Grida Duma: Radha e qumështit dhe kandidatët që morën mandatet

Intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputetja e PD-së, Grida Duma: Opozita po e tërheq zvarrë të gjithë axhendën dhe ekzistencën e Ramës

Intervistoi: Redjon Shtylla

Një foto e ish-deputetes së PD-së, Grida Duma me Ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, ngjalli kureshti po për anëtaren e Kryesisë së PD-së, ky takim është pjesë e vijimësisë së diskutimeve dhe për të intensifikimi i dialogut me ndërkombëtarët është domosdoshmëri e plotë e opozitës. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Duma thekson se çdo protestë e opozitës në qendër të Shqipërisë është ndjekur nga një mbledhje antimiting e Ramës në periferi të Shqipërisë. E pyetur nëse ndihen të rrezikuar nga “opozita e re”, Duma nënvizon se nga kjo “tradhti” ka ardhur koha që listat në zgjedhje të jenë të hapura. A sheh zgjidhje për ngërçin politik ish-deputetja Duma? “Dialogu është ofruar nga PD-ja. Pas djegies së mandateve ndërsa u larguam nga çdo status dialogu i vetëm i ofruar ka qënë ofertë e PD; qeveri tranzitore. Një qeveri pa pjesëmarrjen e PD por me kushtin e vetëm pa Edi Ramën. Është një ofertë e drejtë ku është dhënë shembulli pastaj kërkuar zgjidhja”. Në media është përfolur për protestën e 13 prillit, ku Duma thotë se: “Protestat janë këto dhe nuk mund të pritet që ato të kenë një regji më të spikatur sepse dalin nga vërtetësia e tyre”.

Znj.Duma, një takim i juaji me Ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, ngjalli kureshti. Duhet thënë se z.Borchardt e ka quajtur legjitime qeverinë dhe a ishte ky takim për ti dhënë zgjidhje ngërçit politik?

Biseda me ambasadorin Borchard është pjesë e vijimësisë së diskutimeve dhe ndarjes së mendimeve, nuk është e para dhe sigurisht do të vijojë. Kam theksuar dhe do vijoj të theksoj se situata aktuale politike kërkon një kuptim më të thellë të rrethanave. Ndërsa nga njëra anë opozita ka dalë nga sistemi me qëllimin për ta rindërtuar sistemin, nga ana tjetër është po aq e qartë që ndërkombëtarët kanë në detyrën dhe misionin e tyre të forcojnë rrugët institucionale. Ndaj sa më shumë dialog dhe ndarje mendimesh i shërben edhe lehtësimit të punës së ndërkombëtarëve, të cilët duhet të mirëkuptojmë që kanë edhe më shumë vështirësi të kryejnë detyrën në kushte ekstra institucionale. Jam dhe mbetem me besimin që intensifikimi i dialogut me ndërkombëtarët është domosdoshmëri e plotë e opozitës.

Departamenti Amerikan i Shtetit i dorëzoi Kongresit raportin vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve. Në pjesën për Shqipërinë, DASH thotë se ky vend është njëkohësisht burim i kanabisit dhe gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroinën. Si e komentoni?

Nuk mund “të fërkojmë duart” sepse provohet e vërtetë e keqja që kemi paralajmëruar por kurrsesi nuk mund të tolerohet që qeveria të jetë analfabete edhe me raportet e Departamentit të Shtetit. Relativizimi që i bën qeveria raportit tregon që e ka strategji mbulese ndaj partneritetit me krimin. Leximi i drejtë dhe i saktë i raportit shërben për të hedhur piketat për përmirësim dhe për luftë ndaj fenomenit ndërsa kamuflimi është tentativë për ta mbuluar me propogandë.

