Fidel Ylli: Meta ka të drejtë, duhen impulse të reja, ndryshime në qeveri

Biznesmeni njeheresh deputet i PS ka guximin te flase publikisht per gabimet e Rames. Fidel Ylli ne nje interviste per shqiptarja.com shprehet se kryeministri po rrezikon koalicionin per inate te vogla me Meten. Deputeti Fidel Ylli njihet për miqësinë e tij me Edi Ramën si dhe një nga deputetët me më ndikim mbi kryeministrin.

“Të gjitha reformat po i realizojmë së bashku me aleatët. Me votat e LSI-së ne erdhëm në pushtet, dhe larguam atë qeverisje të papërgjegjshme. Jemi bashkë dhe kjo çështje duhet vlerësuar, dhe duhet pasur më shumë tolerancë. Toleranca është virtyt i njerëzve të zgjuar. Nuk bëhen gjërat me inat për një çështje ministri apo drejtori. Unë mendoj që qeverisja të krijon probleme qoftë me aleatët, ministrat, drejtorët, interesat e ndryshme të zonave. Unë mendoj se qeverisja ka vajtur mirë, dhe ne qeverisim se kemi 20 deputetë të LSI-së dhe 5 të PDIU-së. Ne si aleatë po qeverisim bashkë me këta, dhe unë mendoj që kjo qeverisje duhet të vazhdojë, me më shumë bashkëpunim dhe me më shumë komunikim.

Duhet më shumë konsideratë, më shumë respekt, sepse në fund të fundit, ne qeverisim sepse po bëjmë të gjitha reformat me votat e tyre. Nuk na vjen e keqja nga një moment se çfarë thotë një anëtar i grupit të aleatit, apo tjetrit. Nuk është në interes të askurrkujt të futim stërkëmbsha ndaj njëri-tjetrit, se do rrëzojmë njëri-tjetrin dhe do vijë ajo qeveria që ishte 8 vjet, dhe ju e patë ç’bëri. Qeverisja ka dhe probleme, ka dhe mangësi, por të jemi transparent, tolerantë dhe të mençur. Ku jemi dhe ku do shkojmë? Të jemi bashkë për gjërat madhore të vendit. Debate me opozitën do të kemi për çdo reformë”, shprehet Ylli.

Me tej Fidel Ylli deklaron se “ka gjëra për të bërë më mirë, por duhet folur. Të mos vemi ne atje të ngremë dorën për t’i bërë qejfin kryetarit si “Yes man”, por për të folur: këtu është mirë, këtu duhet rregulluar. Qeveria ka për detyrë të ndërrojë cilësinë e jetës së shqiptarëve. Jo të bëhen ministra aty, të kollarisen dhe të japin mend, por secili të japë kontribute në punën e vetë. Nëse s’kanë performancë, të ikin. Të hapin krahun. Ka të tjerë djem e vajza të zotë që presin radhën, që kanë mbaruar jashtë dhe që kanë vizion. Nuk bëhet kjo me mediokritet. Prandaj, Ilir Meta ka të drejtë në ato që thotë. duhen impulse të reja, ndryshime në qeveri, ndryshime në lista deputetësh, në përzgjedhjen e tyre. Kryetarët e kanë në dorë”.

SHKARKO APP