Flakë dhe dhunë në Tiranë/ Protestuesit duan të futen në selinë e PS
Tensionet në protestën studentore në Tiranë janë shtrirë edhe te selia e Partisë Socialiste, e cila është sulmuar nga protestuesit. Ngjarja vjen në një moment kur protesta është shoqëruar me përplasje dhe akte dhune në disa zona të Tiranës. Policia e Shtetit ka hedhur menjëherë gaz lotsjellës në sasi të madhe duke i shpërndarë. Kurse protestuesit po hedhin ende gurë drejt efektivëve.
Policia e Shtetit ka reaguar përmes një deklarate lidhur me pjesëmarrjen e të miturve në protestat e ditëve të fundit, duke shprehur shqetësimin se një numër i konsiderueshëm fëmijësh janë ekspozuar drejtpërdrejt ndaj dhunës dhe përplasjeve me efektivët. Policia u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë të interesohen për vendndodhjen e fëmijëve të tyre dhe të mos lejojnë që ata të përfshihen në situata që rrezikojnë jetën dhe shëndetin.
Sipas deklaratës, në disa raste të miturit janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, mes sendeve të forta, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës. Uniformat blu shprehin gjithashtu shqetësimin për raste të dyshuara të përdorimit të të miturve në përplasje për qëllime të caktuara, duke theksuar se çdo rast i dyshuar i nxitjes apo shfrytëzimit të fëmijëve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente.

