Fatmir Xhafaj: Venecia foli. Të miratojmë Reformën në Drejtësi

Janë orë decizive për reformën në drejtësi. Megjithëse opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias tashmë ka parë dritën e botimit, kreu i Komisionit të Posaçëm parlamentar të reformës Fatmir Xhafaj tregohet i kujdesshëm në deklarimet e tij. Megjithatë ai pranon të shprehë opinionet e tij për Javanews, për konkluzionet që Komisioni i Venecias ka servirur para shqiptarëve, duke u fokusuar tek mesazhet që ekspertët ndëkombëtarë kanë dhë për ligjvënësit, partitë politike dhe shoqërinë shqiptare.

Zoti Xhafaj, më në fund konkluzionet finale të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi erdhën. Cili është opinion juaj rreth tyre ?

Fillimisht më duhet të bëj një saktësim formal. Ky është draft Opinioni përfundimtar lidhur me draftin e rishikuar të amendamenteve kushtetuese mbi sistemin gjyqësor shqiptar paraqitur nga Komisioni i Posacëm Parlamentar më 15 janar 2016 pranë Komisionit të Venecias. Për të pasur dokumentin final, opinionin përfundimtar final do të duhet të presim edhe disa ditë, pra deri më 12 mars dita kur do të shqyrtohet e miratohet në seancën plenare të Komisionit te Venecias.

E kam lexuar dhe rilexuar me një vëmëndje të vecantë gjatë kësaj fundjave dokumentin. Personalisht më ka dhënë një emocion të vecantë fakti që Komisioni Europian për Demokracinë nëpërmjet Ligjit, ndryshe Komisioni i Venecias, ky institucion pretigjoz ndërkombëtar, ka shprehur vlerësimin më të mirë të mundshëm për konceptimin, menaxhimin dhe realizimin e një reformë të jashtëzakonshme të bërë në rreth 15 muaj pune intensive, në një proces të standarteve më të larta, tërësisht gjithpërfshirës, transparent dhe profesional.

Komisioni i Venecias përmes këtij dokumenti, Draft Opinioni Përfundimtar, ashtu si edhe në konferencën për shtyp të datës 22 janar në Tiranë, ka theksuar qartazi 3 momente thelbësore :

1.Ka mbështetur domosdoshmërinë, rëndësinë dhe urgjencën për kryerjen e reformës në drejtësi edhe përmes disa zgjidhjeve radikale dhe ndërhyrjeve me masa të jashtazakonshme,sic janë ngritja e strukturave antikorrupsion dhe kryerja e procesit të vlerësimit për gjyqtarët e prokurorët; (“Komisioni i Venecias mbetet i mendimit se masat e tilla nuk janë vetëm të justifikuara, por janë të nevojshme për të mbrojtur Shqipërinë nga goditja/ metastazat e korrupsionit”)

2.Ka certifikuar plotësisht procesin e zhvilluar për realizimin e kësaj reformë duke e konsideruar një proces tërësisht në rrugën e duhur dhe kryesorja ka dhënë mbështetjen e vlerësimet maksimale për punën e njerëzve të angazhuar në këtë proces reformimi e vecanërisht për ekspertët e nivelit të lartë që kanë mbajtur barrën kryesore në këtë ndërmarrje të jashtëzakonshme. (“Komisioni i Venecias përgëzon autoritetet shqiptare, në veçanti ekspertët e Komisionit parlamentar ad hoc, për punën qe kane investuar në përgatitjen e reformës kushtetuese të gjyqësorit.Gatishmëria e tyre për të marrë në konsideratë rekomandimet e Opinionit të Ndërmjetëm meriton një lavdërim të veçantë”)

dhe kryesorja…

3.Ka dhënë vlerësimet më të mira për projektin kushtetues të paraqitur nga komisioni duke e konsideruar atë një dokument solid që ka dhënë zgjidhje shumë të mira në kushtet e shqipërisë, zgjidhje që i ka konsideruar tërësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe me standartet europiane. Opinioni ndër të tjera thekson shprehimisht se : “Draft-amendamentet e rishikuara përmbajnë propozime të shëndosha për reformimin e ardhshëm të gjyqësorit shqiptar, teksti është i plotë, koherent dhe në përputhje me standardet evropiane”.

