Fituesit e “Njeriut të Vitit 2017”: Ramush Haradinaj, Shefqet Kastrati, Ylli Rakipi dhe Lorenc Vangjeli

Redaksia “Koha Jone” prej datës 1 dhjetor deri me 29 dhjetor 2017 kishte online www.kohajone.com sondazhin për POLITIKANI I VITIT, BIZNESMENI I VITIT, MODERATORI TELEVIZIV I VITIT DHE GAZETARI I VITIT.

Konkurimi u mbyll  me datë 29 dhjetor, ora 18.00 dhe ku fitues shpallen nga rezultatet e votimit online për 29 ditë:

1-Politikani i Vitit: Ramush Haradinaj
2-Biznesmeni i Vitit: Shefqet Kastrati
3-Moderatori televiziv i Vitit: Ylli Rakipi
4-Gazetari i Vitit: Lorenc Vangjeli

Sondazhi do botohet ditën e shtunë, datë 30 dhjetor, edhe në gazetën “Koha Jone”

Ramush Haradinaj, Politikanit i Vitit

Hero i luftës së Kosovës, komandant i Zonës Operative të Dukagjinit dhe Gjeneralmajor i Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Kryeministri aktual i Republikës së Kosovës Ramush Hardianj është i lindur me 3 korrik, 1968 në Gllogjan (Kosovë), është i martuar me gazetaren Anita Muçaj dhe ka tre fëmijë.

Deputet i Kuvendit të Kosovës në tre legjislatura dhe Kryeministër i Kosovës. Ka mbaruar Fakultetin Juridik në UP dhe ka Master në shkencat e shërbimit menaxhues

Haradinaj flet anglisht, frëngjisht dhe serbisht.

Libra për Ramush Haradinajn:

– 2014, “THE KOSOVO INDICTMENT” (Haga e Ramush Hardinajt) – MICHAEL O’REILLY;

– 2001    PAQJA E GJENERALIT (Dialog me Komandantin Ramush Haradinaj) – BARDH HAMZAJ

– 1999   RRËFIMI PËR LUFËN DHE PAQEN (Dialog me Komandantin Ramush   Haradinaj) – BARDH HAMZAJ;

 Luftëtari politikan.- Për Heraclitus, fuqia e luftëtarit që e shquan Thymos-i antik (kreanaria dhe dinjiteti) e bën atë një luftëtar të ashpër, por të drejtë dhe secili e di se është vështirë për të luftuar kundër thymos-it të tij – kundër zemrës së tij – për shkak se për atë që ai e dëshiron është i gatshëm ta paguajë çmimin më sublim: Jetën e tij.

Ky është ai investimi total Nietzschean në lojën e quajtur luftë…

Dhe në kohë paqeje luftëtari e ruan baraspeshen – mes lirisë dhe drejtesisë – duke ia besuar lirinë, ligjit.

Atë e shquan sensi për drejtësi dhe dinjitet dhe nuk mund të shndërrohet në konformist, vetëm përse këtë e kërkon arti i të mundshmes…

Ramush Haradinaj është lider shumë popullor porse, ka arritur që të shkëputet në mënyrë briliante nga populizmi dhe patriotizmi si kiç!

Ai nuk e njeh poshtërimin dhe nuk i poshtëron tjerët!

Ramush Haradinaj është i edukuar si ‘Marinës’ dhe ai nuk mund të shndërrohet në politikan të dëgjueshëm të politbyrove…

Mos kërkoni nga Haradinaj që të shndërrohet në politikan që vërtitet korridoreve të “European Quarter”, në Brussels, si të gjithë ballkanasit e shkretë, që ndrydhen e shtrydhen skutave pa iu ndie zani, për me marrë poza veshun me smoking të zi, sepse ai nuk është një ministër turizmi dhe as një byrokrat tipik i Europës juglindore.

Haradinaj është një ushtar lirie në politikë!

Solidar dhe kalores fisnik, Kryeministri Haradinaj po e rikthen besimin ne lidership si dhe sensin per drejtesi…

Republika e Kosovës i takon FAMILJES EUROPIANE sepse ështënë shtëpinë e saj, në Europë dhe në të drejtën e saj…

Kosova është e përkushtueme në rrugën integruese për në BE, mirëpo shteti kosovar ka nevojë jetike për levizje drejt NATO-s si ombrellë e sigurisë së kësaj shtëpie dhe të vlerave të përbashkëta europiane.

