Fundjavë dasmash politike: Sot PS, nesër PD. Njëra me “nuse” dhe tjetra pa “nuse”
Nga Qamil Xhani.
-Edi Rama mbledh Asamblenë Socialiste, kurse Lulzim Basha thërret Kuvendin Kombëtar. Njeri për “sukseset” në qeverisje dhe tjetri për shkatërrimin e “grupëve armiqsore”.
Kjo fundjavë do të jetë e mbushur me aktivitete politike dasmore. Partia Demokratike ka paralajmëruar me kohë, për këtë të dielë, mbledhjen e Kuvendit Kombëtar për të miratuar ndryshimet në statut që praktikisht i japin Lulzim Bashës mandatin e kryetarit të “përjetshëm”.
Dje në një njoftim surprizë, Partia Socialiste njoftoi mbledhjen urgjente të Asamblesë Kombëtare për një analizë të plotë të sukseseve në vitin e pestë të qeverisjes. Se çdo një analizë e tillë nuk ka asnjëri që e kupton, por duket se do jetë një lojë “dasme” për të spostuar vëmëndjen nga pritja e ftohtë në Gjermani, ndonëse mbrëmë ia ngrohu zemrën paska qeverisë takimi i Presidentit francez me ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj.
Në çdo vend me demokraci normale mbledhjet e forumeve drejtuese të partive të mëdha që kanë në dorë qeverinë apo opozitën e vendit janë një moment reflektimi. Në podiumet e sallave të mbledhjeve të tilla hidhen ide, diskutohen modele ekonomike, reforma, ka debate, bile edhe sherre që kanë të bëjnë me jetën e brendshme të partive. Por këto takime nuk kthehen në “dasma politike”, me zhurmë e muzikë, siç do na e shkatërrojnë këtë fundjavë duke qenë live në televizione, në rrugë apo bare. Flasim për një vend normal demokratik. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Aktivitete të tilla partiake serviren si “dasma” dhe ahengje, ku kryetarët rrëfejnë sukseset personale dhe në fund heqin qafe ndonjë rival që kanë nëpër këmbë duke treguar muskujt. Të tilla ngjajnë dhe aktivitetet e programuara nga PS dhe PD në këtë fundjavë, që duket sikur e kanë rregulluar axhendën që t’i bëjnë karshillik njëra-tjetrës.
Po bën “dasëm” ti, e pse të mos e bëjë edhe unë para teje?!
Kështu përkthehet kjo fundjavë në Tiranë, ku sot fillon “dasmën” Edi Rama, kurse nesër e bitis Lulzim Basha. Një histori sa komike, edhe tragjike se si tallen me njerëzit të dyja palët e politikës së vjetër. Partia më e madhe në opozitë nuk ka shumë gjëra për të festuar të dielën. Që nga dalja në opozitë në vitin 2013 numëron vetëm humbjet e njëpasnjëshme. Rruga e Bashës në opozitë ka kaluar vetëm nëpër sfidën sesi të menaxhojë humbjet elektorale. Por, pas sherreve të vazhdueshme Basha duket se e ka gjetur zgjidhjen që të mos shqetsohet për betejat e radhës. Me ndryshimet e fundit statutore, kryetarit të PD-së nuk i rrezikohet më mandati, edhe nëse nuk e çon partinë në fitore. Emrat që mund të ishin konkurrentë të tij për postin në PD prej muajsh janë larguar. I vetmi që do përfaqësojë mendimin ndryshe është i përhershmi Eduard Selami, që del në media sa herë Basha ka një hall të madh. Ky Kuvend i PD mund të ishte një shans i mirë për Bashën që të bashkonte partinë. Duke afruar kritikët dhe ata që akuzojnë për dështimet në PD, Basha mund t’i vinte në provë duke i sfiduar që të japin kontribut për partinë. Kaq energji sa harxhohet në PD me sherre kundër njëri-tjetrit nëse do të ishte organizuar kundër qeverisë, sidomos me skandalet e fundit, do e kishte rritur peshën politike të selisë blu. Por jo, në vend të kësaj hapje strategjike të PD, Basha zgjodhi të bëjë gabimet që bëjnë gjithë politikanët shqiptarë sipas sloganit shqiptar: “Partia është e imja dhe drejtoj si dua unë”. Ndaj dhe Kuvendi i të dielës është më shumë Kuvendi i Bashës, sesa kuvendi i PD. Kostoja për suksesin apo dështimin është e Bashës, vetëm se këtë herë, me ndryshimet në statut, demokratët nuk kanë kujt t’i kërkojnë llogari. Ndaj do jetë si një “dasëm”, ku krushku i parë do jetë Basha, por “nuse” (fitore) nuk marrin edhe për disa vite. Por ama do hanë e do pinë!
Ndryshe ndodh më PS. Pas pesë vitesh në qeveri dhe me “tepsinë” në dorë socialistët duhet të ishin entuziastë, por në fakt në PS nuk ka festë. Shija e pushtetit dhe kënaqësia e “tepsisë” prej kohësh është zëvendësuar me makthin e skandaleve dhe luftën që sapo ka nisur brenda llojit. Edhe me ankthin e arrestimeve të kërkuara nga BE dhe SHBA brenda stanit socialist. Në pesë vite numri i mëkateve dhe skandaleve ka tejkaluar sukseset imagjinare. Sinjalet nga BE dhe SHBA tregojnë se po afron dita e llogarive dhe në PS pyetja që bëhet më shpesh është se kush do të jetë “kurbani” i radhës. Gjithçka sillet rreth emrit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit. Por këtu nis dhe dilema e fundit socialiste. Të gjithë e dinë se Saimir Tahiri nuk është i vetmi dhe ai thotë se nuk ndërmend të bëhet “kurban” për gjithë PS, pa marrë me vete shumë të tjerë në rrugën ku është nisur.
Ky është makthi i socialistëve këto ditë, të cilin duan ta kthejnë në një “dasëm” me zhurmë e hare. Edi Rama dhe PS do të flasin për sukseset e qeverisë, reformat e madha, rritjen ekonomike dhe integrimin në BE, si dhe përgatitjen e strukturave partiake për zgjedhjet e ardhshme. Do jetë një show me fjalime për sukseset imagjinare, por jo për problemet reale të PS dhe qeverisë.
Edhe kjo “dasëm” ka krushk të parë Edi Ramën, por për dreq këta e kanë “nusen”, pra qeverisjen. Në darkë kanë ku flejnë!
Ndaj sot dhe nesër kemi dy “dasma”. Një me “nuse” dhe tjetra pa “nuse”, ndërsa populli mbetet me gisht në gojë.