Nëse ka diçka që rrezikon Integrimin Europian të Shqipërisë është fakti që kanabizimi i vendit u provua që nuk pati pasoja vetëm brenda vendit. Kushdo që e relativizon dëmin që ka pësuar Shqipëria nga prodhimi dhe trafikimi i drogës është një keqdashës me vullnet. Të shumtë kanë qenë ata që kanë thënë që “kanabizimi nuk nisi sot”, që “trafiku i drogës është një realitet i vjetër”, që “më mirë të  jetë prodhimi i kanabisit sepse njerëzia s’ka ku punon tjetër”; kjo është tabloja e Shqipërisë që e pikturojnë si e keqja e përhershme. Në të vërtetë faktet, raportet më të rëndësishme ndërkombëtare vërtetojnë që pika më e keqe për Shqipërinë është kjo e sotmja.

Raportet e Britanisë së Madhe, të Hollandës, të Francës denonconin vitin që shkoi për faktin që grupet e organizuara kriminale shqiptare janë duke kryesuar krimin europian dhe më gjerë. Që prona të rëndësishme në kryeqytetet europiane po bliheshin nga para të zeza të grupeve kriminale shqiptare. Që Shqipëria nuk ishte vetëm një vend prodhues i kanabisit, se kjo do kishte qenë e keqja më e vogël por një portë ndërlidhëse e trafikimit ndërkombëtar të drograve të rënda. Pikërisht sepse krimi i organizuar shqiptar tashmë ishte problem i madh në bulevardet europiane në 6 vite nuk pati as hap më tej në avancimin e hapjes së negociatave.

Vende si Hollanda dhe Franca kanë shprehur dyshimin që duhet të rishikohen vizat me Shqipërinë. Fatkeqësisht edhe një vit më pas këtyre alarmeve, raporti i Departametit të Shetit e provon pikërisht këtë.

Ballkani po përjeton “stinë protestash”. Ndryshe nga situata në Serbi, aty ku Presidenti Vuçiç pranoi zgjedhjet e parakohshme, duket se qeveria “Rama 2” duket e pa shqetësuar nga protestat e opozitës në sheshe. Keni ju mjete për ta detyruar Ramën për të dhënë dorëheqjen?

Rama doni të thoni, se qeveri nuk ka! Sigurisht kur ju thoni “duket”, në fakt jeni duke përshkruar padurimin tuaj dhe të qytetarëve për rënien përfundimtare të Ramës. Opozita po e tërheq zvarrë të gjithë axhendën dhe ekzistencën e Ramës. Ndërsa opozita proteston në kryeqytet, Rama largohet dhe detyrohet të mbledhë në sheshe qytetesh administratën. Çdo protestë e opozitës në qendër të Shqipërisë është ndjekur nga një mbledhje antimiting e Ramës në periferi të Shqipërisë.

Kongresi i Partisë Socialiste kishte vetëm një kryefjalë dhe kallzues, Partia Demokratike bën këtë dhe atë. Në gjithë kongresin e PS-së është folur vetëm për PD-në. Rama fliste me të vetët vetëm për ne. Një kongres i shfazuar në verb, ndërsa nuk u dëgjua asnjëherë PS-ja sepse socialistëve u buçiste në veshë shqetësimi që e godet Ramën në mendje, PD-në. Pikërisht sepse është jashtë çdo normaliteti Rama po luan teatrin e normalitetin, ndërsa bën përpjekje të çdo minuti si të krijojë opozitën farsë.

Sikur Policia e Shtetit të mund të angazhohej për sigurinë e qytetarëve dhe për luftën ndaj krimit ashtu siç angazhohet kundër protestuesve sigurisht që Shqipëria do të ishte një vend shumë më i sigurt dhe në atë rast shqiptarët nuk do zgjoheshin e ngryseshin me lajmet e kobshme të vrasjeve të përditshme.

Sa e shqetësuar është PD-ja për kandidatët të cilët po rendin shumë drejt Kuvendit për të zënë vendet që ju keni lënë bosh, pasi ata po kërkojnë edhe të krijojnë grupe parlamentare? A do të jenë këta deputetë të rinj zgjidhja apo kjo do të çojë kjo në një ashpërsim të situatës?

Karrierat dhe vendimet personale të disa individëve janë vendime e përgjegjësi e tyre. Një parti politike apo një forcë politike është e tillë jo se është një bashkim matematikor individësh. Gidens bën dallimin mes grupit dhe agregatit.