Kosova duhet ta realizojë të drejtën për ushtrinë e vet kombëtare!

Kosova, në rrugën e lirisë nuk ishte e vetme, ajo pati përkrah Amerikën dhe kombin e fuqishëm por të drejtë amerikan.

Prandej Kosova ka të drejtë ta kultivojë miqësinë e përjetshme me SHBA-në – si aleate strategjike – sepse Kosova është proamerikane dhe në këtë dritë, kryeministri Haradinaj me fuqinë morale dhe patriotike, bazuar në faktet historike të lirisë dhe shtetndërtimit kërkon dhe lutet që ShBA të jetë e përfshime në dialogun me Serbinë, krahas BE-së.

Vendimet më të guximshme në 100 ditëshin e parë të Qeverisë Haradinaj

  1. Amnesty International, me 13 dhjetor 2017 ka prezantuar raportin ”Plagë që të djegin shpirtin” në të cilin u shpalos ndikimi shkatërrues fizik dhe psikologjik që iu është shkaktuar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

 “Një kryeministër i tillë në Londër do të quhej kryeministër i suksesshëm. E falënderojmë shumë për punën që ka bërë për dëmshpërblimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Shpresoj që bashkëpunimi do të vazhdojë me këtë kryeministër e këtë qeveri, për të përmirësuar jetën e këtyre personave. Ne kemi biseduar me kryeministrin dhe ai ka ofruar mbështetje të madhe për këtë çështje në mënyrë që kryesit e këtyre veprave të dënohen” tha Sian Jones nga Amnesty International gjatë prezantimit të raportit për gratë e dhunuara në Kosovë.

  1. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka arrit marrëveshjen për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Marrëveshja siguron investime të kompanisë amerikane prej 1.3 miliard euro. Pas finalizimit, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe popullin e Kosovës.

Shefqet Kastrati, Biznesmeni i Vitit

I lindur në vitin 1961, Shefqet Kastrati është një nga emrat më të njohur dhe më të suksesshëm të sipërmarrjes private në Shqipëri. Pas rënies së komunizmi, ndryshe nga shumë të rinj shqiptarë që emigruan jashtë vendit për një jetë më të mirë, Shefqet Kastrati vendosi të realizojë ëndrrën e tij në vendlindje. Që në moshën 31-vjeçare, krijoi kompaninë e parë të tregtimit të hidrokarbureve me pakicë, fillimisht në rrethin e Kukësit, për t’u shtrirë më pas në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë. Falë punës së palodhshme, vendosmërisë, ambicies dhe vizionit, Kastrati shumë shpejt u shndërrua në lider në sektorin e hidrokarbureve dhe jo vetëm.

Shefqet Kastrati, është një histori suksesi 25-vjeçare, e një prej filantropëve të parë shqiptarë, e cila daton që në vitin ‘92, fillimisht me tregtimin e hidrokarbureve, për t’u zgjeruar shumë shpejt në të gjithë Shqipërinë dhe në shumë vende të rajonit të Ballkanit me një rrjet të gjerë kompanish të suksesshme. E gjitha falë punës së palodhshme të një prej gjenive të sipërmarrjes shqiptare, i cili pa frikë mund të cilësohet dhe Rockfeller-i shqiptar, Shefqet Kastrati. Ata që e njohin dhe punojnë me të, thonë se Shefqet Kastrati është fjalëpak, i palodhur dhe i bindur se çdo gjë arrihet me punë. Por, pavarësisht suksesit në rritje, Kastrati, ka mbetur po ai, njeri i thjeshtë, biznesmen babaxhan, me intuitë të jashtëzakonshme, bujar dhe vizionar. Shefqet Kastrati dhe e gjithë familja e tij e përfshirë në biznes, janë modeli i një biznesmeni të virtytshëm, i cili etikën e punës, atë të kontratës dhe njerëzores e ka më shumë se kushdo tjetër në qendër të të gjithë punës së tij. Besimi në Zot është një nga pikat e tij më të forta dhe zhvillimin e bizneseve të tij, ai gjithmonë e shikon si një mundësi për t’u shërbyer njerëzve, për t’i ndihmuar ata dhe për të krijuar dhe rritur mirëqënie. Ai kurrë nuk ka hequr dorë dhe nga bamirësia, duke iu gjendur pranë kujtdo në ditë të vështira. Kastrati Group është familja e tij e madhe, e cila mban të lidhur rreth vetes mbi 3 000 familje shqiptare.

