Frika e një konflikti të armatosur Serbi-Kosovë sjell reagimin e NATO-s: Prishtina të shmangë hapat e njëanshëm

-Zëri i Amerikës-

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Prishtinës zyrtare që të shtensionojë situatën në veriun e Kosovës dhe të shmangë “hapat e njëanshëm destabilizues”.

Sekretari Stoltenberg tha se ka biseduar me shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas tensioneve të së premtes në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen tani në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si rrugë e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtensionojë situatën dhe mos të ndërmarr hapa të njëanshëm, hapa destabilizues. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi ai në rrejtin Twitter.

Grupe qytetarësh serb u përplasën të premten me policinë e Kosovës e cilado ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe të hyjnë në zyrat e tyre. Situata duket e qetë të dielën në veriun e vendit, ndërsa forca të të policisë po qëndrojnë pranë ndërtesave të komunave Zveqan, Zubin Potok e Leposaviç. Zhvillimet e së premtes nxitën reagime të ashpra nga Beogradi zyrtar dhe diplomacia perëndimore.

Njohës të zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se krizat e njëpasnjëshme në veri dëmtojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Sikur edhe njëra palë edhe tjetra po kanë frikë të gjejnë zgjidhje, po kanë frikë nga një zgjidhje finale e cila mund të jetë pak e dhimbshme por do të jetë zgjidhje finale, dhe në vend të kësaj po duan që të zvarrisin zgjidhjen e të krijojnë situata dhe të shkaktojnë tensione të panevojshme dhe frustrim te qytetarët”, tha për Zërin e Amerikës analisti Rrahman Paçarizi.

“Ajo që po ndodhë aktualisht i dëmton marrëdhëniet e autoriteteve me popullatën lokale. Në vend që të ketë këmbëngulje për dialog politik, tani forca të rënda të policisë janë dërguar në komunat veriore, dhe kishte një përgjigje të banorëve lokal të cilët qëndruan para policisë dhe kërkuan përgjigje të caktuara të cilat duhet në fakt të jepen nga politikanët dhe jo nga policia”, tha analisti nga Mitrovica e Veriut, Miodrag Miliçeviç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, urdhëroi të premten trupat serbe të viheshin në “gjendje të lartë gatishmërie” dhe lëvizjen e tyre drejt kufirit me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Miodrag Miliçeviç nga organizata joqeveritare në veri të Mitrovicës, AKTIV, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se zgjidhja për shtensionimin e kësaj situate duhet të gjendet në dialogun politik.

“Në linjë me këtë tërheqja e njësive të posaçme të policisë, me duhet ta theksoj këtë, njësitë e posaçme duhet të kthehen në bazat e tyre dhe të zëvendësohen me forca të rregullta policore. Kjo në mënyrë të menjëhershme do të kontribuonte në zbutjen e krizës aktuale e cila fatkeqësisht ka rrezik të përshkallëzohet”, tha ai.

Diplomacia perëndimore përfshirë Shtetet e Bashkuara dënuan veprimet e qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri.

Blinken: SHBA dënon ashpër veprimet e qeverisë së Kosovës në veri, ato minojnë përpjekjet e Perëndimit drejt normalizimit

Njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi i tha Zërit të Amerikës se reagimi ndërkombëtar është fatkeqësi që i ka ndodhur Kosovës nga pamaturia politike. Ai tha se Kosova nuk duhet as në mënyrë deklarative të dëmtojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, sepse dobëson pozicionin e vet në dialog dhe në planin ndërkombëtar në tërësi.

“Unë nuk pajtohem me ata patriotët e rinj të cilët mendojnë se Kosova duhet të sillet si shtet sovran që nuk ka nevojë për çdo gjë t’i pyes Shtetet e Bashkuara, apo nuk jam me ata që thonë se Kosova më në fund duhet të ecë me këmbët e veta. Nuk ka thuajse asnjë shtet në botë i cili është krejtësisht sovran, të gjitha shtetet e kanë të ndërlidhur funksionimin e sovranitetin me aleatë të tjerë. Në fund të fundit kështu funksionon bota me konstalacione, mos të ishin këto konstalacione Kosova nuk do të ishte e pavarur”, tha zoti Paçarizi.

Kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kundërshtohen nga serbët dhe përfaqësuesit politik të tyre, të cilët bojkotuan këtë proces zgjedhor.

Udhëheqësit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, kërkuan të shtunën që Serbia të pezullojë të gjitha negociatat me qeverinë e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.

 

SHKARKO APP