Grupi është një bashkim individësh që janë bashkë se varen nga njëri-tjetri në besime dhe qëllim, janë shpatulla e mendje për njëri-tjetrin në ekzistencën e tyre. Agregati është një grup njerëzish që janë në të njëjtin vend në të njëjtën kohë por nuk ndërvaren nga njëri tjetri në besime apo qëllime, një agregat për shembull është radha e qumështit dhe ai është një grupim sasior por jo një grup. Nëse përdorim metaforën e mësipërme, asnjë zgjidhje nuk ka ardhur nga ata që mbajnë radhën e qumështit, në kohërat kur mungonte qumështi e vetmja gjë që ndodhte ishte që radha bëhej më e gjatë.

Se sa e shqetësuar është PD-ja për këtë nuk mund të jap një përgjigje gjithëpërfshirëse por mund të them që shqetësimi është i natyrës morale jo i natyrës problemore. Sigurisht pas kësaj ka vend për të reflektuar më thellë për listat e hapura në një parti, ku kontributi dhe sakrifica lidhen pazgjdhshëm me logon e partisë, në mënyrë që të krijohet një lidhje më shumë organike mes qëllimit të organizatës dhe kandidatëve në listë.

Opozita po proteston sa herë ka seancë plenare, si edhe keni vendosur 13 Prillin si datën e protestës së madhe. Pse kjo natyrë proteste? Nëse nuk reagim dhe zgjidhje, si do të reagojë PD-ja?

Protestat kanë kuptim të ndodhin pikërsht atje ku gjeografia bashkohet me historinë. Po ashtu nëse bëni një vështrim në të shkuarën e afërt do të numëroni një numër të madh protestash të PD në këto 6 vite. Ka pasur në to simbolika, zë qytetarësh dhe jo politikanësh, ka pasur butafori në pankarta, simbolika në grupime të rinjsh dhe reagime të forta të lira të qytetarëve. Protestat janë këto dhe nuk mund të pritet që ato të kenë një regji më të spikatur sepse dalin nga vërtetësia e tyre. Besoj që ajo çka po dallon është që ende opozita po ruan me maturi e përgjegjshmëri të kanalizojë mirë revanshin edhe më të fortë qytetar ndaj Ramës.

z.Rama ju ka ftuar si opozitë për dialog për të zgjidhur këtë ngërç politik por ju thoni që nuk ka bisedime me Edi Ramën. Por me kë do të bisedojë opozita dhe a rrezikon vendi të destabilizohet pas valës së protestave të opozitës, një dekadë pasi u anëtarësua në NATO?

Dialogu është ofruar nga PD-ja. Pas djegies së mandateve ndërsa u larguam nga çdo status dialogu i vetëm i ofruar ka qënë ofertë e PD-së; qeveri tranzitore. Një qeveri pa pjesëmarrjen e PD-së por me kushtin e vetëm pa Edi Ramën. Është një ofertë e drejtë ku është dhënë shembulli pastaj kërkuar zgjidhja.

Një “valë pastrimi” po ndodh me shërbimin diplomatik. E shihni si sulm siç thuhet ndaj ish-ministrit Ditmir Bushati, apo proçes të nevojshëm? Si njohëse e mirë e diplomacisë dhe dini rëndësisë e saj, për ju kjo “fshesë”në prag të marrjes së përgjigjes për hapje ose jo të negociatave me BE-në, si ndikon?

Asgjë thelbësore. As tërheqje vëmendje nuk është, janë proçedura administrative që duhet të merren punonjës të nivelit të tretë të ministrisë. Politika e jashtme ka dy kollono themelore, lobimi për investimet e huaja dhe integrimi europina, çelja e negociatave, te tjerat jane muhabete mejanesh. Nëse janë lëvizje kundër nepotizmit ato vlejnë vetëm nëse kthehen në rregulla dhe kritere. Nëse ka pasur nepotizëm atëherë jo të shkarkohen por të ndëshkohen ata që kanë kryer nepotizmin. Nëse eleminohet nepotzmi atëherë të paraqitet se çfarë duhet të ndryshojë në kriteret e rekrutimit që të zhduket në sistem.

SHKARKO APP