Pikërisht këto vyrtyte janë zemra e kësaj sipërmarrjeje të suksesshme, e cila në 25 vite është zgjeruar në mënyrë konstante dhe ka krijuar një reputacion të konsoliduar për cilësinë e produkteve dhe shërbimeve të ofruara. Falë korrektësisë dhe investimeve të suksesshme që prej vitit 2014 Kastrati sh.a. është partner eksluziv për rajonin i gjigandit botëror të prodhimit dhe tregtimit të karburanteve, Exxon Mobil. Aktualisht kompania numëron mbi 170 pika karburanti në të gjithë Shqipërinë dhe ofron cilësi të pakrahasueshme të karburanteve premium në treg.

Auto Star Albania, është një tjetër histori suksesi e Kastrati Group. Kompania është krijuar në vitin 1996 dhe është i pari distributor i përgjithshëm i automjeteve në Shqipëri, ndërsa prej shtatorit 2015 është pjesë e Kastrati Group. Gjatë dy viteve të fundit, Kastrati Group ka investuar mbi 13 milionë Euro, duke implemtuar një projekt modern dhe shumë fuksional në një sipërfaqe totale mbi 30 000 m². Falë këtyre investimeve, janë trefishuar hapësirat e showrooom për ekspozimin dhe shitjen e automjeteve, dyfishuar hapësirat e servisit dhe riparimit të mjeteve dhe kapacitetin e magazinimit të pjesëve të këmbimit, duke vendosur  një tjetër standard bashkëkohor për të gjithë konçesionarët në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit. Kastrati Group gjatë dy viteve të fundit ka investuar dhe vazhdon të investojë në aplikimin e teknologjisë më të avancuar dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Europian.

E themeluar në vitin 2004, shoqëria e sigurimit ALBSIG sh.a. është pjesë e Grupit Kastrati dhe një nga kompanitë më të suksesshme në tregun e sigurimeve në Shqipëri dhe që nga viti 2007 edhe në territorin e Republikës së Maqedonisë përmes Albsig A.D.

ALBSIG operaon me 25 produkte cilësore në tregun rajonal të sigurimeve dhe ka tredin më të lartë të rritjes. ALBSIG sh.a. zë vendin e dytë në tregun e sigurimeve vullnetare dhe prej dy vitesh zë vendin e parë në produktin KASKO.

Që nga viti 2000, Kastrati Group është i pranishëm në projektet e zhvillimit dhe manaxhimit të pasurive të paluajtshme. Nëpërmjet shoqërisë Kastrati sh.a. ka projektuar dhe realizuar një sërë objektesh residenciale dhe komerciale të standardeve më të larta në Durrës dhe Tiranë.

Në vitin 2017, Kastrati Group filloi ndërtimin e Garden Residence Turdiu, residenca më e madhe dhe më moderne e banimit në kryeqytet. E konceptuar si një kompleks multifunksional, residenca do të ketë 140 mijë m2, me rreth 2 500 m2 hapësirë të gjelbër dhe ky projekt pritet të përfundojë në vitin 2020.

Albanian Highway Concession, është një tjetër projekt i rëndësishëm i Kastrati Group në bashkëpunim dhe me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë…

Albanian Tower është projekti më i ri i ndërtimit në qendër të Tiranës (pranë ndërtesës ETC), me një vlerë mbi 75 milionë euro dhe është projektuar për hapësira banimi dhe biznesi. Ndërtesa do të ketë hartën e Shqipërisë dhe është një bashkëpunim me Grupin Balfin.

“SHMEL EXPRESS”, i themeluar në vitin 2013, është rrjeti më i ri i marketeve me rreth 100 pika në të gjithë Shqipërinë, me një gamë të gjerë produktesh të markave kryesore dhe plotëson nevojat e konsumtarorëve 7/24.

Kastrati Group gjatë vitit 2017 ka intesifikuar investimet dhe në një sërë sektorësh të tjerë të rëndësishëm, çka e bën atë një nga grupet më të rëndësishme të investitorëve në Shqipëri, rajon dhe më gjërë.

Ylli Rakipi, Moderatori i Vitit

Emisioni “Të Paekspozuarit”, sot është ne sezonin e tij të katërt. “Të Paekspozuarit” është një emision me fokus në gazetarinë investigative. Ky emision është përpjekur dhe ka mundur të sjellë, tematikat më të rëndësishme të jetës së vendit. Emisioni ka si autor dhe drejtues, gazetarin Ylli Rakipi, me një eksperiencë mjaft të gjerë në fushën e medias, sidomos asaj të shkruar por vitet e fundit edhe asaj televizive.

