Gjergj Luca, politikanëve: Do zgjidhni turpin që latë në parlament apo udhëtimet luksoze të festave me paratë e taksave tona?
Reagon Gjergj Luca ndaj situatës konfliktuale që sot ka precipituar nga dhuna në Kuvend, një situatë me të cilën ai është përballur sapo është kthyer nga Afrika e Veriut, ku zhvilloi një tur që nuk kishte vetëm karakter ballafaques mbi gjurmët e rrënjëve shqiptare në Libinë e largët, por edhe një dimension praktik, njohjen nga afër të realiteteve atjeshme dhe eksplorimin e mundësive konkrete për shtrirjen e bashkëpunimit ekonomik e sipërmarrës.
Si gjithnjë, edhe këtë herë, Luca zgjedh ta komunikojë reagimin e tij përmes ironisë dhe sarkazmës, me atë gjuhë të drejtpërdrejtë, popullore dhe therëse, me të cilën ai jo vetëm që identifikohet, por edhe kuptohet më qartë nga publiku. “E patë, more, se si deputetët e Kuvendit zihen me karrige për hallet dhe dertet e popullit”, shprehet ai, duke ekspozuar kontrastin brutal mes retorikës së përfaqësimit dhe realitetit të sjelljes politike.
“O ju që punoni…”, vijon Luca në videon e tij, “…me taksat tona, me lekët tanë i kanë bërë shtëpitë në bregdet, me lekët tona i kanë bërë vilat në mal, me lekët tona i kanë marrë, i kanë shndërruar në lingota floriri dhe kanë blerë poshtë e lart.” Një akuzë e formuluar pa dorashka, që godet drejtpërdrejt perceptimin e padrejtësisë sociale dhe shpërdorimit të besimit publik.
“Fundja, neve na ka rënë kokës”, thotë ai më tej, duke aluduar se kjo kulturë konfliktualiteti dhe kjo prirje për të kërkuar zgjidhje përmes dhunës po minon themelet më elementare të shoqërisë: besimin te puna, te përpjekja e ndershme, te e vërteta si vlerë orientuese dhe te shpresa për një të nesërme evropiane të Shqipërisë. Në këtë panoramë, dhuna institucionale nuk shihet thjesht si akt i izoluar, por si simptomë e një krize më të thellë morale dhe politike.
Në këtë videomesazh, me një ton sarkastik por edhe thellësisht të angazhuar, Luca flet si sipërmarrës që ka kaluar një jetë të tërë duke u përpjekur pa reshtur, duke punuar orë e pa orë, për ta kthyer të pamundurën në të mundur; për të ndërtuar nga hiçi shanse reale punësimi, mirëqenie dhe progres ekonomik. Zëri i tij nuk është thjesht kritik, por edhe dëshmi e një etike pune që ndjehet e fyer dhe e tradhtuar nga spektakli i dhunës dhe papërgjegjshmërisë.
Në mbyllje, duke e çuar ironinë në kulm, ai shtron një pyetje që tingëllon si aktakuzë: ju që “ziheni” për hallet dhe dertet e këtij vendi, duke e kthyer Kuvendin e Shqipërisë përmbys për t’i thënë popullit se po punoni, ku do t’i kremtoni festat e fundvitit me familjet tuaja? Në cilin kryeqytet të Evropës apo të botës? Pyetje që mbetet pezull, si një pasqyrë e hidhur e ndarjes mes fjalës publike dhe jetës private të pushtetit.
Në këtë kontekst ai shkruan: “I pyes këtë fundviti politikanët tanë: do zgjidhni turpin që latë pas në parlament apo udhëtimet luksoze të festave me paratë e taksave tona?
Dhe përgjigjen më të bukur e japin vetë ata kur kafshohen me njëri-tjetrin si qenie të tërbuara!”
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH
Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?
Results
Vota totale: 12274

