Grekët fitojnë në Bruksel. PE: Hetim për vrasjen e Kostandinos Kacifas

Në raportin për Shqipërinë që rekomandon çeljen e negociatave, Parlamenti Europian ka miratuar sot edhe një pikë shtesë, ku kërkon zbardhjen e vrasjes së Kostandino Kacias, më 28 tetor në Bularat.

Amendamenti është shtuar në minutat e fundit në raportin përfundimtar dhe është propozuar nga raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein dhe eurodeputeti grek, Nikos Androulakis, Sekretar i Lëvizjes Panhelenike Socialiste.

Ndryshimi mes raportit të propozuar në fillim dhe atij të miratuar në minutat e fundit është i madh. Në pikën 20 të raportit vlerësohet miratimi i ligjit për minoritetet nga Shqipëria, si dhe kërkohet zbatimi i mëtejshëm i bazës ligjore për minoritetet gjuhësore dhe etnike. Kësaj pike, eurodeputetët i kanë shtuar dhe shtojcën (a), ku flitet në mënyrë direkte për vrasjen e ekstremistit Kostancino Kacifas. Në kërkesën e Parlamentit Europian thuhet: “Parlamenti Europian vëren tensionet që kanë ndodhur pas episodit në të cilin Konstandin Katsifas, një anëtar i pakicës kombëtare greke me shtetësi të dyfishtë (shqiptare dhe greke), i cili u vra nga Forcat Speciale të Policisë Shqiptare (RENEA) gjatë kremtimit të përvjetorit për ushtarët grekë të Luftës së Dytë Botërore në Bularat më 28 tetor 2018; (PE) bën thirrje për vetëpërmbajtje nga të gjitha palët dhe pret që autoritetet shqiptare të hetojnë dhe qartësojnë motivet që çuan në humbjen e një jete njerëzore”.

Teksti në dukje nuk ka ndonjë qëndrim të fortë dhe duket si pjesë rutinë e deklaratave. Por këtu nis dhe problemi. Një kërkesë e tillë normalisht nuk duhet të ishte fare pjesë e dokumenteve të Bashkimit Europian dhe aq më pak në dokumentin që lidhet me hapjen e negociatave. Fakti që pala greke, eurodeputetët e saj, kanë arritur t’i imponohen Parlamentit Europian për futjen e vrasjes së një terroristi në shqetësimet e raportit vjetor për integrimin e Shqipërisë është një sinjal i keq.

Kujtojmë se tre javë më parë ishte Parlamenti Eruopian ai që refuzoi kërkesën e dy deputetëve grekë për të diskutuar vrasjen e Kacifas në Komisionin e Punëve të Jashtme. Një pjesë e eurodeputetëve, më të drejtë deklaruan se nuk mund të bënin debat për një çështje ku një person i armatosur qëllonte kundër policisë. Refuzimi i tentativës së deputetëve grekë për ta futur në axhendën e BE çështjen e “Kacifas” u pa qëndrim normal i Parlamentit Europian. Por sot nga një debat, vrasjen e Kacifas është futur në dokumentet zyrtare të Bashkimit Europian dhe kjo do të thotë se historia e terroristit që u vra në Bularat, tashmë mund të shihet si çështje e të drejtave të njeriut dhe shkelje e ligjeve për minoritetet. Kjo është fitorja e parë e politikës greke në raport me Shqipërinë. Ndërsa të gjithë e dinë se në Bularat u qëllua gjatë shkëmbimit të zjarrit një ekstremist që nuk dorëzohej, tashmë pala shqiptare do të duhet t’u jap përgjigje institucioneve të BE, sipas skemës që ka ngritur pala greke.

Kjo do të thotë se argumentet e qeverisë Shqiptare edhe pse të drejta nuk kanë bindur Brukselin dhe PE për atë që ndodhi në Bularat. Në vend të kësaj, eurodeputetët grekë me idenë se në Bularat u vra një “hero i helinzimit” kanë arritur jo vetëm të ndryshojnë rezolutën, por edhe mund të kenë gati kushtet të tjera në momentin që do diskutohet çelja e negociatave.

SHKARKO APP