Presidenti francez, Emmanuel Macron do të zhvillojë një takim me përfaqësues të organizatave studentore, në një përpjekje për të dëgjuar kërkesat e tyre, ndërsa vendi vijon të përballet me protesta dhe tensione. Sipas mediave franceze, kjo është hera e parë që Macron takohet me përfaqësuesit e nxënësve që prej nisjes së demonstratave në shtator.
Macron synon të dëgjojë nga afër shqetësimet dhe kërkesat e të rinjve. Në fokus të diskutimeve pritet të jenë përmirësimi i infrastrukturës shkollore dhe rishikimi i sistemit francez të pranimeve në universitete, të njohur si Parcoursup.
Situata në Francë mbetet e tensionuar pas demonstratave të fundjavës së kaluar. Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 550 mijë persona morën pjesë në protesta, ndërsa sindikatat pretendojnë se pjesëmarrja ishte edhe më e lartë. Bilanci i përplasjeve përfshin 2,397 arrestime dhe 997 efektivë të forcave të rendit të plagosur, shtatë prej tyre në gjendje të rëndë.
Organizatorët kanë paralajmëruar një tjetër valë demonstratash për të shtunën, më 24 tetor. Parisi ka zgjatur masat e kufizimit të lëvizjes deri të hënën, ndërsa në disa qytete të tjera, përfshirë Lionin, Marsejën dhe Nicën, janë shpallur ndalime të plota të protestave.
Takimi i Macron me përfaqësuesit e nxënësve zhvillohet në një moment vendimtar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse dialogu do të sjellë përgjigje konkrete ndaj kërkesave të tyre apo do të pasohet nga protesta të tjera.