Drafti kushtetues është përgjigja më e mirë edhe për të gjithë ata që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë gjithshka për të penguar apo deformuar Reformën në Drejtësi. Mënyra se si procesi ka nisur dhe ka vijuar, dhe në veçanti produkti i përftuar për këtë fazë përcaktuese, është përgjigja e merituar për të gjithë ata që nuk kanë lënë rast pa hedhur baltë mbi tërë këtë proces model dhe të panjohur më parë, por edhe mbi njerëzit e përkushtuar në realizimin e saj. Në të njëjtën kohë ky dokument është një përgjigje edhe për të gjithë ata që kanë qënë e vazhdojnë të jenë (shpesh me shumë të drejtë) mosbesues ndaj këtij procesi dhe qëllimeve të tij.

Gjithsesi, aktualisht më intereson shumë pak se cfarë ka ndodhur dhe se cfarë është thënë. Jam tërësisht i orientuar e i angazhuar për të vlerësuar e vepruar për ato hapa të mbetura për ta përmbyllur me sukses këtë proces. Në finale, e rëndësishme është ajo që presin me aq padurim qytetarët e këtij vendi, miratimin e projektit kushtetues. Dje ishte një ëndërr, sot është një projekt konkret, nesër, shumë shpejt, shpresoj të jetë një realitet, një realitet që jep drejtësi të barabartë për të gjithë dhe që e bën jetën tonë të përbashkët e të ardhmen e fëmijëve tanë, më të drejtë, më të ndershme dhe më të mirë.

Sa pranë momentit të aprovimit të paketës së reformës ndodhemi pas këtyre konkluzioneve?  Si mendoni se do të zgjidhet një çeshtje delikate, si ajo e shumicës parlamentare të votimit ?

Nëse ka vullnet të sinqertë politik jemi shumë afër. Nëse forcat politike që kompozojnë parlamentin shqiptar dhe liderët e tyre politik do t’i qëndrojnë përbetimeve të tyre për besnikëri ndaj verdiktit të Komisionit të Venecias, është pikërisht momenti për ta shprehur atë. Tashmë besoj se ka ardhur momenti i të vërtetës. Le të shohim se cili do të jetë reagimi dhe qëndrimi përkatës. Dëshiroj, por dhe shpresoj shumë që fundi i muajit mars të na gjejë në votimin parlamentar të projektit kushtetues.

Tashmë kemi një projekt kushtetues të vlerësuar e certifikuar nga Komisioni i Venecias. Opinioni qartazi ka theksuar se “Drafti i ri ka marrë parasysh të gjitha kritikat e detajuara të bëra më parë nga Komisioni, propozimet siç janë tanimë, janë të tilla të arsyeshme. Mbeten gjithsesi një numër problemesh teknike, të cilat nuk duhet të mbeten të pazgjidhshme”. Pra siç shihet ka shumë pak çështje të mbetura hapur për diskutim e reflektim. Këto çështje janë më tepër të karakterit teknik dhe jo të zgjidhjeve që lidhen me arkitekturën e ndryshimeve të propozuara, duke qënë se “Në thelb, Komisioni i Venecias është i përgatitur të konsiderojë si të pranueshme strukturën e propozuar institucionale, ashtu siç është”.

Opinioni i ka shprehur shumë qartë ato duke lënë shumë pak mundësi për lexime të ndryshme të zgjidhjeve të njëjta. Ato do t’i nënshtrohen gjykimit të ekspertizës dhe dialogut politik për t’i finalizuar. Me pak frymë konstruktive dhe vullnet të mirë politik janë cështje të mundëshme për zgjidhje.

