Gjykata Kushtetuese një institucion pa integritet, e ngritur nga njerëz me interesa inati e jo kushtetuese
Gjykata Kushtetuese foli, por nuk tha asgjë. Dha një vendim formal, por politikisht dhe kushtetueshmërisht të zbrazët. Një vendim që nuk mbron Kushtetutën, por i shmanget asaj.
Kërkesa e Kryeministrit Edi Rama ishte e thjeshtë dhe thelbësore: a mund të pezullohet një ministër vetëm me firmën e një prokurori? Gjykata kishte detyrimin të fliste qartë, por zgjodhi të heshtë duke deklaruar se gjoja dolën votat 4-4, pra nuk morën dot vendim.
Gjykata duhet të vendoste jo vetëm për kërkesën e kryeministrit për sot, por edhe duhej të përcaktonte me vendim edhe për çdo qeveri tjetër, pas Edi Ramës.
Ky është kulmi i paradoksit: një gjykatë që ekziston për të interpretuar Kushtetutën, por që frikësohet ta interpretojë atë kur çështja është e nxehtë politikisht. U fsheh pas teknikës për të shmangur përgjegjësinë. Dhe kjo nuk është maturi institucionale; është arratisje kushtetuese.
Nëse Gjykata Kushtetuese nuk e thotë këtë qartë, ajo nuk është më arbitër, por spektatore e një loje ku rregullat ndryshojnë sipas frikës së momentit.
Ajo vetëm Gjykatë nuk mund të quhet, ajo ka vepruar si komision qëndre votimi!
Ja disa opinione për vendimin e Gjykatës Kushtetuese:
Nga Ylli Manjani
Tani, komenti im mbi vendimin pa vendim të kushtetueses është ky:
- Gjykimi kushtetues është një proçes serioz, madje nga më seriozët, që ndodh në një republikë kushtetuese. Ky seriozitet ka kohë që na mungon, ndaj dhe jemi në këtë kolaps llogjik. Trupës së sotme gjyqsore kushtetuese i mungon serioziteti, por edhe integriteti profesional. Mungesa e koherencës në vendimmarrje është prova e mungesës së seriozitetit dhe integritetit.
- Gjykata Kushtetuese nuk mund të lihet e paplotësuar në numër, në mënyrë që vendimet e saj të varen nga humori i ditës së gjyqtarëve të veçantë, i mori apo jo pronat, apo bëri apo s’bëri sherr me gruan ai. Jo pa qëllim është bërë 9 numri i gjyqtarëve, pikërisht që të mos ketë vendime pa vendim. Numri tek i anëtarëve është një premisë që heq shumë mundësinë e bllokimit të vendimmarrjes. Prej një viti gjykata është me numër të paplotë anëtarësh dhe kjo është papërgjegjshmëri.
Në fakt që nga reforma e këtej na ka ndodhur që të kemi Gjykatë Kushtetuese të paplotësuar. Para reformës, ky problem nuk ekzistonte….
- Si kudo, edhe në gjykimin kushtetues, gjërat nuk bazohen në parime por mbi persona. Për fat të keq mllefi i personit ndaj personit është në themel të vendimmarrjeve edhe në atë gjykatë.
- Për të mirë apo për të keq, zgjidhjet në këtë vend duhet të vijnë nga nismat legjislative, pra nga Parlamenti dhe politika. Drejtësia është e pavarur por jo e paanëshme. Reforma nr. 1 tashmë duhet të jetë ndërtimi i gjykatës së paanëshme.
- Teoritë e tjera me lojra dyfishe e me të veshur si partizanë që të duken si gjermanë, janë për të mbushur hapësirën mediatike por jo për të lexuar e kuptuar vendin ku jetojmë/Ylli Manjani/
Nga Ermelinda Meksi-
Jo vetëm si statisticiene, probabilitetin e rezultatit 4–4 nga Gjykata Kushtetuese e konsideroja të lartë.
Kjo sepse ky është rezultati më i pritshëm kur kostoja e çdo alternative tjetër është më e lartë se kostoja e mosvendimit. Pra rezultati 4–4 nuk është rastësi, por ekuilibër frike nga gjyqtarë që menduan/ luajtën si aktorë racionalë. jo si gjykatë.
Nje sistem që e prodhon mosvendim si strategji optimale është nje sistem i komprometuar, me rrezikikun që në të ardhmen :
✔️Çdo çështje me ngarkesë politike të përfundojë në mosvendim,
✔️Jurisprudenca të ndërtohet mbi heshtje, jo norma,
✔️Gjykata të përdoret si valvul presioni, jo si standard kushtetues.
Kur një gjykatë zgjedh barazimin/ mosvendimin ky është alarm serioz ekzistencial për reformën në drejtësi.
Pasi koston e mosvendimit nuk e paguan :
#as gjyqtari i cili nuk ndëshkohet, nuk humb mandatin, nuk penalizohet,
#as Gjykata si institucion ku vendimi 4–4 quhet “proceduralisht korrekt”
#as palët politike ku secila e lexon si fitore ose si shmangie të humbjes.
Koston e mosvendimit e paguan sistemi: Kushtetuta mbetet pa interpretim autoritar, konflikti shtyhet , riciklohet,precedenti krijon normën e heshtjes,kurse publiku mëson se barazimi është rrugë e sigurt.
Perfundimi
Mosvendimi është strategji pa çmim individual, por me kosto kolektive të padukshme: ai çon ne erozionin e autoritetit kushtetues dhe besimin e publikut.
