Gjermania kërkon kurban të madh nga radhët e zyrtarëve të PS
U nis për “embëlsirë”, por i thanë duam një kurban të madh nga radhët ish-ministrave dhe ministrave të tij.
Kryeministri Edi Rama u nis pardje në Gjermani me shpresa të mëdha se do të merrte një “po” të fortë për integrimin nga Kancelarja Merkel. Në dorë kishte rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave në qershor dhe bindjen se qeveria e tij është e suksesshme në sytë e Bashkimit Europian. I vetëdijshëm se rruga për në Bruksel kalon nga Berlini, kryeministri Rama nuk i kurseu lëvdatat ndaj kancelares Angela Merkel, teksa e krahasoi atë me Papën. Krahasimin me Papën ai e bëri kastile para takimit me Merkel, duke e mikluar. Por përfundimi i takimeve në Gjermani ngriti pikëpyetje për fatin e negociatave. Mesazhi i Kancleares Merkel ishte si një fjalëkryq për qeverinë shqiptare, ndonëse disa kuadrate kancelarja ua plotësoi duke shënuar se “duhet luftë kundër krimit të korrupsionit”. Natyrisht ajo nuk e kishte për opozitën, por për kryeministrin i cili ka vitin e pestë si drejtues ekzekutivi. Drejtuesja e qeverisë gjermane dhe praktikisht edhe e BE nuk tha “jo” për negociatat, por nuk tha as “po”. Në vend të përgjigjeve të qarta dha një mesazh me shumë kuptime, që mund të përkthehet; “Po mendohemi deri në qershor!”. Nëse ajo e kishte bindjen positive e kishte deklaruar prerë dhe pa iu dridhur syri. Ajo nuk ka pyetur për presidentin Trump e jo të kishte droje nga qeveria shqiptare. Por ajo informacione nga shërbime secrete gjermane se korrupsioni bën naming, asnjë ish-ministër apo ministër nga radhët e PS-së nuk është arrestuar, përveç ndalimeve nga opozita.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama, kancelaria Angela Merkel u shpreh se vendimi i Gjermanisë për Shqipërinë nuk është marrë ende. “Ka një numër parakushtesh për të hyrë në negociatat e pranimit. Shqipëria ka punuar tashmë shumë për disa gjëra. Ekzistojnë disa kushte për fillimin e negociatave të pranimit. Ne do të krijojmë në javët e ardhshme opinionin tonë përfundimtar nëse duhet të bëhet, në qoftë se ka tashmë mjaftueshëm përparim, për të diskutuar me pas me kolegët tanë evropianë”, u shpreh Merkel.
Deklarata mund të lexohet në mënyra të ndryshme, por ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin se për Gjermaninë nuk ka rëndësi çfarë thonë drejtuesit e Komisionit Europian. Raporti i KE-së nuk vendoste kushte, por kërkonte hapjen e negociatave. Nga leximi i deklaratës së Merkel del se Shqipëria ka ende gjëra për të bërë dhe qeveria gjermane nuk mjaftohet me një dokument pozitiv të zyrtarëve të Brukselit. Kaq mjafton për të kuptuar se festa që shpërtheu në Tiranë ditën që u dha rekomandimi nga KE ishte e parakohshme. BE ka institucione, por në fund vendimet i marrin qeveritë dhe qëndrimi i qeverisë gjermane ishte më shumë se “i ftohtë”. E vetmja pikë ku Merkel binte dakord me raportin e KE është procesi i reformës në drejtësi dhe vetingu. Por edhe këtu, Merkel nuk la vend për dyshime kur shtoi se “ne nuk i bëjmë favore askujt” dhe i kujtoi kryeministrit se duhet të diskutonin për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Unë vetëm mund ta inkurajoj Kryeministrin të vazhdojë në këtë rrugë. Ka fusha të tjera për të cilat do të flasim, sundimi i ligjit në përgjithësi, por edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”,- shtoi Kancelarja Merkel në konferencën për mediat.
Kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëronte e nisi rrugëtimin e lobimit për hapjen e negociatave nga Gjermania, vendi që ka peshën kryesore në BE. Mesazhet që i përcolli dje Merkel e bëjnë edhe më të paqartë vendimin e Këshillit të Ministrave të BE në muajin qershor. Nëse Gjermania, një vend që ka investuar këtu dhe ndjek nga afër reformat ende nuk është e bindur për Shqipërinë, çfarë qëndrimesh do të kenë Franca dhe Holanda që kanë më pak interesa në rajon? Por mbi të gjitha, qeveria ka një detyrë konkrete të përmbushë kushtet e Gjermanisë deri në 29 qershor. Nëse qeveria e shpalli të përfunduar çeljen e negociatave me marrjen e rekomandimit, Angela Merkel dje tha se do të verifikohet plotësimi i kritereve në ditët në vijim. Pyetje shtrohet se çfarë ka kërkuar në kushtet shtesë Gjermania? Detyrat e shtëpisë duhet ti jenë dorëzuar Edi Ramës në takimin “kokë më kokë” dhe lista e kushteve duket se nis që nga lufta e krimit të organizuar dhe deri te menutë me “peshq të mëdhenj”.
Një informacion i fundit tregon për “Koha Jone” se është marrë vendimi nga prokuroria (detyruar nga presioni i kryeministrit Rama prej dajakut Merkel) për arrestimin e tre ish-ministrave dhe një ministër aktual, si dhe po piqet hallva e fundit për ish-kryeprokurorin dhe ish-ministrin e brendshëm.
Janë në listë ndalimi tre kryetarë bashkishë. Që të gjitha arrestimet para fundqershorit.