Gjykata e Apelit të Posaçëm vendos: Sali Berisha të paraqitet dy herë në muaj në SPAK, ndryshe….!
Pas lirimit nga arresti në shtëpi nga gjykata e shkallës së Parë, sot Gjykata e Apelit të Posaçëm, vendosi që Sali Berisha duhet të paraqitet dy herë në muaj në SPAK. Nëse Berisha nuk paraqitet prapë në SPAK, atëhere ka mundësi që Prokurorët e SPAK mund të firmosin arrestin me burg. Edhe herën e parë ishte SPAK që i kërkoi zotit Berisha të paraqitet një herë në muaj në prokurorinë e Posaçme, por lideri demokrat nuk e pranoi, ndaj u detyruan të vendosnin masë shtërnguese me arrest shtëpie. E ku me pas gjykata e shkallës së parë antikorrupsion vendosi heqjen e masës arrest shtëpie.
Duket se ngjarjet po përsëriten, por kësaj radhe me masa me të rrepta ndaj Berishës, gjithnjë nëse nuk e zbaton vendimin e sotëm të Apelit.
Avokati i tij Genc Gjokutaj tha për median se “ky është vendimi më i keq. Eshtë një vendim i pa kuptueshëm”.
Avokati i ish-kryeministrit theksoi se “Gjykata e Apelit e GJKKO vendosi zëvendësimin e masës. Ne jemi të paqartë për këtë vendim. Prokurori kërkonte vetëm që të merrej masa “arrest shtëpie”. Kjo gjykatë nuk është më pak e kapur se Gjykata Kushtetuese. Vijmë prapë në krye të herës te kjo histori. Vendimi nuk është zbardhur. Ky vendim është zgjidhja më e keqe që i është dhënë ndonjëherë, se nuk ka zgjidhur asnjë problem. Prokuroria në mënyrë arbitrare është nisur nga qëllime politike të ditës, duke zhdukur konceptin e “arrestit në shtëpi”. Ky është vendim i çuditshëm, por duhet ta lexojmë këtë vendim”.
I pyetur nga gazetarët “nëse Berisha do ta zbatojë këtë vendim të sotëm”, avokati shtoi se “nuk e di, duhet pyetur zoti Berisha”.
Por një gjë mbetet e saktë nisur nga gjithë kjo histori, që nëse lideri demokrat Sali Berisha nuk e zbaton vendimin e Apelit, SPAK do të vendos arrestimin e tij me burg. Edhe nëse Berisha shkon dy herë në muaj në zyrat e SPAK, siç është vendimi, kundërshtarët e tij në opozitë do ta quajnë “frikacak”.
Dilemë e madhe për Sali Berishën në moshën 81 vjeçare!
Ja vendimi i plotë:
R E P U B L I K A E S H Q I P Ë R I S Ë
GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
Tiranë, më datë 03.01.2025
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 03.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 276 akti, datë 26.12.2024 regjistrimi, dhe vendosi:
-Ndryshimin e vendimit nr. 674, datë 27.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në këtë mënyrë:
– Rrëzimin e kërkesës së të pandehurit S.B. për shuarjen e masës së sigurimit me karakter shtrëngues “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, e caktuar ndaj tij me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
– Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, e caktuar ndaj të pandehurit S.B. me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
– Urdhërohet i pandehuri S.B. të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00.
- Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zbatimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.