Televizioni amerikan,”Fox News”: “Bilal Shehu nuk solli gruan, por Ramën!”

“Është një çështje federale që përfshin një shofer limuzine në New Jersey, njeriun më të pushtetshëm të botës dhe kryeministrin e Shqipërisë ka tërhequr vëmendje të pakët në SHBA, por që ka mundësi të thyejë korridoret e pushtetit në vendin evropian.”

Kështu e  nis një shkrim të saj e përditshmja amerikane FoxNews që i ka kushtuar një reportazh çështjes së pagesës së 80 mijë dollarëve nga shoferi Bilal Shehu për një darkë bamirësie me Barak Obamën në vitin 2012. Ai është përballur në gjykatë pasi nuk tregon ku i mori paratë për të marrë pjesë në darkën e mbajtur në San Francisco së bashku me gruan e tij.

“Por Shehu nuk e morri gruan e tij në ceremoni, por mori me vete Edi Ramën që më, vonë u bë kryeministër i Shqipërisë. Federalët thonë se ishin paratë e Edi Ramës i cili u largua nga mbrëmja me një foto me Barak Obamën duke i dhënë një shtysë fushatës së tij.

Për Shehun, nga periferia e New York nuk shkoi kaq mirë. Ai u deklarua fajtor në 29 qershor për kryerje të donacioneve nga jashtë dhe rrezikon 5 vite burg dhe një gjobë prej 250 mijë dollarësh kur të jepet dënimi për të në 5 tetor” – shkruan Fox News.

Agjencia e lajmeve amerikane u jep hapësirë më pas deklaratave të politikanëve në Tiranë duke nënvizuar ato që thotë opozita se paratë mund të kenë ardhur nga aktivitete të paligjshme si ai i shpërndarjes së drogës.

“Edi Rama ka kryer të paktën 3 vepra penale” – tha për Associated Press, deputeti i PD-së Eduard Halimi

“Duke parë dokumentat e çështjes së ndjekur nga FBI, Shehu ka pranuar se ka marrë fonde nga jashtë nga burim që i ka derdhur në llogarinë e tij bankare. Ai më pas e ka fshehur burimin e të ardhurave ku ka marrë pjesë në festën e Barak Obamës.

Emri i Ramës nuk është përmendur në këtë çështje. Sipas dokumentave thuhet se “qytetarit të huaj” i është mohuar marrja pjesë në ceremoninë e mbledhjes së fondeve, por i është lejuar një foto me presidentin Obama.

Prokurori i New Jersey tha se askush nga stafi i mbledhjes së fondeve të presidentit Obama nuk është nën hetim dhe se të gjithë kanë bashkëpunuar për çështjen.

Avokati i Bilal Shehut ka deklaruar se klienti i tij e ka pranuar fajësinë, por nuk ka bërë një marrëveshje me gjykatën.

“Klienti im ka bërë një pranim publik të fajit në një seancë të kryer, por nuk është një dëshmitar që të bashkëpunojë me qeverinë” tha avokati Alan Abramson për FoxNews.

Sipas Aktit Federal të fushatës zgjedhore, asnjë shtetas i huaj nuk mund të dhurojë ose të shpenzojnë para në lidhje me zgjedhjet për çdo shtet, lokale apo zgjedhjet federale të SHBA-së. Përjashtimi i vetëm është nëse personi ka një kartë të gjelbër dhe vendbanim të përhershëm në vend” – shkruan FoxNews.

Më pas vjen edhe një deklaratë e zëdhënësit të prokurorisë shqiptare Albi Serani që konfirmon se për çështjen është duke u hetuar paraprakisht pas një denoncimi të bërë dhe se brenda një muaji do të vendosë nëse do të hapë një çështje.

“Gjatë kësaj periudhe, prokurorët do të shohin nëse kemi të bëjmë me një vepër penale dhe nëse është e nevojshme për të hapur një hetim”- tha Serani.

Shkrimi i FoxNews u shkrua nga Perry Chiaramonte, një reporter i saj.

SHKARKO APP