CDU:800 gjyqtarë dhe prokurorë do i nënshtrohen procedurës së verifikimit

Zëdhënësi për politikën e jashtme të këtij grupi parlamentar, Jurgen Hardt theksoi se reforma në drejtësi është prioriteti kryesor, ndërsa ka shprehur shqetësimin edhe për krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.

Në deklaratën zyrtare të grupit parlamentar ku bën pjesë dhe partia e Kancelares Angela Merkel, kërkohet gjithashtu që të largohen nga Parlamenti apo nga funksione të tjera zyrtare personat me të shkuar kriminale, ndaj të cilëve ka urdhër-arresti apo që rezultojnë të dënuar.

Deklarata e grupit më të madh parlamentar në Bundestag, CDU-CSU:

“Shqipëria aspiron që të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Gjermania ka theksuar mbështetjen e saj në mënyrë të përsëritur. Megjithatë, vendi duhet të përmbushë të gjitha kriteret për anëtarësim. Për miratimin nga Gjermania, grupi parlamentar CDU-CSU në Bundestag ka përcaktuar një listë me prioritete.

Kërkesa kryesore është zbatimi i plotë i reformës në drejtësi, tashmë i miratuar. Vetëm atëherë mund të sigurohemi se gjyqtarët janë profesionistë dhe me integritet. Në këtë kontekst është e domosdoshme që rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë do t’i nënshtrohen procedurës së verifikimit. Nëse rezultojnë të korruptuar, nuk do të miratohen që të qëndrojnë në sistemin gjyqësor. Pasuria e tyre duhet të verifikohet gjithashtu.

Grupi CDU-CSU shpreh shqetësimin edhe për përparimin e ngadalshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Para se BE të miratojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, prodhimi dhe trafiku i drogës në vend duhet të ulet në mënyrë dramatike.

Gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga ndikimet politike dhe të mos jetë objekt i asnjë kontrolli politik.

Asnjë mandat deputeti apo zyrtari të qeverisë nuk duhet të ekzistojë nëse ndaj tij ka urdhër-arresti apo tashmë është dënuar.

Të tjera pika në listën e prioriteteve janë reforma në sistemin zgjedhor dhe administratën publike, respektimi i të drejtës së pronës dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Shqipëria nuk duhet të pësojë rënie në rrugën drejt Bashkimit Europian. Para se Bundestagu të jetë dakord për hapjen e negociatave, duhet të plotësohen shumë kushte. Megjithatë, Shqipëria mund të mbështetet kurdoherë në përkrahjen e Gjermanisë dhe të grupi parlamentar CDU-CSU”.

SHKARKO APP