatmir Mediu.
I pyetur për “opozitën e re” në Kuvend, kreu i PR-së deklaron se tashmë “Parlamenti është kthyer në një “haltore” e Ramës që flet çdo gjë, përbuz dhe tallet me shqiptarët çdo moment”.
Holanda e mori vendimin për kthimin e vizave për shqiptarët por vulën e vë BE-ja. A mund të krijojë kjo situatë një efekt domino që edhe shtete të tjera të kërkojnë të njëjtën gjë? A rrezikon Shqipëria të kthehen në një vend të izoluar?
Holanda ka qenë vendi kryesor mbështetës i Shqipërisë për liberalizimin e vizave dhe ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ka më shumë se 3 vjet që policia dhe prokuroria Holandeze, kanë ngritur shqetësimin për prezencën dhe forcën e krimit të organizuar shqiptar në Holandë, veçanërisht të karteleve të drogës që janë bërë importuesit dhe kontrolluesit e drogave të forta që vijnë nga Amerika Latine. Paratë nga trafiku i drogës pastrohen me investime dhe blerje në Holandë dhe Shqipëri. Qeveria holandeze në mënyrë të vazhdueshme ka ngritur shqetësimin për mos angazhim dhe dekonspirim të luftës kundër krimit të organizuar shqiptar nga qeveria shqiptare, biles ka akuzuar që përfaqësues të këtyre klaneve kriminale kanë pushtet politik dhe bashkëpunim me qeverinë shqiptare. I njëjti shqetësim është edhe në Britani, Belgjikë dhe Spanjë. Qeveria shqiptare është e papërgjegjshme dhe për më tepër e lidhur dhe kontrolluar nga këto klane kriminale dhe në vend të luftoj krimin dhe drogën, i ka shpallur luftë Holandës. Sa të jetë kjo qeveri me në krye Ramën, jo vetëm mund të ketë efekt domino por Shqipëria do shkojë drejt izolimit dhe shkatërrimit. Marrëzia e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri nuk njeh kufi.
Më 29 maj Komisioni Europian do të japë rekomandimin e radhës. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Sorreca ka theksuar se sipas raportit të fundit të publikuar në dhjetor, Shqipëria vazhdon ti përmbushë kushtet për liberazimin e vizave. Sa shanse ka që të jenë bindur vendet anëtare që janë skeptike për Shqipërinë?
Komisioni Europian dha të njëjtin vlerësim edhe vjet por disa vende Europiane e refuzuan atë. Rama deklaroi se u hapën negociatat dhe kjo ishte fitore duke gënjyer paturpësisht, sot jemi me keq seç ishim vjet. Shqipëria është pa pushtet gjyqësor dhe pa parlament, ka vetëm pushtetin Rama. Parlamenti është kthyer në një “haltore” e Ramës që flet çdo gjë, përbuz dhe tallet me shqiptarët çdo moment. Krimi i organizuar, i mbështetur nga qeveria dhe korrupsioni i saj është një problem jo vetëm për Shqipërinë por një kërcënim serioz për Europën dhe SHBA-në, thotë Departamenti Amerikan i Shtetit. Ekonomia është e rrënuar dhe e kontrolluar nga korrupsioni i qeverisë Rama, investime të huaja nuk ka për shkak të korrupsionit qeveritar, thonë përfaqësuesit Europian dhe Amerikan. Liritë bazë nuk respektohen, liria e medias është kufizuar, gazetarët kërcënohen dhe përbuzen. Shqiptarët largohen nga Shqipëria masivisht në një eksod dramatik, politik, ekonomik dhe social dhe qeveria e konsideron normale. Kjo nuk është Shqipëri Europiane por Shqipëri e cila është mbërthyer prej fyti nga një qeveri kriminale dhe e korruptuar.
Data e zgjedhjeve lokale po afrohet por pozicionet e palëve politike po mbeten të pandryshuara dhe agresive. Protesta e 13 prillit ishte më e fortë dhe agresive se protestat paraardhëse. A po shkon Shqipëria drejt luftës civile, siç edhe z.Berisha e artikuloi?
