Gjykata kërkon Sali Berishën në gjyqin e Shullazit

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të thërrasë ish-kryeministrin Sali Berisha, në cilësinë e dëshmitarit, në gjyqin kundër Emiljano Shullazit.  Shullazi po gjykohet për kërcënimet ndaj profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule gjatë zgjedhjeve për rektorin e Universitetit të Tiranës.

Veç ish-kryeministrit, për dëshmi do të thirret dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në policinë e Shtetit Ardian Çipa dhe shtetasja Marsida Musai, raporton “Report TV”.

Mësohet se ka qenë Emiljano Shullazi dhe avokati i tij ata që kanë kërkuar dëshminë e Berishës në seancën gjyqësore. Berisha ishte ndër të parët që reagoi në publik për kërcënimet ndaj profesorëve. Ndërkohë që në këtë proces ka dëshmuar dhe ish-ministri Saimir Tahiri.

Ka qenë Tahiri që ka deklaruar disa muaj më parë në sallën e gjyqit ku ishte thirrur si dëshmitar, se ende pa nisur hetimet nga Policia e Shtetit, Sali Berisha publikoi në rrjetet sociale lajmin se dy profesorët ishin kërcënuar. Mbi këtë deklaratë është bazuar dhe kërkesa e avokatit të Emiljano Shullazit. Mësohet se Gjykata ka pranuar këtë kërkesë të avokatëve dhe ka ftuar në seancën e të martës së ardhshme ish-kryeministrin Sali Berisha të paraqitet në gjyqin e Shullazit. Po kështu seancën e radhës pritet të paraqitet në gjykatë si dëshmitar dhe Ardian Çipa, ish-kreu i Krimeve të Rënda dhe krimit të organizuar, sot drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve pranë Ministrisë së Brendshme.

SHKARKO APP