Gjermani Gunther “tërbon” Qeverinë

Gunther Krichbaum është një deputet gjerman që ka ndezur këto ditë sherrin e fundit mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri. Në Gjermani ai është Kryetari i Komisionit të Çështjeve të BE-s në Bundestag, pra njeriu kyç që mban marrëdhëniet mes BE dhe politikës gjermane. Është deputet i partisë së Kancelares Angela Merkel dhe në median europiane cilësohet si politikani më besnik i saj. Kur mediat në Bruksel apo gjetkë duan të dinë se cili është qëndrimi i Angela Merkel, në jo pak raste u referohen qëndrimeve të deputetit të Bundestagut gjerman për të kuptuar lëvizjet diplomatike të Kancelares.

Gunther Krichbaum Tiranën ka vizituar disa herë dhe mbahet mend për kritikat e forta e gjuhën e drejtpërdrejt kundër krimit, reformave të munguara dhe keqqeverisjes së Edi Ramës. Në situata krizash politike në Tiranë, mesazhet e tij vijnë nëpërmjet radios shtetërore gjermane “Deutsche Ëelle”, ku së fundi ka folur për mosarrestimin e Saimit Tahirit dhe për shanset e pakta të Shqipërisë për të marrë çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Pikërisht këto deklarata të deputetit gjerman janë pasuar me një stuhi sulmesh “nën brez” ndaj tij. Fillimisht ishin deputetë të PS-së që në media deklaruan se në Gjermani ka deputetë të veçantë që po punojnë kundër çeljes së negociatave, duke nënkuptuar Gunther. Nuk munguan dhe etiketimet me emër ndaj tij, si njeriu që është kundër integrimit të Shqipërisë. Këto akuza PS i lidh dhe me një tjetër fakt. Mes politikanit gjerman dhe PD ka kontakte të shpeshta për shkak se PD dhe CDU janë pjesë e Partive Popullore Europiane. Kaq ka mjaftuar dhe sipas PS-së, Gunther Krichbaum nuk po ndjek politikën gjermane, por atë të Lulzim Bashës. Por deri në këto akuza jemi brenda lojës së politikës shqiptare. Limiti u kalua katër ditë më parë, kur disa portale, që dihen se financohen nga segmente të qeverisë, nisën publikimin e një serie shkrimesh jo etike kundër politikanit gjerman. Artikujt, thuajse të gjithë të shkruara nga e njëjta dorë, hedhin akuza dhe aludime që e kalojnë masën. Më pak fjalë, sipas këtyre medieve, Gunther Krichbaum paguhet nga Rusia për të dëmtuar politikën e brendshme gjermane, gjithashtu ai paguhet edhe nga PD-ja e Bashës për të bllokuar integrimin e Shqipërisë. Dhe në fund, portalet në Tiranë “zbulojnë” se deputeti gjerman është i përfshirë dhe në një histori trafikimi fëmijësh! Kjo ishte e rëndë, bile e ndyrë, pasi mund ta sulmosh apo urresh një politikan, por nuk mundet kurrsesi të gënjesh e sajosh se merret me trafikë fëmijësh.

Shkrimet “fake news” të sponsorizuara dhe kopjuara më pas në media të tjera serioze të majta nuk vlejnë për t’u analizuar nga ana e fakteve. Duket hapur se është një sulm i sponsorizuar. Fakti është se jehona e lajmeve të rreme shqiptare këtë herë arriti deri në Berlin dhe Bruksel. Arsyeja nuk ka të bëjë me “lajmet”, por sponsorizimet e këtyre shkrimeve të poshtra, gjurmët e të cilave, sipas PD dhe disa eurodeputetëve të çojnë të qeveria “Rama”. Dje Lulzim Basha akuzoi direkt Edi Ramën si njeriun që qëndron pas këtij sulmi ndaj deputetit gjerman. Basha tha se me këto veprime jo etike, Edi Rama po bën që në Berlin të shtohet numri i deputetëve që janë kundër çeljes së negociatave më Shqipërisë. Po dje shtypi gjerman shkruante për krijimin e një grupi të veçantë në Budestag që do të shohë me më shumë vëmendjen përmbushjen e kritereve të Shqipërisë për negociatat. Ish-eurodeputetja dhe kryetare e forumit të gruas në PPE, Doris Pack akuzoi personalisht Edi Ramën për sponsorizimin e sulmeve ndaj politikanit gjerman. “Rama mendon për të tjerët se janë në kategorinë e tij: të gjithë mund të blihen e shiten. Turp për të dhe gazetarët që përhapin shpifjen”,- tha Doris Pack.

Situata e krijuar detyroi Edi Ramën që të ulet dhe të shkruaj një letër të gjatë publike. Letra ishte hartuar si përgjigje ndaj Lulzim Bashës, por më shumë ngjante si një shpjegim ndaj palës gjermane për atë që ka ndodhur. Kryeministri Edi Rama nuk e fsheh që me gjermanin Gunther Krichbaum ka pasur mosmarrëveshje. Madje, kryeministri shkruan se ia ka thënë në sy mospajtimin me kritikat që Krichbaum i ka bërë qeverisë së tij. Lidhur me shkrimet e rreme, Rama thotë se si kryeministër nuk mund të mbajë përgjegjësi për ato që shkruajnë portalet anonime në Tiranë.

Megjithatë dyshimet janë se dikush afër qeverisë ka orkestruar portalet dhe mediat pranë qeverisë në këtë sulm histerik dhe të ndyrë për ta poshtëruar deputetin e rëndësishëm gjerman ose krahun e djathtë të kancelares Merkel për politikat europiane në parlamentin gjerman.

Javën që vjen kryeministri Rama do jetë në takim me Kancelaren gjermane Merkel dhe pritet të shikojmë reagimin e saj për negociatat.

Q.Xh.

SHKARKO APP