Nëse Edi Rama do të zhvilloj zgjedhje pa opozitë, këtë e ka bërë Enver Hoxha dhe opozita nuk duhet ta lejojë dhe duhet ta frenojë me çdo mënyrë. Nëse Edi Rama do të shkatërrojë të ardhmen Europiane të Shqipërisë dhe demokracinë shqiptare ta kthej Shqipërinë mbas në vitet e zeza të diktaturës dhe varfërisë, shqiptarët duhet ta pengojnë me çdo mënyrë.
Vendimi final i PD-LSI është se s’ka zgjedhje pa u plotësuar kushtet për qeveri tranzitore. Nga ana tjetër, PD paralajmëron dhe tensione të forta nëse qeveria “Rama 2”, do të hyjë në këto zgjedhje me opozitën fasadë që po krijon në Kuvend. Si e shihni zgjidhjen e krizës politike?
Ky është një vendim i opozitës dhe opozita është më shumë se PD-ja dhe LSI-ja, pasi janë të gjithë ata shqiptarë që janë çuar kundër kësaj të keqeje. Loja e Ramës për të nderuar opozitën fasadë të pavotuar, jo përfaqësues me pazare politike, që është në radhë të parë turp i atyre që i shërbejnë Ramës dhe së dyti fund i demokracisë. Ka vetëm një zgjidhje, garantimi i të drejtës minimale si në çdo vend Europian. Zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për ti mundësuar ato, duhet që Shqipëria të largojë organizatorin dhe manipulatorin e zgjedhjeve nga pozicioni i kryeministrit dhe ky është Edi Rama. Ne kemi nevojë për një qeveri që garanton zgjedhje Europiane.
A mundet parlamenti në mungesë të opozitës, të miratojë një reformë zgjedhore? Ambasadori i OSBE në Tiranë, deklaroi se edhe ky parlament me opozitën e re, ka të drejtën legjitime të miratojë reformën zgjedhore?
Nuk ka opozitë të re, kjo është loja e Ramës. Nuk ka pas dhe nuk ka reformë zgjedhore legjitime pa opozitën përfaqësuese dhe opozita përfaqësuese është ajo që ka dalë në mbështetje dhe në ballë të shqiptarëve për një Shqipëri Europiane.
Znj.Arta Deda, i ka bërë thirrje PS-së që të reagojë ndaj krizës. A duhet PS-ja të dëgjojë këtë zë dhe shqiptarët që mbushin sheshet për ti dhënë zgjidhje krizës?
Znj.Dade ka qenë socialiste kur pak intelektualë kishin kurajo të deklaroheshin të tillë, për shkak të historikut të PPSH dhe diktaturës. Nëse kemi pozicione politike të ndryshme, ruaj vlerësimin maksimal për fjalën dhe qëndrimin e saj për situatën politike dhe të ardhmen e vendit. Sot nuk ka më parti Socialiste por parti të Ramës, parti të pushtetit dhe jo të Shqipërisë, parlamenti dhe qeveria është mbushur me njerëz që nuk kanë lidhje me socialistët por me interesa korruptive dhe antishqiptare. Nuk është vetëm znj.Dade por dhe të tjerë socialistë që nuk e pranojnë këtë situatë por më shumë janë socialistët e thjeshtë, të shpërfillur dhe përbuzur njësoj si gjithë shqiptarët nga Edi Rama.
Sondazhet flasin për një mbështetje në rritje të qytetarëve ndaj opozitës por ndërkombëtarët çdo ditë kritikojnë opozitën për lënien e mandateve dhe për të bojkotin ndaj zgjedhjeve vendore. Si e komentoni këtë pozicionim?
Kuptoj shqetësimin e ndërkombëtarëve për situatën në vend dhe krijimin e një precedenti jo vetëm për Shqipërinë. Shqipëria është një rast i paprecedentë, ku ka rënë shteti. Ka rënë kushtetuta, ka rënë parlamenti dhe po bie i gjithë sistemi. Prandaj qoftë edhe për faktin që sot flasim për ndërtimin e një sistemi tjetër funksional politik, kushtetues që buron, qeveris për interesat e shqiptarëve, mendoj që i ka dhënë të drejtë opozitës në vendimin e vet. Ne duhet të bashkëpunojmë me ndërkombëtarët për të ofruar rrugët e zgjidhjes. Ata kanë qenë, janë dhe do të jenë partnerët tanë për ta bërë Shqipërinë Europiane siç u bë Shqipëri e NATO-s.