FRPD dhe LRI: Të shtunën rrethojmë kryeministrinë deri në dorëheqjen e Ramës

-Floida Kërpaçi, kryetare e LRI: Kryeministri Rama mos të guxoj të përdorë ditën e shtunë segmente kriminale të forcave policisë kundër të rinjve dhe të rejave, se do përfundojë shumë keq.

-Belind Këlliçi, kryetar i FRPD: Ne nuk do ikim nga rrethimi i kryeministrisë derisa të largohet Edi Rama, jemi shumë të vendosur të qëndrojmë aty, ditë-natë. Do ta largojmë me hir apo pahir atë ditën e shtunë.

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi po mbyllin deri ditën e premte takimet nëpër Shqipëri, ku po takojnë strukturat, qytetarë të thjeshtë dhe militantët për të ardhur ditën e shtunë në Tiranë që të rrëzojnë përfundimisht kryeministrin Rama. Ndërkohë dje nga Lezha kryeministri ironizoi liderin e PD-së duke thënë se ai po kërkon të më takojë mua pas protestës! Kjo deklaratë është një diversion ndaj demokratëve. Lulzim Basha e bëri njëherë gabimin me 18 maj 2017 dhe nuk ka shans të dytë për takim, por veçse rrëzim me të gjitha format dhe metodat që njeh Shqipëria, kështu të thonë në selinë e PD-së. Basha ka bërë thirrje gjithë këto ditë që ditën e shtunë fjalën e ka populli e jo drejtuesit e partive politike. Basha ka thënë se “me 16 shkurt do vendos populli”.

Po kështu edhe Monika Kryemadhi më e vendosur se kurrë që ditën e shtunë do ketë një numër jashtëzakonisht të madh protestuesish në Bulevard e përpara kryeministrisë dhe se këtë herë do ta rrëzojnë kryeministrin. Sondazhet e dy partive si dhe partive të tjera opozitare tregojnë se do ketë numër rekord njerëzish ditën e shtunë. Por skenarët janë të shumtë për protestën, ndërkohë që dy drejtuesit e formacionëve politike rinore, Belind Këlliçi dhe Floida Kërpaçi të intervistuar nga “Koha Jone” janë shprehur se rinia demokrate dhe ajo e LRI do jenë në frontin e parë të përballjes me njërëzit e kryeministrit dhe nëse guxojnë të përdorin dhunë apo forma të tjera kundër protestuesve, fundi i kryeministrit do të jetë katastrofik. FRD dhe LRI ka krijuar një listë me të rinjtë e tyre me të vendosur, të cilët do jenë që në fillim në vijën e parë, ndonëse nuk përjashtohen edhe qytetarët e tjerë të revoltuar, të cilët mund të konfrontohen me policinë, kur ajo të përdor dhunën, dhunë e cila dihet se kur fillon, por nuk dihet se si mbaron, të thonë dy drejtuesit e FRD dhe LRI.

Rrethimi i kryemistrisë do jetë variant pothuaj final, gjë që do të pritet të shikohet nëse Edi Rama dhe Sandër Lleshi do të urdhërojnë përdorimin e forcës policore për të mos lejuar rrethimin e kryeministrisë.Vendimi opozitar është bërë i ditur që dje se do jetë krijimi i një qeverie tranzitore e cila  do të marrë fatet e vendit për të negociuar me BE për marrjen e statusit në qershor si dhe krijimi i kushteve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet vendore. Opozita nuk pranon të futet me kryeministrin Rama në zgjedhje dhe e quan atë simbol të krimit dhe mafias në Shqipëri. Kjo akuzë si dhe faktet korruptive të dhëna nga Zëri Amerikës ku dolën se si blihen votat për llogari të PS, kanë sjellë zemërim popullor në rritje.

FRD dhe LRI do përballen me policinë në anën mes kryeministrisë dhe hotel Rognerit, mes kryeministrisë dhe QNK si dhe pas kryeministrisë për të mbyllur rrethimin e krejt godinës së kryeministrisë dhe për ta detyruar Edi Ramën të mos futet në zyrën e tij deri në dhënien e dorëheqjes. Ndërkohë dje policia e shtetit me urdhër të kryeministrit paralajmëroi trazira ditën e shtunë, duke aluduar se do të ketë përplasje civile dhe të dhunshme. Opozita reagoi fort dje duke akuzuar Edi Ramën se po përgatit elementë të dhunshëm për llogari të tij që të djegin godinën e kryeministrisë. Mësohet se FRD dhe LRI do jenë të organizuar më së miri për të mos lejuar elementët e grupëve kriminale, të futur nga qeveria, që të njollosin opozitën dhe popullin e revoltuar, të cilët duan dorëheqjen e kryeministrit e jo trazira të dhunshme.

Drejtuesit e opozitës kanë vendosur se dita e shtunë do jetë përballje finale me Edi Ramën dhe se asnjë tratativë më të nuk do të pranojnë, por veçse dorëheqje të tij dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Nga ana e saj qeveria do të angazhojë mbi 7 mijë trupa policore, bile flitet se do përdorë edhe forcat e ushtrisë të veshura si policë./A.Marku/

SHKARKO APP