Duke qenë një emision investigativ, “Të Paekspozuarit”, ka sjellë për shikuesin e gjerë, temat më të nxehta dhe më problematike, të politikës, ekonomisë dhe të zhvillimit të jetës së vendit.

Me interes të jashtëzakonshëm për publikun e gjerë kanë qenë tematikat për koncesionet, një mekanizëm i krijuar nga qeveria për të rrëmbyer dhe për tu shpërndarë klientëve dhe vetvehtes, pasuritë e vendit. Sigurisht siç ndodh rëndom në Shqipëri, emisionet me karakter politik kanë dominuar edhe në këtë program. Intervistat e moderatorit Rakipi, me kryeministrin Rama, janë cilësuar si intervistat më të mira në tregun mediatik shqiptar. Bile kjo intervistë është cilësuar si intervista e vitit 2017, duke i shtuar shumë vota Ylli Rakipit në raport me konkurrentët e tjerë të botës televizive, pjesëmarrës në këtë garë për Moderatorin e Vitit 2017.

Emisioni “Të Paekspozuarit”, ka qenë mjaft kritik jo vetëm me qeverinë, por ka qenë një emision që ka vënë në pah dobësitë edhe të opozitës, si një institucion shumë i rëndësishëm, si të gjitha institucionet e brishta shqiptare.

Temat më të rëndësishme të politikës dhe ngjarjeve ndërkombëtare, kanë zënë vend edhe janë ndjekur me mjaft interes nga publiku shqiptar.

Ky emision edhe pse mban emrin “Të Paekspozuarit”, ka sjellë për publikun, njerëzit më të ekspozuar në shoqërinë shqiptare, porse me ndryshimin që ka ekspozuar anët e padukshme të tyre.

Moderatori Rakipi, solli një frymë origjinale, nëpërmjet një mënyre të drejtëpërdrejtë të komunikimit me të ftuarit dhe publikun. Edhe pse erdhi me vonesë, ky emision zuri një vend të rëndësishëm në tregun mediatik shqiptar. Mënyra investigative e emisionit, shoqëruar me batutat ironike të drejtuesit të emisionit kundrejt disa të ftuarve, të cilët e meritojnë këtë gjini mediatike, akoma të pazhvilluar në botën televizive shqiptare, kanë sjellë që emisioni i Ylli Rakipit të jetë konkurrues dhe fitues nga votimet online për 29 ditë rresht.

Padyshim që emisionin “Të Paekspozuarit” e ka bërë mjaft interesant dhe e ka rritur shumë cilësisht edhe pjesëmarrja e dy analistëve të njohur, Fatos Lubonja dhe Andi Bushati.

Pjesëmarrja e përhershme e tyre dhe qëndrimi i pavarur, kanë qenë dhe janë një vlerë e shtuar e emisionit “Të Paekspozuarit”.  Në një farë mënyre çmimi i fituar nga Rakipi është si një bashkëçmim me Lubonjën dhe Bushatin, sepse emisioni ka sfiduar disa emisione tradicionale. Duke u rreshtuar në anën e publikut, duke qenë avokat i këtij publiku, “Të Paekspozuarit” mbetet një emision me karakter të veçantë dhe të spikatur në Shqipëri.

Lorenc Vangjeli, Gazetari i Vitit

Katër vjet e kusur më parë, ata që e panë Lorenc Vangjelin të ngjitej në zyrën e tij të re në Bllok, menduan se në Tiranë miqësitë dhe armiqësitë ishin thjesht çështje stine. Një nga gazetarët më të afërt me Edi Ramën në opozitë, pikërisht kur Rama erdhi në pushtet, u largua prej kryeministrit dhe afrua me ish-armikun e tij të betuar Meta. “Legjenda” që qarkulloi atëherë megjithatë ishte qesharake dhe konsiderohej si një nga shakatë e vërteta të Tiranës në ambientet mediatike. Sipas saj, Rama, si Gjon Kastrioti, e kishte dërguar mikun e tij Lorencin si Skënderbeun junior në oborrin e “sulltanit” të majtë Ilir Meta; e kishte dërguar si peng dhe garanci për aleancën e tyre politike. Dhe Meta, njeriu që di të mbajë pranë si pakush edhe miqtë dhe armiqtë, e mbajti “peng” Lorencin si dorëzanës për aleancën e re dhe sepse nuk i besonte mikut të rigjetur në pushtet.