Prandaj për të evituar këtë kosto duhet një mekanizëm korrektues efektiv që ta bëjë mosvendimin të kushtueshëm individualisht dhe institucionalisht, në mēnyrë që Gjykata të prodhojë një rezultat material, edhe kur është e ndarë.
Që publiku të kuptoj më mirë integritetin e çdo rezultati , gjyqtari duhet të shpjegojë publikisht arsyet pse votoi pro ose kundër/Ermelinda Meksi/
Nga Luan Rama-
– Kur Gjykata Kushtetuese e Republikës dështon të flasë me një zë të qartë, nuk është thjesht një problem procedurial, por një krizë e thellë e integritetit institucional.
Vendimi “pa vendim” i Gjykatës Kushtetuese në çështjen për të cilën ajo u investua me kërkesën e Kryeministrit Edi Rama dhe që lidhet me zëvendëskryeministren e pezulluar nga detyra Belinda Ballukun, si pasojë e ndarjes 4 me 4 të trupës gjykuese, nuk është një episod teknik dhe as një rastësi proceduriale.
Ai është prova më e qartë e një Gjykate Kushtetuese të kapur, të neutralizuar dhe të reduktuar në një mekanizëm balancash politike.
Një gjykatë që nuk arrin të vendosë në çështje me rëndësi të lartë publike, në fakt, ka marrë një vendim: ka zgjedhur të mos ushtrojë autoritetin e saj kushtetues.
Në çdo demokraci funksionale, Gjykata Kushtetuese nuk ekziston për të reflektuar raportet e forcës mes pushteteve, por, për t’u imponuar atyre.
Në doktrinën kushtetuese europiane dhe në praktikën e gjykatave kushtetuese të konsoliduara, si në Gjermani, Itali apo Spanjë, parimi është i qartë: gjykata duhet të jetë më e fortë se pushteti politik i radhës. Kjo forcë nuk buron vetëm nga kompetencat formale që i jep Kushtetuta, por nga autoriteti intelektual, profesional dhe moral i gjyqtarëve që e përbëjnë atë.
Në Shqipëri është ndjekur logjika e kundërt. Gjykata Kushtetuese nuk është ndërtuar për të qenë autoritet, por për të qenë e kontrollueshme.
Ndarja 4 me 4 në një çështje me ndjeshmëri të lartë politike nuk është shprehje e pluralizmit juridik, por është pasojë e një arkitekture të qëllimshme institucionale, ku askush të mos ketë peshë të mjaftueshme për të thyer ekuilibra të parapërcaktuar.
Zgjedhja e individëve pa profil të konsoliduar akademik, pa kontribute të njohura në të drejtën kushtetuese dhe pa autoritet profesional të provuar, e ka dobësuar në themel trupën gjykuese.
Gjykata është mbushur me emra që nuk imponohen përmes dijes dhe integritetit, por që peshohen përmes llogarive politike. Në këto kushte, pyetja nuk është më se çfarë thotë Kushtetuta, por se me kë është secili gjyqtar.
Fakti që edhe sot Gjykata Kushtetuese e Republikës nuk është ende e plotësuar me numrin e plotë të gjyqtarëve, nuk është një dështim teknik apo administrativ, por një instrument i qartë kontrolli. Një gjykatë e paplotë është një gjykatë e dobët; një gjykatë e dobët është e menaxhueshme.
Kështu, organi më i lartë i mbrojtjes së Kushtetutës është trajtuar si një strukturë që duhet mbajtur në gjendje ekuilibri artificial, jo si një autoritet suprem dhe solemn që duhet të vendosë qartë e pa asnjë mëdyshje në mbrojtje të Kushtetutës.
Komisioni i Venecias (të cilin aq shumë na pëlqen ta thërrasim në ndihmë!) ka theksuar vazhdimisht se pavarësia reale e gjykatave kushtetuese nuk garantohet vetëm nga procedurat formale të emërimit, por nga cilësia, integriteti dhe profili i individëve të zgjedhur. Një gjykatë mund të jetë ligjërisht e pavarur, por materialisht e nënshtruar, nëse përbëhet nga gjyqtarë pa autoritet intelektual dhe pa integritet qytetar.
Përgjegjësia për këtë situatë është politike dhe institucionale.
Kuvendi dhe Presidenti i Republikës, si organe kushtetuese emëruese, nuk mund të fshihen pas formalizmit të procedurës. Ata kanë zgjedhur këtë model Gjykate Kushtetuese. Ata nuk kanë dashur një gjykatë me personalitete të forta, sepse personalitetet e forta nuk kontrollohen. Në vend të tyre, është ndërtuar një trupë që balancon, ndahet dhe, kur duhet, nuk vendos.
Në thelb të këtij dështimi qëndron mungesa e integritetit qytetar të individit dhe mungesa e autoritetit profesional të gjykatësit kushtetues. Një gjyqtar pa integritet qytetar nuk është i pavarur nga pushteti. Një gjyqtar pa autoritet intelektual nuk i imponohet dot pushtetit. Dhe një Gjykatë Kushtetuese e përbërë nga të tillë individë nuk mund të mbrojë Kushtetutën, sado kompetenca t’i njohë ajo në letër.
Ndarja 4 me 4 në çështjen Balluku duhet lexuar si aktakuzë ndaj modelit aktual të ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese. Për sa kohë që kjo logjikë e kapjes institucionale mbetet e pandryshuar, Gjykata do të vazhdojë të ekzistojë formalisht, por do të dështojë realisht në funksionin e saj themelor: mbrojtjen e Kushtetutës nga pushteti. Dhe pa këtë mbrojtje, shteti kushtetues mbetet vetëm një fasadë./Luan Rama/
KOHA JONË SONDAZH

