Frika e mazhorancës nga arrestimi i ish-ministrit Tahiri. Çfarë dosjesh ka Saimiri?
-Ish-ministri i Brendshëm, nëse arrestohet, do të bëjë atë që thotë me nënkuptime kur deklaron: “Nuk keni parë gjë akoma”. Duhet pranuar se ish-ministri është i frikshëm për politikën pasi di dhe ka ruajtur shumë gjëra, të cilat po i nxori do plasi keq në publik.
-Burime diplomatike tregojnë se Kancelarja Merkel ka qenë e prerë me kryeministrin Rama, duke i thënë se nuk të mbrojë dot në parlament dhe as te partnerët europian nëqoftëse nuk dorëzon ish-ministrin tënd para drejtësisë.
Një ditë pas vizitës në Gjermani të Kryeministrit Edi Rama është zbardhur arsyeja kryesore se përse Kancelarja, Angela Merkel nuk tha “po” për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Ato që nuk i përmendi Kancelarja në konferencën për shtyp me kryeministrin shqiptar, duke ia ruajtur nderin në publik Ramës, i ka thënë troç ministri i kabinetit të qeverisë gjermane, Michael Roth. “Deutsche Ëelle”, agjencia shtetërore e lajmeve gjermane, shkruan se ministri gjerman për Europën, Roth “nuk harroi t’i kujtonte mikut të tij socialist (Ramës), se reforma gjyqësore pa një proces kundër ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, nuk mund të bëhet. Ndaj duhet filluar procesi gjyqësor kundër ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri për të dëshmuar kështu se pavarësia e gjyqësorit me të vërtetë funksionon”. Kërkesa e Michael Roth është bërë gjatë darkës që delegacioni shqiptar ka zhvilluar në Berlin me përfaqësues të partisë Social Demokrate gjermane. PSD gjermane dhe PS-ja shqiptare janë pjesë të internacionales socialiste dhe kërkesa që i është bërë Ramës është servirur edhe si kritikë miqësore për qeverinë shqiptare. Ndërkohë që qëndrimi i qeverisë gjermane ndaj çështjes “Tahiri” për përzierjen e PS-së, bile futja e hundëve, në hetimin e prokurorisë ka qenë edhe më i ashpër. Burime diplomatike tregojnë se Kancelarja Merkel ka qenë e prerë me kryeministrin Rama, duke i thënë se nuk të mbrojë dot në parlament dhe as te partnerët europian nëqoftëse nuk dorëzon ish-ministrin tënd para drejtësisë, gjë që u ndje edhe dje në Rinas kur fliste Edi Rama, ku kuptohej sikleti i tij kur i përmendej emri “Tahiri”.
Deri pa mbërritur në Tiranë, qeveria dhe kryeministri u munduan të mos e përmendin në asnjë rast çështjen Tahiri. Por pasi kërkesa gjermane u bë fakt i kryer edhe nga ministri për Europën Michael Roth, Edi Rama u detyrua të pranoj në konferencën e dhënë për mediat se çështja “Tahiri” ishte ngritur në bisedimet me palën gjermane. “Është bërë një pyetje në Komisionin e Çështjeve evropiane dhe pozicionin tonë në këtë proces. Pyetje që sigurisht, ka pasur të bëjë në thelbin e shqetësimit të vet dhe me baltën e eksportuar atje dhe me tregimin e deformuar të kësaj historie. Por ne kemi qenë në Gjermani dhe jo në Venezuelë, ku të na kërkohet që të kapim dikë dhe ta çojmë para drejtësisë, sepse kjo është një çështje e Drejtësisë dhe këtë në Gjermani e dinë që kur marrin qumështin e nënës”, përfundoi kryeministri. E thoshte këtë togfjalësh dhe një sëkelldi i përzihej kryeministrit nga mënyra se si flite pasi vetëm ai e di mjaft mirë se çfarë i ka vënë kusht pala gjermane para votimit për statusin në BE. Sajmiri Tahirin me pak fjalë ai e ka shitur në Berlin, pasi nuk ka asnjë shteg më ku të lëvizë pa e dërguar para drejtësisë ish-ministrin e tij. Problemi duket se mbetet frika në qeveri se çfarë do të thotë Sajmir Tahiri, i cili për hir të së vertetës nuk ka qenë “ministër pilafi”, por i plotfuqishëm me lejen e Edi Ramës. Pavarësish retorikës së kryeministrit për t’ia ulur rëndësinë çështjes “Tahirit”, fakti që një ministër i kabinetit gjerman thotë hapur se çfarë i është kërkuar Edi Ramës nuk lë më vend për dyshime. Për politikën gjermane qëndrimi i PS dhe qeverisë ndaj çështjes “Tahiri” është një sinjal që vë në pikëpyetje gjithë reformën në drejtësi. Ndaj dhe institucionet gjermane kanë kërkuar hapa konkret në këtë drejtim dhe i është kohë qeverisë deri në qershor për të vepruar. Edi Rama u mbrojt dje ndaj kësaj kërkese me deklaratën se nuk është qeveria ajo që arreston. Në këtë pikë, logjika është e drejtë. Por kërkesa gjermane është që qeveria të mos e mbrojë më politikisht Tahirin nga drejtësia, sepse procesin e mëtejshëm e vendosin gjykatat. Rrëzimi i kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Tahirit është prova më e qartë në sytë e ndërkombëtarëve për mbrojtjen politike të ish-ministrit dhe ndaj qëndrimi gjerman ishte kaq i ashpër këto ditë.
Tashmë Edi Rama duhet të zgjidhë dilemën kryesore për procesin e integrimit. Të heq dorë nga mbrojtja politike ndaj ish-ministrit, ose në qershor do të marrë një përgjigje refuzuese për çeljen e negociatave. Është një dilemë jo e lehtë për shkak se me fatin e ish-ministrit të Brendshëm janë të lidhura shumë fije të tjera në qeveri dhe në PS. “Dorëzimi” i Tahirit nga qeveria, i hap rrugën një skenari që përflitet prej muajsh në Tiranë. Ish-ministri mund të bëjë atë që e thotë në mënyrë direkte dhe me nënkuptime kur deklaron: “Nuk keni parë gjë akoma”. Duhet pranuar se ish-ministri është i frikshëm për politikën pasi di dhe ka ruajtur shumë gjëra, të cilat po i nxori do plasi keq në publik. Skandale, video, regjistrime, dokumenta, foto, etj. PS-ja me pranga nga halli, kurse ai me sulme që do të dërmojnë qeverinë. Por publiku duhet ti shoh e ti dëgjojë!
Ish-ministrin Tahiri po e dorëzon me zor PS-ja dhe kryeministri. Ndryshe nuk ka negociata.