Ministrja Klajda Gjosha: Mbi 87 % e shqiptarëve e duan futjen në BE

 Znj. Gjosha, në takimin e dialogut të lartë Shqipëri – BE, cila do të jetë tema kryesore dhe a do të ndikojë situata politike në vend në lidhje me reformën në drejtësi në bisedime?

Këtë të mërkurë, pritet të mbërrijë në Tiranë komisioneri Hahn dhe pjesëmarrja e tij patjetër që do të kulmojë me takimin e radhës të dialogut të nivelit të lartë. Është ky takimi i gjashtë. Tashmë është kthyer në një traditë për palën shqiptare por edhe për përfaqësuesit e Komisionit Europian në mënyrë që të diskutojnë për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe ecurinë që ne kemi pasur deri në këto momente. Takimi do të jetë pak a shumë i njëjtë, pra është i njëjti format, siç ka ndodhur edhe më parë. Është me dyer të mbyllura, me përfaqësues jo vetëm të institucioneve shqiptare, pra mazhorancën, por edhe me opozitën, institucionet e pavarura dhe kuptohet pala tjetër që janë të gjithë përfaqësuesit e Komisionit Europian. Do të diskutohet mbi procesin e pesë prioriteteve, ecurinë e deritanishme, do të bëhet një monitorim i gjithë këtij procesi, cilat kanë qenë progreset e arritura që nga progres-raporti i fundit i Shqipërisë, i cili u publikua në nëntorin e vitit të kaluar dhe patjetër fokusi do të jetë tek reforma në drejtësi. Mungesa e dialogut politik në vend në fakt shkakton një sërë problematikash, që nga qytetarët, të cilët presin shumë nga pala politike shqiptare, nga përfaqësuesit e tyre në Kuvend, por presin shumë më të mirëpriturën reformë, apo atë më të madhen që po ndërmerr vendi që është pikërisht reforma në drejtësi. Kjo reformë nuk është se ka të bëjë vetëm me procesin e integrimit dhe patjetër që është në lidhje të drejtpërdrejtë edhe me çeljen e negociatave për Shqipërinë, por në radhë të parë do të kthejë besimin tek qytetarët shqiptarë, tek drejtësia shqiptare, tek institucionet shqiptare, por njëkohësisht ne shpresojmë shumë që kjo reformë t’i sjellë vendit sa më shumë investime të reja dhe të hapë sa më shumë vende të reja pune. Kështu që, kjo do të jetë biseda kryesore. I gjithë fokusi do të jetë tek dialogu i munguar mes palëve për reformën në drejtësi dhe mundësinë e gjetjes së një konsensusi, sepse politika shqiptare duhet të tregojë maturinë e saj për vazhdimësinë e këtij procesi dhe për miratimin e kësaj reforme në Kuvend.

Po me ‘detyrat e shtëpisë’ apo pesë prioritetet e caktuara nga Bashkimi Europian, si jemi deri në këto momente? Përtej reformës në drejtësi që është pika kyçe…

Patjetër që janë bërë shumë hapa përpara. Ky është një proces, është në vazhdimësi. Mund të them që pika jonë më e fortë është pika numër 1, që është reforma në administratën publike, pavarësisht se ka ende shumë punë për të bërë. Nuk mund të themi sot që administrata jonë është më e mira e mundshme apo ajo që do të përballet me të gjitha sfidat e të ardhmes dhe të procesit të integrimit në të ardhmen, por ne kemi bindjen që, zbatimi i ligjit të nëpunësit civil dhe një reformë e thellë pikërisht në zemër të të gjithë administratës shqiptare, do të ndryshojë ecurinë e shumë proceseve, por edhe performancën e institucioneve shqiptare kundrejt atyre standardeve që kërkohen nga Bashkimi Europian. Këtu unë do të thosha që kemi realisht një ecuri mjaft të mirë. Po zbatohet dhe po implementohet tashmë edhe Kodi i procedurave administrative, i cili është në zbatim dhe do të përmendet edhe nga vetë komisionari Hahn, kam bindjen. Pika e dytë është reforma në drejtësi, zbatimi i ligjit, shteti i së drejtës. Kjo është një pikë që mbetet ende ngërç siç e diskutuam dhe që prej këtij prioriteti varen edhe dy të tjerat, ato që kanë të bëjnë dhe janë të lidhura ngushtë pikërisht me çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne mund të bëjmë çdo gjë për t’i evidentuar këto çështje, por nëse ato nuk marrin ecurinë e tyre, procesin zinxhir deri në fund ku mbyllet me gjykatën dhe vendimin e gjykatës, asgjë nga këto nuk mund të quhet se është bërë pjesë e historikut të të dhënave që kërkohet aq shumë nga Shqipëria, pavarësisht se edhe në këto dy pika ne kemi një sërë reformash që janë ndërmarrë si ato me Policinë e Shtetit dhe një sërë e sërë suksesesh me lëndët narkotike e kështu me radhë. Pjesa e pestë apo prioriteti numër pesë që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, edhe këtu kemi pasur një ecuri mjaft të mirë sepse ne kemi miratuar edhe ligjin për pronën, aq shumë i diskutuar në fakt këto ditë, i cili sërish po has një ngërç edhe nga opozita. Por, unë kam binden se shumë shpejt ligji për pronën do të vihet në zbatimin e plotë të tij, implementimin e tij, sepse pikërisht e drejta e pronës është një nga çështjet që e ka mbajtur Shqipërinë pezull, dhe ku nuk është raportuar për vite me radhë dhe ne kemi qenë në shkelje të plotë edhe të marrëveshjes së stabilizim-asociimit.