Ndër këto pak çështje të mbetura hapur për diskutim e vendimmarrje më e rëndësishmja padyshim mbetet cështja që lidhet me shumicat parlamentare për votim në rastet kur kërkohet vendimmarrja e Kuvendit. Është vërtet një çështje delikate për trajtim. Opinioni i paraqitur ka mbajtur disa qëndrime ligjore mbi pretendime të prezantuara pranë tij, duke dhënë edhe disa këndvështrime e opsione konkrete mbi zgjidhje të ndryshme që mund të jepen. Ne jemi të hapur të diskutojmë rreth tyre. Kemi dhe opsione konkrete të cilat mesa konstatoj përputhen me frymën e opinioni të Komisionit të Venecias për këtë cështje. E konsideroj shumë të drejtë konkluzionin e shprehur në opinion se “Ky proces emërimi duhet të garantojë që Parlamenti të zgjedhë midis kandidatëve më të kualifikuar, dhe jo midis të përzgjedhurve politikë”. Në këtë kontekst, për ne është shumë e rëndësishme një gjë tepër thelbësore, e papranueshme dhe e panegociueshme me askënd, pra kapja politike e sistemit, vendosja e strukturave të sistemit nën kujdestarinë dhe më pas nën kontrollin e grupeve apo partive politike. Një gjë që mekanizmat e ndërtuar nga projekti kushtetuese synojnë ta nxjerrin nga dera, ne nuk mund ta pranojmë ta fusim nga dritarja, duke keqpërdorur konsensusin dhe ta katandisim formatimin e institucioneve të reja në një pazar partish politike, pazar që prodhoj për rreth 25 vjet këtë sistem të deformuar, të padrejtë dhe të korruptuar. Reforma ka pasur dhe ka si qëllim thelbësor të saj, pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit dhe shkëputjen e tij përfundimtare nga politika. Për të garantuar këto standarde demokratike, modelet me zgjidhjet janë të shumta.

Cilat janë hapat konkrete që komisioni i posaçëm dhe Kuvendi do të ndërmarrin në orët e ardhshme ?

Do të duhet dhe pak kohë që Kuvendi të përfshihet në debatin konkret rreth projektit kushtetues në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe procedurat parlamentare. Është ende faza e punës në Komisionin e Posacëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe grupet e ekspertëve të angazhuar pranë tij.

Dokumenti është në proces përkthimi. Për të mos patur keqkuptime në këtë pikë është rënë dakort që kjo gjë të bëhet nga ekspertët e Euralius dhe OPDAT. Sapo ta kemi këtë tekst në shqip, do ia vemë në dispozicion anëtarëve të Komisionit të Posacëm Parlamentar për Reformën në drejtësi, Grupeve Parlamentare dhe ekspertëve të tyre, Ekspertëve të Nivelit të Lartë dhe Sekretariatit teknik të angazhuar pranë tyre, si dhe të gjithë Rrjetit të konsultimit të profesionistëve të angazhuar me reformën.

Procesi në vazhdim do të jetë ai që ndiqet normalisht në një proces ligjbërës dhe që është respektuar edhe në gjithë këtë proces ndryshimesh kushtetuese dhe ligjore.

Natyrisht do të ketë një proces reflektimi nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, vendas dhe ndërkombëtar, të angazhuar me këtë projekt, në bashkëpunim dhe me ekspertët e caktuar nga grupet politike parlamentare të maxhorancës dhe, kryesisht, ata të opozitës. Kjo për të debatuar dhe reflektuar bashkërisht në rekomandimet dhe propozimet e dhëna nga draft opinioni i Komisionit të Venecias për cështjet përkatëse, të mbetura të hapura për diskutim.

Një proces i tillë, do të lehtësonte, fazën tjetër, atë të debatit dhe dialogut politik në Komisionin Parlamentar, rreth alternativave përkatëse, për të miratuar zgjidhjet përfundimtare që do ti paraqiten Kuvendit për votim. Sigurisht që do të jetë një proces që do të mbështetet tërësisht në frymën dhe rekomandimet finale të Komisionit të Venecias, si korniza e gjithëpranuar për projektin kushtetues për reformimin e drejtësisë,

Komisioni i Venecias, nëpërmjet draft Opinionit përfundimtar në të cilin i ka dhënë mbështetjen e plotë këtij projekti të shqyrtuar dhe të vlerësuar prej tij thekson qartazi se “… beson se draft-amendamentet mund të përfundojnë pa vonesa të mëtejshme dhe të dorëzohen në Parlament për votim”.

Dëshiroj dhe shpresoj të jetë një proces i shpejt, konstruktiv dhe konsensual, padyshim i lehtësuar edhe nga opinioni final i Komisionit të Venecias, si verdikti që palët janë angazhuar e dakortësuar se do të respektojnë.

Le të shpresojmë !

Intervistoi: Skender Minxhozi (Javanews.al)

SHKARKO APP