Gjirokastra duhet të ketë aeroportin e saj. E ka patur që në vitin 1929
E renditur si një ndër qytetet më të bukura, e cilësuar nga turistët si një ndër qytetet më të veçanta, Gjirokastra përpiqet përherë e më shumë për shtimin e pasurive të veta që do të mund ta bëjnë atë të jetë një tërheqje e vërtetë turistike. Aeroporti i Gjirokastrës është një prej atyre pasurive me të cilat gjirokastritët jo vetëm krenohen, por edhe shprehin keqardhje, keshtu shkruan sot balkanweb.
Ëndrra për ri jetëzimin dhe ri funksionalizimin e njërit prej aeroporteve më të vjetra në vend ka motivuar kërkesat e vazhdueshme të shoqërisë civile si një ndër pasuritë që do të mund t’i japë një hov të vërtetë zhvillimi qytetit të Gjirokastrës. Rikthimi në funksion i aeroportit mbi 80vjeçar të Gjirokastrës, është një ndër projektet që synon të marrë jetë në qytetin e gurtë, kjo për vetë pozicionin gjeografik, potencialin turistik, por edhe lëvizjes më të lehtë të emigrantëve të shumtë që lëvizin në rajonin jugor.
Prej kohësh në Gjirokastër flitet për riaktivizimin e aeroportit të Gjirokastrës. Duket se qyteti i gurtë është përfshirë i tëri në këtë ëndërr, duke u përpjekur të shfrytëzojnë çdo mundësi realizimi. Lobimi pranë qeverisë për riaktivizimin dhe realizimin e një projekti tashmë të gatshëm prej kohësh të aeroportit të Gjirokastrës, ka qenë dhe qëllimi i krijimit të një forumi intelektualësh gjirokastritë. Planifikimi i qeverisë shqiptare për ndërtimin e një aeroporti me kusht që të jetë 100 km larg aeroportit të Rinasit tërhoqi vëmendjen e shoqërisë civile në Gjirokastër, të cilët kërkojnë që ai të ndërtohet pikërisht në këtë qytet. Anëtarë të këtij forumi pohojnë rëndësinë e pasjes së një aeroporti në Gjirokastër që sipas tyre do të ndikojë ndjeshëm edhe në zhvillimin turistik dhe ekonomik të zonës.
Ishte shtatori i vitit 1924 kur autoritetet shqiptare pranuan kontratën me shoqërinë “Adria-Aeroloyd” dhe nxitën daljen e një projektligji që do të çelte siparin e historikut të aviacionit civil në vendin tonë.
Linja ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë u inaugurua në 11 gusht 1929 dhe ishte operative vetëm në kushte optimale. Vështirësia kryesore në këtë periudhë ishte gjetja e ekuipazhit. Në këto kushte prej këtij aeroporti fillon transporti i pasagjerëve dhe i postës duke përdorur dy ose tre aeroplanë të lehtë me tre vende secili. Në vitin 1932 pas shfuqizimit të marrëveshjes me gjermanët, koncesioni për shërbimin ajror civil i jepet shoqërisë italiane “Ala-Littoria” me të cilën qeveria mbretërore shqiptare lidh kontratë për koncesion ekskluziv. Është pikërisht kjo, periudha kur nis edhe ndërtimi i aeroportit të Gjirokastrës. Në vitet ‘30-‘40 ky aeroport ka një funksion të dyfishtë, atë civil e ushtarak. Rreth 30 aeroplanë transporti, bombardues, civilë etj u vendosën këtu gjatë viteve të luftës. Linjat kryesore të kësaj periudhe me stacion kryesor aeroportin e Gjirokastrës ishin Tr-Vl-Gj-Tr dhe Tr- Korce-Gj- Tr. Me Italinë funksiononte linja Gjirokastër- Brindisi.