Jeni pozitiv për këtë ligj me gjithë debatet që ka ngjallur brenda vendit?

“Feedback”-u që pritet nga pala evropiane është implementimi i ligjit. Vetëm ai do të tregojë që realisht është ligji i duhur dhe që i shërben qytetarëve shqiptarë.

Ne shpeshherë kemi parë debatet mes disa liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me lider të Bashkimit Evropian, atë që kryeministri Rama e quan që nga njëra anë ka lodhje nga zgjerimi por nga ana tjetër ka lodhje nga pritja dhe kemi parë disa herë Ramën dhe Vuçiç që të jenë në një linjë me një farë sikleti që i shprehin liderve të BE. Është thënë që është rast pas rasti integrimi, por ka disa përpjekje që të trajtohet Ballkani Perëndimor edhe në bllok, samiti i Berlinit, samiti i Vjenës janë dëshmi të kësaj. Do të ruhet ky trend?

Kam bindjen se këto janë përpjekje për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor, për t’u përafruar edhe më tej me Bashkimin Evropian, për t’i sjellë ato më afër nëpërmjet projekteve, nëpërmjet gjërave edhe më të prekshme. Sepse t’iu them të vërtetën, procesi i integrimit është shumë kompleks, ndonjëherë është dhe shumë abstrakt për qytetarët shqiptarë. Dhe procesi i Berlinit, unë mendoj që ka të bëjë me projekte konkrete që do t’i ndihmojë ata si në infrastrukturë, energji, në fusha të cilat realisht i shërbejnë vetë qytetarëve të vendit tonë por edhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Pikërisht këto projekte të ndërlidhjes mes vendeve me njëra-tjetrën jo vetëm që na afrojnë me vendet e Ballkanit Perëndimor, por i afrojnë këto vende në bllok pikërisht edhe me vendet e BE-së dhe kështu ndihmohen edhe sektorësh të tjerë në vend. Unë nuk mendoj se Ballkani do të trajtohet në bllok apo të diskutohet nëse të gjitha vendet që sot aspirojnë të jenë pjesë e BE-së do të hyjnë në të njëjtën kohë në BE me të drejta të plota. Kjo do të varet nga ecuria e reformave të secilit vend dhe patjetër që një punë shumë e madhe na pret edhe ne pavarësisht vështirësive të mëdha, që kanë sot vendet anëtare, dhe ngjarjeve të fundit që po ndodhin sot, të cilat në fakt aq sa e bëjnë procesin e integrimit të pamundur, aq mund të mendohet që realisht vendet anëtare kanë sot nevojë më shumë se kurrë edhe për Ballkanin Perëndimor që të jetë pjesë e tyre dhe kjo ndihmon në një siguri më të mirë për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

A është një pengesë kriza aktuale e refugjatëve?

Mund të jetë një krizë momentale për vende që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së por në afatgjatë unë këtë do ta shihja si pozitive pasi është e nevojshme që të gjitha vendet të kenë një bashkëpunim më të afërt, dhe më plotë me njëra-tjetrën përfshirë këtu edhe Ballkanin. Këto janë edhe çështje sigurie dhe informacioni duhet të shpërndahet midis vendeve.

Të gjitha kriza e akumuluara nga BE-ja, që nga Greqia e deri tek dalja nga unioni e Britanisë së Madhe, a nuk e nxjerr jashtë loje përpjekjen tonë për të qenë pjesë e familjes evropiane?

