Berisha deklaron: Do kandidoj prapë për kryetar i PD! Kujt t’ia mbajë le të kandidojë
Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit pritet të ndezë debat të fortë brenda Partisë Demokratike. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se do të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme për drejtimin e partisë, duke iu përgjigjur deklaratave të deputetit demokrat Besart Xhaferri, i cili kishte kërkuar largimin e tij nëse “nuk provohet farsa zgjedhore e 2025-s”.
Në një prononcim për gazetarët, Berisha theksoi se “farsa tashmë është faktuar nga raporti i OSBE/ODIHR-it”. “Së pari, cilido që lexon raportin paraprak të OSBE-ODIHR dhe ka kulturën minimale në të drejtën elektorale, kupton se zgjedhjet kanë qenë farsë. Janë zhvilluar në kushtet e partisë-shtet, e thotë këtë rekomandimi i Këshillit të Europës. Janë zhvilluar në kushte të pabarabarta, e thotë raporti paraprak i OSBE-ODIHR”, deklaroi Berisha.
Lideri demokrat theksoi se çdo anëtar i partisë është i lirë të shprehë mendimin e tij, por interpretimi i statutit duhet të bëhet drejt: “Statuti bën fjalë për zgjedhje, e jo për farsa. Dhe tani që ta mbyllim këtë punë, do të jetë anëtarësia e PD-së që do të bëjë interpretimin përfundimtar. Do të ketë një garë të hapur për kryetarin e PD-së. Sigurisht që do të jem pjesë e saj.”
Deklarata e Berishës vjen në një moment të ndjeshëm për opozitën, e cila ende nuk ka dalë me një analizë të plotë për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Ndërkohë, në radhët e demokratëve po shtohen zërat për një proces të hapur reflektimi dhe përfshirjeje të figurave të reja në drejtimin e partisë. Por deklarata e Berishës se ai do të kandidojë, nuk jep asnjë shpresë se PD do të rinovohet.
Pra Berisha kryetar opozite derisa sa Zoti të duket mbi Selinë Blu dhe Edi Rama kryeministër sa të jetë doktori në krye te PD!
KOHA JONË SONDAZH

