Gjyqtari Miri deklarohej i varfër, por kishte në shtëpi 300 milion lekë cash
Gjyqtari i ndaluar nga policia me urdhër të prokurorisë, Shkëlqim Miri nga deklaratat e pasurisë së tij ka deklaruar se ka qenë një njeri me një jetë modeste. Gjatë kontrollit në banesë atij iu gjetën 300 milionë lekë të vjetra dhe një shumë tjetër eurosh që dyshohet të jenë marrë në këmbim për të ndryshuar kualifikimin e një vrasjeje të ndodhur në Burrel, në vitin 1997 (me dy viktima). Por nga një verifikim në portalin e deklarimit të pasurisë, bie në sy fakti se gjyqtari ka deklaruar një pagë dhe pasuri modeste dhe nuk justifikohet shuma e parave të gjetura në banesë me deklarimin e pasurisë që ka bërë deri në vitin 2014.
Ai ka deklaruar një banesë afro 50 metra katrorë, 4 milionë lekë të vjetra kursime në bankë si dhe 1 349 625 lekë të ardhura nga paga e tij. Gjithashtu ai rezulton se ka marrë edhe një kredi në një bankë të nivelit të dytë në shumën 50 mijë euro dhe me normë interesi rreth 4 % dhe me detyrim financiar të pashlyer 39 953 euro. Gjyqtari rezulton pa makinë dhe pa pasuri të tjera.
Deklarata e Policisë
Ndalohet gjyqtari, dyshohet se favorizoi një vendim penal në këmbim të vlerave monetare. Në datë 9 nëntor 2017, rreth orës 23:30, Sektori për Hetimin e Korrupsionin në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Një vrasje e dytë”.
Në këtë operacion u ndalua shtetasi Shkëlqim Miri, 46 vjeç, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Ndalimi i tij u krye në funksion të procedimit penal proaktiv të vitit 2017, për veprat penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Grupi hetimor kishte krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, për favorizim e një të dënuari për veprën penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje, kundrejt kërkimit dhe marrjes së përfitimeve monetare të paligjshme.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Shkallës së Parë e ka deklaruar fajtor autorin dhe dënuar me 20 vjet burgim. Në Gjykatën e Apelit Tiranë është ndryshuar klasifikimi i veprës penale nga “Vrasje me dashje” në “Plagosje e rëndë” dhe aktualisht autori është liruar nga burgu. Në këtë operacion, në bazë të dyshimeve të bazuara në provat e siguruara gjatë hetimit pro-aktiv, ka rezultuar dhe janë dokumentuar një sërë veprimesh dhe lidhjesh të dyshimta që për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari Miri ka marrë një sasi të konsiderueshme parash.
Në kontrollin e banesës me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të kryer nga strukturat e Hetimit të Korrupsinit në Policinë e Shtetit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë.
Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kundra-ligjore.
Kush është gjyqtari i arrestuar?
Shkëlqim Miri ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës që nga viti 2010, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në vitin 2012-të dhe më herët gjyqtar i Apelit në Durrës (para 2010). Një nga çështjet më të rëndësishme që ka kaluar në gjykimin e Shkëlqim Mirit ka qenë dosja e Gërdecit, ku ai ka qenë pjesë e një prej proceseve gjyqësore.
Prokuroria e Përgjithshme e hetonte Mirin prej gati një viti, me dyshimet se ishte korruptuar nga Gentian Doda. Hetuesit dyshonin se Doda pagoi 20 mijë euro për gjykatësin në këmbim, lirisë. Gjykatësi ndryshoi kualifikimin e vrasjes së ndodhur në Burrel, në vitin 1997.
Ekzekutimi i Gazmir Dedjes u ndryshua nga vrasje, në plagosje e rëndë me dashje.
Gjyqtari u ndalua nga policia, pasi iu gjet shuma e parave në shtëpinë e tij. Një nga akuzat që mund të ngrihet për gjyqtarin është ajo e fshehjes së të ardhurave, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal.
Gentian Doda ka qenë i ekstraduar kohë më parë nga Los Anxhelos, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Doda njihej si “kundërshtar” i famijles ‘Dedja’, një konflik i njohur në Burrel mes dy familjeve.
Doda rrezikonte 20 vite burg për vrasjen e Gazmir Dedja dhe Asllan Gjoka, në tetor të vitit 1997.
Autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima
Përpasjet e ashpra ndërmjet dy grupeve rivale janë shtrirë edhe në qytete të tjera.
Ditën e ngjarjes së vitit 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vdekur aksidentalisht Asllan Gjoka. I plagosuri ka mundur të mbijetojë vetëm dy ditë për shkak të plagëve të marra, por ka arritur t’u tregojë familjarëve se kush e kishte qëlluar, duke identifikuar Gentian Dodën.
Prokuroria dyshon se kjo shumë 300 milion lekë cash si dhe disa mijëra euro të tjera mund të jetë si rezultat i dhënies së vendimeve gjyqësore në këmbim të parave.
Gjyqtari i gjykatës së Apelit në Tiranë, Shkëlqim Miri është ndaluar sot me kërkesë së prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv”.
Lirimi i Gentian Dodës po i kushton shumë gjyqtarit të Apelit Shkëlqim Miri i cili ditën e sotme është ndaluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me akuzën e korrupsionit pasiv. Ka dyshime se gjyqtari i ka marrë 20 mijë euro shtetasit Gentian Doda, për ti zbutur dënimin.
Gentian Doda akuzohej për vrasjen e dyfishtë të Gazmir Dedjes dhe Asllan Gjokës. Ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1997. Gjykata e Matit e kishte dënuar me 20 vite burg në mungesë. Ai qendroi për vite i arratisur dhe në 2012 u kap në Los Angjelos dhe u ekstradua në Shqipëri. Proceset gjyqësore ndaj tij janë ndjekur rreptësisht nga përfaqësues të ambasadës amerikane. Ata janë asistuar në disa seanca gjyqësore ndaj Dodës. Por edhe pse gjyqi ndaj tij ishte mjaft i rëndësishëm, gjyqtari i Apelit Shkëlqim Miri vendosi të bëjë rikualifikojë, duke ndryshuar akuzën nga “vrasje” në plagosje të rëndë.