Patjetër që e shtyn procesin. Por, nuk e bën atë të pamundur. Unë nuk do të mendoja asnjëherë që projekti i Bashkimit Evropian do të përfundonte nga ngjarje të tilla të cilat i shohim dhe ndeshemi çdo ditë. Unë them që ky projekt i madh ka rezistuar dhe historia ka treguar që i ka rezistuar shumë problematikave të tilla dhe do të vazhdojë t’i rezistojë. Evropa e vetme nuk do t’ia dalë dot, as luftës ndaj terrorizmit, as luftës ndaj problemit të refugjatëve. Nuk do ta quaja zgjidhje ngritjen e mureve apo mbylljen e kufijve për refugjatët. Duhet një strategji shumë herë më e madhe e vendeve, sidomos atyre kryesore, që sot kryesojnë vetë Evropën për t’u ardhur në ndihmë edhe atyre vendeve, të cilat nuk munden dot, vende që po ndeshen me këtë krizë edhe më shumë siç janë Greqia apo Maqedonia dhe vende të tjera që realisht pritet të preken nga refugjatët.

Znj. Ministri, hipotetikisht në rast se ne përmbushim pesë prioritet kyçe për integrimin në Bashkimin Evropian, cila do të ishte koha më pas e hapjes së negociatave dhe integrimit në BE, si perceptohet kjo kohë?

Unë do të shpresoja shumë, dhe e gjithë puna jonë tashmë është fokusuar tek reforma në drejtësi. Patjetër që me miratimin e kësaj reforme, Komisioni Evropian, ashtu edhe sikundër ka premtuar, do të vijë me një rekomandim për Shqipërinë për çeljen e negociatave dhe kjo pikërisht duhet në raportin e radhës i cili do të jetë në muajin nëntor të këtij viti. Nëse do të marrim një raport pozitiv, do të kemi edhe një rekomandim të mundshëm nga Komisioni Evropian. Më pas ne i drejtohemi Këshillit, i cili mblidhet në muajin dhjetor për të parë dhe realisht për të dhënë edhe votën e tyre kundrejt Shqipërisë apo për të hapur dritën jeshile për ecurinë e këtij procesi.

Procesi është shumë teknik përsa i përket Komisionit Evropian dhe lidhjes me Komisionin Evropian, por fatkeqësisht ai bëhet dhe shumë politik në momentin kur e gjithë kjo ofertë dhe rekomandim vendoset përballë Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare dhe sigurisht këtu hasen edhe problematika të ndryshme, me të cilat ne po mundohemi të jemi koherent. Të kemi sa më shumë takime me të gjitha vendet anëtare duke mos lënë këtu mënjanë asnjë vend, sepse për ne janë të gjithë të rëndësishëm, të 28 vendet të cilat kanë të drejtë vote.

Si janë takimet me vendet më “kokëforta” të Bashkimit Evropian, siç janë për shembull Polonia apo Hungaria në vitet e fundit, vende skeptike prej kohësh si Holanda Belgjika etj?

Patjetër që këto janë vende që mundohen të lidhin gjithë procesin me reformat në vend, me zhvillimet e fundit në vend, pavarësisht kësaj, janë vende që janë prekur edhe nga kriza më të forta apo kanë mbajtur dhe qëndrime pak më radikale dhe në vetë Bashkimin Evropian, kështu që pritet që ato të jenë edhe pak më shumë skeptike. Por unë do të shpresoja që Shqipëria të mos të pengohet në këtë proces. Ne na është dashur rreth 5 vjet për të marrë statusin e vendit kandidat.

Unë nuk do të dëshiroja kurrë që qytetarët shqiptar të ndesheshin sërish me një pritje kaq të gjatë për çeljen e negociatave i cili mbas hapjes së negociatave do të jetë një proces edhe më konkret, edhe më kredibël, vetëm nga qytetarët, por dhe për vetë vendet e BE-së për të monitoruar se si ka qenë ecuria e Shqipërisë në gjithë këto vite. Kapitujt janë shumë herë më konkret se sa ç’është vetë procesi tani ku ne ndodhemi. Kështu që kjo do të ndihmonte në fakt të dyja palët për të qenë më konkret edhe më të saktë tek gjërat që kërkohen nga Shqipëria.

Znj. Ministre, ndjesia është pozitive duke pasur parasysh që Shqipëria gjatë muajve të fundit është vizituar nga disa figura të rëndësishme të BE, jo vetëm por edhe të SHBA. Kujtoj këtu vizitën e Kancelares gjermane Angela Merkel, më pasi ishte John Kerry, Sekretari Amerikan i Shtetit, më pas ishte edhe Shefja e Politikës së Jashtme Mogherini dhe tani Komisioneri Hahn. Janë sinjale pozitive apo jo?

