Gjykata ndryshon masën për kryebashkiakun, nga burg në “arrest shtëpie”
Gjykata e Lezhës ka vendosur të lërë në “arrest shtëpie” kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj. Kryebashkiaku akuzohet për “shpërdorim detyre” për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Shëngjinit.
Frrokaj ka dalë sot para gjykatës dhe avokatët e tij kërkuan rivlerësimin e masës së sigurisë, të dhënë më parë “arrest me burg”. Në gjykatë kanë dalë edhe 11 zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Lezhës të arrestuar për të njëjtën akuzë.
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1274846099307176/
Tensione para seancës në Gjykatën e Lezhë
Dhjetra forca policie kanë rrethuar gjykatën e Lezhës që herët në mëngjez. Me qindra e qindra simpatizantë të kreut të Bashkisë së Lezhë (përfaqësues i PD) dhe mbështetës të tij janë mbledhur para gjykatës së Lezhës. Ata e kanë pritur me brohoritje mbërritjen në Gjykatë të kryebashkiakut Fran Frrokaj duke thënë se “jemi me ty’. Mbërritja e të arrestuarve nga policia është bërë nën masa të rrepta sigurie. Ata akuzohen për ‘tjetërsim prone’.
Kryetari i këshillit të qarkut Lezhë Gjok Noka nuk ndodhet në sallën e gjyqit, por shtruar në spital me probleme me zemrën.
Seanca gjyqësore vazhdon për vlerësimin e masës së arrestit, ndërsa jashtë gjykatës vazhdojnë të mblidhen qindra të tjerë, duke e futur gjykatën në një rrethim të vertetë proteste. Rrugët e qytetit të Lezhës janë nën kontrollin e forcave speciale të ardhura nga Shkodra dhe Tirana.
Informacionet janë se protestuesit, nëse gjykata vendos lënien në burg të kryebashkiakut, që të turren drejt drejtorisë së policisë së qarkut. Edhe në drejtorinë e policisë janë vendosur forca policie të ardhura nga Mirdita dhe Laçi.
Në foto: Kryebashkiaku i Lezhës duke hyrë në gjykatë me pranga në duar
Gazetarët i nxjerrin nga salla e gjyqit, Fran Frrokaj me pranga në gjykatë
Seanca gjyqësore ku do të jepet masa e arrestit për kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj dhe të arrestuarit e tjerë do të vazhdojë pa praninë e mediave. Pasi ka dëgjuar gjeneralitetet e të arrestuarve, gjykatësi i çështjes ka marrë mendimin e prokurorit dhe të avokatit, nëse gazetarët duhet ta ndjekin seancën në sallë apo jashtë saj.
Me propozimin e prokurorit të çështjes, gjykatësi nxorri jashtë sallës përfaqësuesit e mediave që deri në atë moment, transmetonin direkt zhvillimet brenda gjyqit.
Në nisje të seancës, Fran Frrokaj u filmua me pranga në duar, ndërsa dilte nga furgoni i policisë i rrethuar nga forcat speciale.
Hyrja e gjykatës është e bllokuar nga familjarë të tij dhe punonjës të bashkisë së Lezhës, që kërkojnë lirimin e tij. Rrugët përreth gjykatës janë bllokuar të gjitha.
VIDEO/Festa e mbështetësve të Frrokaj pas vendimit të Gjykatës