Katër vjet e kusur më pas, kur rrugët e çiftit Rama – Meta u ndanë, edhe Lorenci u nda nga të dy dhe ju rikthye edhe njëherë, edhe zakonit, edhe zanatit të vjetër të gazetarit. Nga i cili, në fakt, nuk ishte ndarë asnjëherë.

Koha Jonë dhe lexuesit e saj e shpallën gazetarin e vitit, pikërisht për këtë rikthim në pikën nga ishte nisur. Sepse edhe Lorenc Vangjeli, si pothuaj të gjithë gazetarët e tjerë të njohur të vendit, është një studentët e shkollës së gazetës “Koha Jonë”. Duke provuar të bëjë në gazetari nw të gjitha gjinitë dhe të provojë të veshë gjithë rekuizitën e një gazetari; që nga reporteri i ri në shumë vite të shkuara më parë e paralelisht me të, edhe gazetarin investigativ, edhe reportazhistin, edhe editorialistin, edhe analistin politik dhe debatuesin e ashpër në studiot politike. Së fundmi, edhe moderatorin në emisionin e tij televiziv, të vetmin format pa moderatorin klasik në këmbë.

Në vitet e fundit Lorenci është editorialist në “Javanews.al”, por edhe opinionist i gazetës “Koha Jonë”, duke u shfaqur shfaqur si mik i opozitave pavarësisht ngjyrave dhe distant me pushtetin, pavarësisht ngjyrës së tij. Ndoshta sepse ka kuptuar atë të vërtetë të thjeshtë që e dinë të gjithë gazetarët e llojit të tij, ish-studentë të “Koha Jonë”, që media është pushtet më vete. Një pushtet që zgjat shumë më shumë se mandatet e pjesshëm e shpesh edhe të trukuar dhe të frakturuar të politikës. Një pushtet që nuk dhurohet, por fitohet. Një pushtet tek i cili, nëse zgjedh të jesh, zgjidhesh dhe nuk emërohesh. Siç ndodh rëndom në parlament apo në qeverisje.

Lorenc Vangjelin e gjeni shpesh në studion e Opinion-it. Herë duke thënë të vërteta të trishtuara me humor dhe herë duke dëshmuar të vërteta cinike nga ato që Tirana politike i njeh mirë, që i konsumon po me cinizëm në ditët e saj njëngjyrëshe dhe i diskuton me pasion  në mbrëmjet vanitoze të saj me shumë më shumë ngjyra. Me ngutin e qetë për të parë dhe gjetur arsye edhe tek kundërshtari apo për të gjykuar e diskutuar fenomenin e ditës duke e parë atë me sytë e kundërshtarit. Jo në tentativë për të gjetur të mesmen e artë që mungon, por për të shënjuar se çfarë mund të bashkojë në Tiranë, kryesisht hallet dhe problemet e publikut, janë shumë më shumë se interesat vetjake që i ndajnë politikanët. Ata që në fakt do të duhej të paguheshin për të kundërtën, por që e konsiderojnë mandatin jo si marrje me qera të vendit për katër vjet, por si një marrëdhënie pronësie për së paku katër vjet.

Prej gati dy muajsh, Lorenc Vangjeli është shfaqur edhe si moderator televiziv në një format të veçantë në RTSH. “JAVA” në RTSH është e vetmja tryezë debati në Shqipëri e gjetkë, që nuk ka një moderator klasik, që komenton ndryshe dhe më thellë atë që shohin të gjithë.

Zgjedhja e publikut të “Koha Jonë” në fakt është një zgjedhje brenda shtëpisë. Sepse Lorenci është në shtëpinë e tij tek “Koha Jonë”, wshtw njw prej ikonave mediatike qw ka nxjerrw kjo gazetw ndwr 27 vite. Duke konsumuar në vite atë marrëdhënie shpesh të lumtur mes individit dhe shtëpisë së tij, që është e ngjashme me marrëdhënien e varësisë të plotë e të thellë që krijohet mes pengut dhe pengmarrësit. Marrëdhënien mes syrit dhe vështrimit, mes dhëmbëve dhe shenjës në trup, mes ngjitjes në dashuri dhe fjalës që është shpikur e dyta; fjalës që shërben vetëm për të shpjeguar se çfarë është dashuria që çliron duke robëruar.

SHKARKO APP