Gjermania frenon kryeministrin Rama
-Goditja gjermane ishte paralajmëruese. Ndaj duhet që kryeministri Rama të jetë me bashkëpunues me opozitën në tërësi e jo të përdorë fije të vjetra të padukshme vjeneze për pazare momentale. Kur fillon rrënimi dhe rrëzimi “fijet” biznesmeno-pazarpërfituese, ikin dhe fusin spinën te qeveria që po vjen.
Qeveria “Rama”, deri dje mund të thuhet se ka qenë e “përkëdhelur” nga ndërkombëtarët, ndonëse kanabisi pushtoi vendin dhe ku heshtën ambasadorët Lu e Vlahutin. Në rrugën e pesë viteve në pushtet ka pasur jo pak gabime, gafa dhe skandale që mund ta kishin vendosur në pozitë të vështirë. Në vend të kritikave dhe reagimeve të forta nga kancelaritë e huaja, çuditërisht ka marrë vlerësime edhe për reforma që nuk i ka përfunduar apo dhe për çështje që për opinionin publik në Shqipëri kanë qenë jo pozitive. Kjo ndodhi pasi ndërkombëtarët po zbatojnë parimin “Me mirë stabilitet se sa demokraci”. Pra kanë mbyllur sytë përballë shkeljeve sepse shikonin se si me dorë të fortë Edi Rama drejtonte Shqipërinë. Me sa duket e dijnë se pas fasadës së stabilitetit momental fshihet një destabilitet politik, dhe jo vetëm në Shqipëri.
Nga dje nuk mund të thuhet se qeveria “Rama” gëzon mbështetjen e fortë të ndërkombëtarëve. Deklarata e bërë nga Thorsten Frei, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Jashtme dhe Europën në Bundestagun gjerman, ishte një shuplakë e fortë për gjithë sukseset e qeverisë. Dhe kur godet gjermani, është sikur të ka goditur krej BE.
Raportuesi gjerman pasi zhvilloi takimet me qeverinë, opozitën dhe grupe të ndryshme interesi, i dërguari i Berlinit në Tiranë ka folur me një gjuhë të drejtpërdrejtë, si asnjë ambasador apo përfaqësues i Bashkimit Europian. Pa u ndalur shumë në stërhollime burokratike, Thorsten Frei ka thënë troç se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri duhet të ishte në burg. Sipas tij i takonte gjykatës të merrte përgjegjësinë nëse akuzat e prokurorisë ishin apo jo të vërteta dhe jo Partisë Socialiste. “E kam ndjekur me shumë vëmendje rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe se si është trajtuar ky rast nga pikëpamja politike. Nuk ka arsye se përse duhet të mbrohen persona të caktuar nga pikëpamja politike. Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë dhe për përgjegjësinë nuk përgjigjet politika, por organet e gjyqësore. Ky është një rast shumë i rëndësishëm para pyetjes se a është vërtetë Shqipëria në gjendje që të mos ndalet përpara personave të tillë?”,- tha deputeti gjerman. Me hapur se kaq nuk ka se si flitet, sepse ai flet në emër të parlamentit gjerman, aq me tepër që edhe kancelarja Merkel nuk është më në ato pozita të forta si dikur, kur mbështeste kryeministrin Rama. Edhe kancelarja e di tani se ka shumë probleme qeverisja shqiptare, ndaj është treguar e kujdesshme me kryeministrin muajt e fundit, pavarësisht se ajo zbaton etikën diplomatike.
Kjo deklaratë e bërë prej raportuesit gjerman, në kohën kur duket se çështja “Tahiri” është harruar për Partinë Socialiste, mbetet një goditje e fortë ndaj qëndrimit personal të Edi Ramës dhe qeverisë në mbrojtje të tij. Më hapur dhe qartë se kaq, asnjë ndërkombëtar nuk ia ka thënë në sy qeverisë se me mbrojtjen e ish-ministrit ka dëmtuar besueshmërinë e saj. Natyrisht që asnjë njeri nuk mund të shpallet i fajshëm pa një vendim gjykate të formës së prerë, por pengimi i hetimit të tij duke përdorur krejt hallkat shtetrore, ka bërë që raportuesi gjerman të mos rrijë pa folur hapur.
Kritika e dytë më e fortë e të dërguarit të Gjermanisë në Tiranë lidhet me luftën kundër drogës. Qeveria pretendon se pas largimit të Saimir Tahirit vitin e fundit e ka eliminuar problemin e kanabisit. Raportuesi për Shqipërinë shtron një pyetje të sikletshme për qeverinë e sotme. Në mënyrë direke ai thotë se duhet të verifikohet nëse kapja e sasive të mëdha të drogës tregon sukses, apo në vend është rritur kultivimi i drogës?
Kritika e tretë e fortë e politikanit gjerman lidhej me reformën në drejtësi. Sipas tij, nuk ka ende rezultate të mjaftueshme për goditjen e korrupsionit dhe kapjen e “peshqve të mëdhenj”. Në krahasim me raportin e BE për Shqipërinë të publikuar pak ditë më parë, deklarata e politikanit gjerman është një ‘dush i ftohtë’ për qeverinë “Rama”. Së pari, sepse bëhet nga një politikan që është dërguar në Shqipëri me mision vëzhgimi nga Bundestagu. Praktikisht raporti i tij do të jetë dhe në tavolinën e Kancelares Angela Merkel dhe të Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Gjerman. Vendimi i Gjermanisë për çeljen e negociatave varet nga Bundestagu dhe me këtë qëndrim të Thorsten Frei, gjasat janë të pakta që gjermanët të japin karton të verdhë paralajmërues, nëse situata nuk ndryshon në muajt në vijim. Së dyti, qëndrimi i politikanit gjerman është dhe një sinjal për vendet e tjera. Gjermania është “lokomotiva” e BE-së dhe nëse vendi kryesor që orienton politikat e gjithë BE paraqiti kaq rezerva ndaj qeverisë “Rama”, gjasat janë që zërat e vendeve të tjerë të shtojnë kritikat.
Goditja gjermane ishte paralajmëruese. Ndaj duhet që kryeministri Rama të jetë me bashkëpunues me opozitën në tërësi e jo të përdorë fije të vjetra të padukshme vjeneze për pazare momentale. Kur fillon rrënimi dhe rrëzimi “fijet” biznesmeno-pazarpërfituese, ikin dhe fusin spinën te qeveria që po vjen.
Q.Xhani