Gjyqtarët e Berishës drejt qelisë
Zgjerohet rrethi i hetimeve për lirimin nga burgu të Lulzim Berishës. Pas arrestimit të drejtorit të burgut të Durrësit, Astrit Kotaj, shpalljes në kërkim të juristit Tedi Bali, nisjes së verifikimeve për kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet dhe për gjyqtarët që kanë dhanë vendime, ku i është ulur dënimi. Tre gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës, Tritan Hamitaj, Fejzo Hysi dhe Shpëtime Pitaku, dyshohet se kanë shkelur ligjin me procedurat që kanë ndjekur për rastin e Lulzim Berishës.
Lulzim Berisha, i njohur si “kreu i bandës së Durrësit” u lirua pas një seri vendimesh të gjykatave më 5 dhjetor të këtij viti. Ai u arrestua në vitin 2006 dhe u dënua me “burgim për jetë” për disa vrasje dhe për krijim organizate kriminale. Ai në vitin 2012 mori dënimin final me “burg për jetë”. Në vitin 2014, Gjykata e Lartë vendosi ta ndryshojë dënimin nga “burgim për jetë” në 25 vjet burg. Pas këtij vendimi, disa procese gjyqësore, i krijuan mundësinë e uljes së dënimit. Konkretisht, në shtator të vitit 2015, me vendim të gjyqtares Shpëtime Pitaku, dënimi i Berishës për periudhën 2006-2015 është ulur me 1 vit e 11 muaj burg. Ndërsa më 19 prill 2016, me vendim të gjyqtarit Tritan Hamitaj, Lulzim Berisha ka fituar një ulje dënimi prej 90 ditësh për periudhën prill 2015 –prill 2016, edhe pse ligji parashikon se të dënuarit në burgjet e sigurisë së lartë nuk mund të përfitojnë më shumë se 45 ditë ulje dënimi gjatë një viti. Më 11 maj të këtij viti, me vendim të gjyqtarit Fejzo Hysi, Berisha ka përfituar nga amnistia e vitit 2012 edhe 1 vit e gjysmë ulje dënimi, edhe pse ligji i amnistisë e mohon kategorikisht këtë të drejtë për të dënuarit me vrasje. Ndërsa më 1 dhjetor, një tjetër vendim, i ka ulur edhe 45 ditë burg nga periudha e vuajtjes së dënimit Lulzim Berishës duke sjellë dhe lirimin e tij më datën 5 dhjetor.
Dyshimet janë se në procedurat e ndjekura pas vitit 2014, secili nga gjyqtarët ka shkelur ligjin. Shkeljet dyshohet të jenë bërë si për procedurat e ndjekura, ashtu edhe për aplikimin në mënyrë të gabuar të ligjit për amnistinë. Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se gjyqtari Fejzo Hysi ka zbatuar gabim ligjin për amnistinë, duke i zbutur ish-kreut të bandës së Durrësit dënimin e marrë për armëmbajtje pa leje në kushtet kur ai ishte dënuar për vrasje, raporton “Vizion Plus”. Sipas dispozitave ligjore, gjykata kishte aplikuar dënimin më të rëndë, atë “të vrasjes” për Lul Berishën dhe në këtë mënyrë atij i ishte hequr dënimi i armëmbajtjes pa leje. Gjithashtu, dyshohet se në vendimet që janë dhënë nga gjyqtarët është shmangur me qëllim prokuroria.
Hetimet për lirimin e Lulzim Berishës nisën pas deklaratave të ambasadorit amerikan, Donald Lu dhe publikimit të disa dokumenteve nga rrjeti investigativ BIRN dhe “Zëri i Amerikës”. Nga këto dokumente rezulton se, lirimi dhe ulja e dënimit të Lulzim Berishës përfshin disa vendime të dyshimta të gjykatave. Pjesë e hetimit është dhe letra e kreut të Bashkisë së Durrësit, i cili garantonte punësimin e Lulzim Berishës në rast se do të lirohej nga burgu dhe nuk do të gjente dot punë në sektorin privat. Këto detaje të proceseve gjyqësore shkaktuan reagime të shumta në publik dhe nxitën akuza të ashpra politike mes opozitës dhe maxhorancës. Partia Demokratike akuzoi direkt kreun e bashkisë, Vangjush Dako për lirimin e Lulzim Berishës. Ndërsa zyrtarët e maxhorancës këmbëngulin se lirimi i tij ka ardhur nga vendimet e gjykatave. Secila palë ia lë njëra -tjetrës fajin. Por Prokuroria po heton shpejt. Hetimet e para kanë çuar pas hekurave vetëm Drejtorin e Burgut të Durrësit, Astrit Kotaj. Në kërkim është shpallur juristi i këtij institucioni. Ndaj tyre rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve dhe llogaritjes gabim të kohës së vuajtjes së dënimit për Lulzim Berishën.
Nëse prokuroria arrin në konkluzionin final se gjyqtarët kanë gisht në shkeljen e ligjit në këmbim të ndonjë afere ose dhe presioni, do t’i kërkojnë institucioneve të drejtësisë heqjen e imunitetit dhe ndëshkimin penal të tyre. Një burim nga prokuroria tregon se janë vënë nën përgjim të gjithë gjyqtarët që po hetohen dhe se për njërin ka fakte komprometuese që mund të çojnë dhe në dërgimin e tij në qeli, në vend të Lulzim Berishës.
Qamil Xhani