Patjetër që po! Kjo tregon se sa në fokus në fakt e kanë të gjitha institucionet kyçe të Bashkimit Evropian por jo vetëm, vendin tonë, sepse siç është thënë deri tani, Shqipëria ka një rol tejet të veçantë edhe në rajon. Dhe thënë këtë, e gjithë vëmendja në fakt është kthyer te ne, sytë janë kthyer tek ne, por njëkohësisht nga ne pritet që të kemi një ecuri mjaft të mirë dhe të reformave në vend dhe pikërisht vijmë tek një çështje thelbësore që është dialogu politik, ai që duhet të zgjidhë ngërçet e brendshme që ne kemi për të ecur përpara me reformat dhe për i dhënë një zhvillim të mëtejshëm vendit, pavarësisht një roli të shkëlqyer do të thosha unë që ne kemi luajtur kohët e fundit në rajon dhe me politikën e jashtme edhe më tej, prapë pritet edhe më shumë nga vetë pala politike shqiptare për të ndryshuar kulturën e dialogut që ne kemi mes vetes në mënyrë që të ecim më përpara.

Znj. Ministre, si jemi praktikisht me njehsimin e ligjeve shqiptare me ato të Bashkimit Europian? Si po ecën ky proces i rëndësishëm?

Ne para disa muajsh kemi miratuar edhe planin kombëtar të integrimit. Në këtë plan parashikohen të gjitha masat që duhet të ndërmerren dhe të gjitha ligjet ë duhet të përfarohen brenda këtij viti. E zbatojmë këtë plan dhe jemi në monitorimin e tij me përpikmëri, në mënyrë që përqindja e ligjeve që përafrohen të jetë e lartë, por ky do të jetë një proces që do të jetë edhe më në fokus në momentin kur Shqipëria të hapë negociatat. Sepse janë pikërisht kapitujt që do të hapin ato që do të vendosin fokusin te sasia le të themi e ligjeve që përfarohen me bashkimin Europian për të mbyllur një kapitull të caktuar. Momenti kur ne flasim në fokus janë pesë prioritetet dhe flamuri si gjithmonë mbetet te reforma në drejtësi.

Ne kemi pasur gjithmonë entuziazëm lidhur me këtë proces të integrimit, kemi pasur edhe të mira nga ky proces siç janë lëvizja e lirë e qytetarëve, tregti e lirë, reformë në drejtësi, etj., por a ka edhe kosto financiare për Shqipërinë për t’iu përgjigjur të gjitha këtyre kërkesave të BE-së sidomos pas çeljes së mundshme të negociatave?

Patjetër që ka. Të shkruash ligje nuk është vetëm diçka që mbetet në letër, por realisht këto ligje përkthehen në kosto. Dhe përafrimi i ligjeve ka një kosto të caktuar sidomos në sektorë të caktuar që kanë një impakt të drejtpërdrejtë te publiku. Unë do të merrja dy sektorë, siç janë bujqësia dhe mjedisi, që zënë dhe pjesën më të madhe të negociatave për Shqipërinë, patjetër që do të kenë një kosto. Do të negociohet deri te artikuj të ndryshëm, se çfarë madhësie, çfarë standardi, ku do të eksportohen nga Shqipëria produktet bujqësore e kështu me radhë. Pra ka një sërë kushtesh dhe një sërë kostosh të caktuar që duhet të vijnë bashkë me të. Përveç këtij fakti do të kemi një kosto të shtuar për përkthimin e legjislacionit, që ka një zë tejet të madh në buxhet. Ka filluar tashmë të jetë një prioritet i buxhetit në fakt që në vitet që do të vijnë, por duhet theksuar se me çeljen e negociatave do të ketë një kosto ekstra. Të mos harrojmë këtu se përkthimi është një kosto tejet e madhe që sot mbulohet nga buxheti, por që realisht do të kërkojë një fokus edhe më të madh në të ardhmen, sepse volumi në fakt do të jetë tejet i madh. Pjesa tjetër që ka të bëjë me çështjen e taksave, të pagave e shumë e shumë standardeve të cilat ne do të duhet t’i ndajmë me Bashkimin Europian. Sepse nuk është se vetëm do të duhet të përfitojë por do t’i përshtatet të gjitha atyre standardeve që do t’i kërkohen nga ajo marrëveshje që tashmë ka filluar.