Ky lloj transporti zgjati deri në fund të luftës së dytë botërore. Me futjen e Shqipërisë në kampin socialist, shërbimi civil ajror është ndërprerë dhe nuk është menduar më për riaktivizimin e këtij lloj transporti si një nevojë për zhvillimin ekonomik e social të vendit. Vitet ‘90 e gjejnë këtë aeroport në gjendje pune. Avionët e shoqërisë ameriakane MAF do të rikthenin aty fluturimet civile në linjat ajrore Tiranë – Gjirokastër- Korçë-Tiranë, duke e bërë atë një nyje të rëndësishme të transportit ajror. Përherë e më shumë në Gjirokastër po lobohet për rikthimin në funksion të aeroportit, por ndërsa flitet e lobohet me forcë për riaktivizimin e tij, dy vite më parë qeveria shqiptare bëri betonizimin e këtij aeroporti. Barriera të mëdha betoni u vendosën në mes të pistës me një distancë rreth 100 m larg njëra – tjetrës duke bërë të pamundur uljen e avionëve në këtë pistë. Bllokimi i tij nga Ministria e Mbrojtjes erdhi fill pas akuzave të opozitës se infrastruktura e ushtrisë po përdorej për trafik të lëndëve narkotike.
Aeroporti i Gjirokastrës ekziston sot vetëm fizikisht. Një zonë e mbrojtur ushtarake ku të duhet të filmosh fshehurazi për të trajtuar një problematikë kaq të ndjeshme për qytetarët gjirokastritë e ku të vetmit që duket se kanë të drejtë hyrje-dalje e përdorimi të tij janë tufat e bagëtive. Së fundmi, aeroporti është përmendur edhe si një vendstrehim i mundshëm i refugjatëve sirianë në rast dyndjeje në kufijtë tanë, vendim i kundërshtuar nga shoqëria civile. Deklarimi i qeverisë për ndërtimin e dy aeroporteve të tjera në jug të vendit zgjoi shpresat e lodhura të gjirokastritëve, shpresa që u vranë dhe u rebeluan kur mësuan se Gjirokastra nuk ishte destinacion, edhe pse ka një ndër aeroportet më të vjetër në vend.
Aeroporti i Gjirokastrës në jug të Shqipërisë ka një histori mbi 80vjeçare. Ai ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale. Sot për ndërtimin e aeroportit janë hartuar dy projekte, ndërsa specialistët thonë se i ka të gjitha parametrat për t’u riaktivizuar. Projekti vlerëson mundësinë e rifillimit të fluturimeve të rregullta në aeroportin 80vjeçar të Gjirokastrës. Në vitin 2010 përfaqësues të kompanisë italiane të Rotor Service shprehën interesin e tyre në riaktivizimin e aeroportit të Gjirokastrës për fluturimet ‘Charter’ edhe të brendshme nga ky aeroport, si edhe hapjen e një shkolle aeronautike. Por duket se këto projekte dhe ide ngelën pezull dhe ende sot nuk është bërë diçka konkrete, ndërsa Gjirokastra duket gjithnjë e më pak e përfolur nga qeveria si një destinacion i mundshëm për ndërtimin e një aeroporti në jug të vendit.
Studiues, përfaqësues të pushtetit vendor dhe shoqërisë civile, e konsiderojnë ndërtimin e aeroportit në Gjirokastër tepër të domosdoshëm, bazuar edhe në sugjerimet konkrete të specialistëve vendas e të huaj sipas të cilëve ky aeroport i plotëson të gjithë elementët teknikë për t’u kthyer në një aeroport rajonal ndërkombëtar. i ndodhur në trekëndëshin Gjirokastër – Berat – Butrint, investimi për ndërtimin e tij do të përkthehej në zhvillim ekonomik të zonës. Mjafton të kujtojmë faktin se distanca me aeroportin e Igumenicës në Greqi është shumë e shkurtër çka do të sillte një lëvizje të madhe të qytetarëve, duke eliminuar udhëtimin e gjatë drejt pikës së Kakavijës, Tre Urave në Përmet dhe Sopikut. Ndërtimi i këtij aeroporti konsiderohet një investim i rëndësishëm dhe i domosdoshëm jo vetëm për qytetin e Gjirokastrës, por për të gjithë rajonin jugor.