Grupet kriminale. Ministri Xhafaj: Informacionet i kemi. Jemi gati për goditje

Ministria e Brendshme ka mbledhur gjithë informacionin e duhur për grupet kriminale që veprojnë në territorin e Shqipërisë dhe shumë shpejt do të nisë goditja e tyre. Paralajmërimi i aksionit është bërë sot nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në konferencën rajonale me temë “Lufta ndaj krimit të organizuar”.

“Ka përfunduar faza paraprake, ajo e katalogimit të grupeve kriminale me të dhëna për persona, lidhjet e tyre kriminale, aktivitetet e rënda kriminale të dyshuara se kryhen prej tyre, pasuritë që zotërojnë, investimet ekonomike të bëra me të ardhura nga aktiviteti kriminal, zonat e ndikimit, lidhjet me grupe të tjera jashtë vendit apo mbështetjet e siguruara në vite për të lehtësuar veprimtarinë e tyre. Tashmë ka filluar edhe veprimi konkret dhe rezultatet e para janë pozitive”,- tha Xhafaj.

Në komunikimin me mediat, Ministri Xhafaj u tregua i kujdesshëm të mos jepte shifra dhe as detaje për kohën dhe mënyrën sesi do të goditen këto grupe kriminale. Xhafaj tha se pozicioni si ministër nuk i lejon të merret me detaje që kanë të bëjmë me karakterin operacional. Xhafaj shtoi se do të jetë Policia e Shtetit ajo që do të kryejë operacionet në momentin e duhur.

Duke komentuar çështjen e organizatave kriminale, Xhafaj tha se ky fenomen nuk ka më karakter lokal apo thjesht ndërkufitar, por është shndërruar në një fenomen global.

Deklarata e Ministrit Xhafaj vjen një ditë pas publikimit të një raporti shokues për veprimtarinë e organizatave kriminale dhe familjeve kriminale në Shqipëri. Një studim i financuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, me autor Fabian Zhilla dhe Besford Lamallari, vë në dukje se në Shqipëri janë të paktën 40 organizata dhe familje kriminale që veprojnë në gjithë territorin. Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri, Elbasani, Vlora dhe Berati janë qytetet ku veprojnë organizatat kriminale. Studimi bazohet në intervistat e prokurorëve dhe oficerëve të lartë të policisë, të cilët në kushte anonimati, thonë se ka të dhëna që familjet kriminale shqiptare, bashkëpunojmë me mafien Italiane dhe atë izraelite. Studimi, i pari i këtij lloji në Shqipëri, jep të dhëna alarmante për lidhjen e familjeve kriminale me politikën, median dhe segmente të shtetit.

Dy muaj më parë ishte ambasadori amerikan Donald Lu që foli për organizata të rrezikshme kriminale që operojnë në Shqipëri. Ambasadori tha se janë 4 klane të fuqishme që operojnë në Shqipëri dhe 20 familje kriminale.

Deklarata e sotme e ministrit Xhafaj lë të kuptohet se shumë shpejt do të nisë goditja ndaj këtyre organizatave kriminale. Historia e bandave kriminale është e njohur në Shqipëri gjatë vitit 1997. Më pas, në vitin 2005 qeveria “Berisha” dhe ministri i asaj kohe Sokol Olldashi nisën një aksion kombëtar kundër grupeve kriminale në Vlorë, Fier, Durrës, etj. Kjo është hera e parë që pas vitit 2005 që qeveria pranon se në territorin  e vendit jo vetëm ka banda të rrezikshme, por strukturimi i tyre ka kaluar në nivel më të lartë, atë të organizatave kriminale me karakter mafioz.

Denoncimet publike kanë qenë gjithmonë për bandat. Goditja e tyre është kërkuar nga ambasadori i SHBA dhe ekspertë vendas dhe të huaja kanë bërë dokumentimin e veprimtarisë së tyre. Tashmë mbetet që Policia e Shtetit dhe vullneti politik i qeverisë të vihet në veprim dhe t’i godasë në kohë.

RAPORTI/Ja familjet mafioze në Shqipëri

Harta e grupeve kriminale në Shqipëri, sipas studimit të autorëve; Fabian Zhilla dhe Besford Lamallari   

SHKARKO APP