Patjetër që do të ndjehet më shumë, por po të bëjmë dy kolona, ato çka do të jenë gjërat më pozitive të procesit të integrimit dhe ato më negativet, unë do të thoja që Shqipëria më shumë përfiton nga ky proces se sa humbet. Këtë e them me bindje sepse ne nuk jemi një vend në fakt, që kulturën e shtetndërtimit e kemi pasur edhe shumë vite më parë. Jemi një vend që çdo ditë mundohet të ndërtojë institucionet e veta dhe këtë e bën falë procesit të integrimit, këtë e them me bindje sepse është një monitorim teket i rreptë që vjen edhe nga Komisioni Europian, por dhe nga institucionet që ne kemi ngritur siç është edhe Ministria e Integrimit Europian që është e detyruar të raportojë me saktësi pranë të gjitha institucioneve. Kështu që unë do të thosha që procesi realisht e ndihmon vendin të konsolidojë demokracinë, të ngrejë institucione të cilat janë funksionale dhe të pavarura dhe të rrisë standardet për qytetarët.

Znj. Ministre, meqë jemi te kostot, në momentin kur në Europë hyri Euro, vende të zhvilluara ekonomikisht patën shumë probleme me hyrjen e monedhës së re. Sa do ta përballonte ekonomia shqiptare hipotetikisht kthimin e monedhës dhe standardizimin e të gjitha çmimeve?

Kjo është diçka që duhet të jetë në diskutimet e ardhshme. Nuk është një bisedë në fakt që i përket këtij momenti kur ne flasim sepse dhe shumë vende që sot janë pjesë e Bashkimit Europian, ende nuk janë përshtatur, pranuar, se kanë kthyer monedhën e tyre për të përdorur euron. Por pavarësisht kësaj, në Shqipëri po të shohim dhe sot, janë dy standarde ku në shumë e shumë biznese përdoren të dyja monedhat. Si leku ashtu dhe euro. Pra qytetarët janë të mirëinformuar dhe të njohur edhe me këtë monedhë dhe për kostot që ka. Kështu që unë mendoj se vendi hap pas hapi do të përgatitet. Është një kapitull më vete i cili do të merret dhe me gjithë çështjet financiare, por dhe me euron dhe kjo do t’i përgatisë. Është një bisedë që do të ndodhë ndoshta edhe pasi Shqipëria të bëhet një vend anëtar me të drejta të pota. Sot ende edhe Kroacia nuk e përdor.

Ne kemi parë, shohim opozitën sot që po vë kushte në lidhje me një reformë shumë të rëndësishme për integrimin. Kemi parë edhe opozitën dje që vuri kushte pothuajse të ngjashme në një moment kyç për integrimin e vendit. Si mendoni ju se mund të dilet? A duhet opozita të jetë më bashkëpunuese, por edhe qeveritë të rrahin më pak gjoksin në mënyrë që lufta të mos jetë “s’po ia jap votën se do të marrë meritën”?

Të dyja bashkë dhe fatkeqësisht kjo është një çështje mentaliteti e krijuar ndër vite. Unë asnjëherë nuk do të doja të shikoja një Shqipëri ku partitë politike përdorin çështje të caktuara për përfitime të veta personale apo për t’i kthyer ato në vota në zgjedhjet e ardhshme apo më të afërtat që do të kenë, ato të radhës. Fatkeqësisht edhe procesi i integrimit është kthyer në një gur që luhet fort nga partitë politike, ku tërhiqet aty ku u duhet dhe lëshohet pe në një moment tjetër për përfitime të caktuara.

Procesi duhet të ndahet nga të gjitha përfitimet e partive politike. Procesi ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me shqiptarët dhe si në opozitë, ashtu dhe në mazhorancë, të dyja palët kanë njerëz të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë dhe kjo do të thotë shumë. Është vota e qytetarëve shqiptarë ata që kanë çuar këta persona për të qenë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Me këtë në fakt i jepet edhe përgjigja që nuk duhet të përdoren çështje të tilla për të mbajtur pezull një komb të tërë dhe të gjithë qytetarët për të mbajtur pezull, për t’i lënë ata sot vetëm me statusin e vendit kandidat dhe për të mos i çuar përpara çeljen negociatave. Sepse sot kemi mbi 87 për qind të shqiptarëve që realisht e duan ecurinë e vendit drejt Bashkimit Europian dhe ata nuk mund të mbahen peng. Nuk janë qytetarë që kanë votuar vetëm PS apo LSI, kanë votuar PD-në dhe të gjitha të tjerat që sot janë pjesë e gjithë listës së gjatë të partive në Shqipëri.

(Intervista e Ministres për Integrimin Europian, znj. Klajda Gjosha dhënë për rubrikën “Opinion” të televizionit “News 24”)

SHKARKO APP