Forcat amerikane ndihmuan Izraelin në kundërpërgjigjen ndaj sulmit, pritet konflikt rajonal
Irani nisi të shtunën një sulm ajror ndaj Izraelit, duke shënuar një përshkallëzim të madh të konfliktit midis fuqive rivale rajonale dhe duke nxitur veprimin e forcave amerikane në mbështetje të Izraelit.
Rojat Revolucionare Islamike, lëshuan një deklaratë para agimit të së dielës duke thënës e hodhi raketa dhe dronë nga territori iranian drejt Izraelit. Në deklaratë thuhet se sulmi ishte hakmarrje për atë që zyrtarët iranianë thonë se ishte një sulm izraelit që vrau disa komandantë të lartë ushtarakë iranianë në Damask më 1 prill. Izraeli as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar përgjegjësinë për sulmin e 1 prillit.
Zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Daniel Hagari, tha të dielën se Irani lëshoi më shumë se 300 dronë dhe raketa gjithsej drejt Izraelit, përfshirë ato të hedhura nga Jemeni dhe Iraku. Sipas tij, 99 për qind e tyre janë penguar nga mbrojtja ajrore izraelite jashtë hapësirës ajrore të Izraelit. Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit njoftoi gjithashtu herët të dielën se që nga ora 7:30 e mëngjesit, hapësira ajrore është rihapur.
Videot e postuara në rrjetet sociale treguan se disa prej predhave që u bllokuan mbi Izraelin qendror dhe jugor dhe të tjera që ranë në tokë.
Zëdhënësi Hagari tha se një vajzë e re është plagosur në shkretëtirën jugore të Negevit. Një deklaratë e ushtrisë izraelite foli për dëme të vogla në infrastrukturë në një bazë të saj në Izraelin jugor.
Në një mesazh dërguar Zërit të Amerikës, gjenerali Jacob Nagel, një ish këshilltar për sigurinë kombëtare i kryeministrit Benjamin Netanyahu, tha se forcat izraelite u ndihmuan nga aleatët nga Shtetet e Bashkuara Britania, Jordania dhe Arabia Saudite në rrëzimin e dronëve dhe raketave iraniane.
Një zyrtar ushtarak amerikan konfirmoi gjatë natës për Zërin e Amerikës se forcat amerikane vazhduan “të rrëzojnë dronët e lëshuar nga Irani”.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, informoi sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, për përgjigjen e Izraelit ndaj sulmeve iraniane. Në një deklaratë të zyrës së tij thuhet se ministri Gallant theksoi se struktura e mbrojtjes izraelite është “e përgatitur për çdo përpjekje të mëtejshme për të sulmuar” vendin.
Presidenti amerikan Joe Biden foli me kryeministrin Netanyahu të shtunën vonë. Një zyrtar i lartë tha se ekipi i sigurisë kombëtare të presidentit Biden “do të vazhdojë të punojë me partnerët në rajon për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm” të konfliktit.Në fillim të sulmit iranian, kryeministri Netanyahu tha në një mesazh televiziv se Izraeli do të mbrohet “kundër çdo kërcënimi dhe do ta bëjë këtë me vendosmëri”.
Pothuajse në të njëjtën kohë, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Adrienne Watson, tha në një deklaratë se “Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në krah të Izraelit dhe do të mbështesin mbrojtjen e tyre kundër kërcënimeve nga Irani”.
Kryeministri Netanyahu e vlerësoi këtë mbështetje në deklaratën e tij, duke thënë: “Ne e çmojmë faktin që Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Izraelit, si dhe mbështetjen e Britanisë, Francës dhe shumë vendeve të tjera”.Në një postim në platformën X, misioni iranian në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, tha se sulmi ajror ndaj Izraelit shënon përfundimin e aksionit ushtarak të Teheranit.
“Nëse regjimi izraelit bën një gabim tjetër, përgjigja e Iranit do të jetë më e ashpër,” tha misioni iranian, duke paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që të mos ndërhyjnë.
Në një deklaratë të ripërtërirë të postuar më vonë, Rojat Revolucionare Islamike paralajmëruan kundër çdo përfshirjeje të Shteteve të Bashkuara kundër interesave të Iranit.
Zoti Jacob Nagel, një bashkëpunëtor i lartë i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive me seli në Uashington, tha se sulmi iranian, i pari i këtij lloji në dekada armiqësie midis Iranit dhe Izraelit, ka të ngjarë të jetë një pikë kthese në konflikt.
“Me siguri do të shohim një konfrontim rajonal, sepse nuk është vetëm Irani kundër Izraelit, por Irani kundër botës së lirë”, tha ai./VOA/