Grupi i biznesëve të ndërtimit- grup droge i strukturuar kriminal
Në Shqipëri ka biznesmenë ndërtimi që pa asnjë justifikim për burimin e të ardhurave financiare financojnë dhe ndërtojnë, duke pastruar paratë e tyre të pista të krimit. Policia dhe Prokuroria kanë filluar të kërkojnë se si i kanë vënë këto prona e pasuri kur dihet se nuk kanë asnjë biznes të ligjshëm para se të investojnë në ndërtime. Natyrisht që nga droga dhe veprimtari të pastra kriminale pasi nuk ka se si të justifikohet ndryshe. Prandaj kjo kategori biznesi kriminal blen politikën më pas, i bën edhe deputetë dhe e shkatërrojnë demokracinë.
Shteti duhet të reagojë urgjent, pasi kjo kategori po blen politikën, drejtësinë, median, etj.
Por çfarë ka ndodhur dje?
Jurgen (Miri) Molla, 38 vjeçari nga Lezha që ka ndërtuar në Tiranë disa komplekse pallatesh, është arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si organizatori kryesor i trafikut të heroinës, hashashit dhe kokainës në vendet e Ballkanit dhe më gjerë. Ndërtuesi i njohur në zonën e Yzberishtit, që zotëron “Kompleksin Molla”, ka bashkëpunuar me tre biznesmenë të tjerë Shyqyri Kotorri nga Përmeti, Anesti Koromani nga Skrapari dhe Nuredin Nazëraj pronar i hotel “Delfin” në Vlorë.
Jurgen Molla përgjohej prej disa kohësh dhe në një nga bisedat e tij ai ka thënë se ka paguar 150 mijë euro për të larguar prokurorin e që po hetonte arrestimin e bashkëpunëtorit të tij Arben Prendi, të arrestuar në vitin 2015 me 20 kilogram heroinë në doganën e Morinës. Biseda e përgjuar, sipas Shqiptarja.com, ka ndodhur mes Jurgen Mollës dhe nënës së Arben Prendit.
Në bisedë përmendet emri i prokurorit të të transferuar. Ai është Anton Martini, ish -Prokurori i Krimeve të Rënda, për të cilin Molla i thotë nënës së Prendit se kishte mbaruar punë, duke e larguar për në Shkodër dhe se për këtë kishte paguar 150 mijë euro.
Faktet korrespondojnë me bisedën, vërtetësia e së cilës mbetet për t’u provuar.Arben Prendi u kap në doganën e Morinës në qershor të vitit 2015, siç thuhet në njoftimin e policisë për ngjarjen:
“Si rezultat i një operacioni antidrogë, në Kukës janë kapur 20 kilogram drogë e llojit heroinë e cila po transportohej me kamion nga Kosova drejt Shqipërisë. Droga u kap në doganën e Morinës dhe po transportohej nga shtetasi Aben Prendi 43 vjeç i cili drejtonte kamionin me traga AA09 IS. Sasia e heroinës ishte fshehur në kabinën e kamionit. Është bërë menjëherë ndalimi i drejtuesit të mjetit ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë”.
6 muaj më vonë, me propozim të Këshillit të Prokurorisë, kryeprokurori Ardiatik Llalla transferon në Shkodër prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martinin, që po hetonte mbi rastin e 20 kilogramëve kokainë të kapur në Morinë dhe kishte hetuar disa çështje të tjera të bujshme. Në mbledhjen e dhjetorit të vitit 2015 u transferuan edhe 6 prokurorë të tjerë.
Për përmbajtjen e telefonatës janë vënë në dijeni edhe krerët e prokurorisë shqiptare. Përmbajtja e përgjimit korrespondon me lëvizjen e prokurorit, por nuk është provuar nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra – tjetrën dhe nëse janë paguar vërtet 150 mijë euro për të larguar Martinin nga hetimet. Arrestimi i Mollës dhe grupit të tij prej 30 anëtarësh mund të hedhë më shumë dritë. Grupi i Jurgen Mollës është hetuar prej më shumë se 1 viti nga prokurori Martini. Disa korrerë që Molla i përdorte për transportin e drogës janë arrestuar gjatë këtyre hetimeve. Operacioni “Ballkan” i drejtuar nga DEA dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, i zhvilluar në Shqipëri, Maqedoni, Bullgari e Greqi çoi në arrestimin e 30 personave dhe shpalljen në kërkim të 23 të tjerëve.7 persona janë kapur në në Tiranë, Durrës, Kukës e Fier.
1. Jurgen Molla, 38 vjeç, lindur në Lezhë e banues në Tiranë. Ai është bashkëpronar në firmën e ndërtimit “MOLLA shpk”, nën emrin e së cilës është ndërtuar një kompleks pallatesh në zonën midis Yzberishtit dhe Kasharit. Njihet edhe me emrin Miri Molla.
2. Shyqyr Kotorri, 38 vjeç, lindur e banues në Kreshovë, Përmet, investitor në fushën e ndërtimeve;
3. Anesti Koromani, 35 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë, investitor në fushën e ndërtimeve. Aktualisht i arrestuar;
4. Nuredin Nazëraj, 63 vjeç, i njohur si Dilo Nazëraj, pronar i një hoteli luksoz në Vlorë;
5. Lulzim Qorri, 42 vjeç, lindur e banues në Grabian të Lushnjës;
6. Denis Sinameta, i njohur si Roland LLeshi, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë.
7. Blerim Ukimeraj, 39 vjeç, lindur e banues në Kosovë.
Ndërkohë më herët janë arrestuar edhe 7 persona të tjerë, ndërsa janë shpallur në kërkim 2 anëtarë të grupit kriminal.
• Në Shqipëri janë arrestuar 14 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë;
• Në Greqi janë arrestuar 10 shtetas dhe 10 janë shpallur në kërkim;
• Në Maqedoni janë arrestuar 5 shtetas dhe 7 janë në kërkim;
• Në Bullgari është arrestuar 1 shtetas;
• Në Kosovë 4 persona janë shpallur në kërkim.
Në total janë sekuestruar:
• 26.6 kg lëndë narkotike Heroinë, nga të cilat 16 kg në Shqipëri
• 1.8 kg lënë narkotike e llojit Kokainë në Greqi
• 183.6 kg lëndë narkotike e llojit Canabis Sattiva
• 33.615 euro në Greqi, 4700 euro dhe 1.5 milion lekë në Shqipëri
• 4 armë të ndryshme në Greqi
• 7 automjete me vlerë mbi 200 mijë euro në Shqipëri
• 68 aparate celularë, si dhe një sasi e konsideruehsme kartash telefonike, karta bankare etj.
Në kuadër të këtij operacioni janë bërë gjatë harkut kohor të 15 muajve goditje të rëndësishme si:
• Në datë 29 qershor 2015, në Morinë u arrestua në flagrancë shtetasi Arben Prendi, pasi në kamionin me targa AA 090 IF u bllokuan me cilësinë e provës materiale 15.2 kg Heroinë
• Në datë 18 shtator 2015 pas informacionit të dhënë nga pala shqiptare janë arrestuar në Selanik 2 shtetas turq me 5 kg heroinë.
• Në datë 15 dhjetor 2015 nga autoritete greke janë arrestuar 8 shtetas shqiptarë dhe janë shpallur në kërkim 10 të tjerë.
• Në datë 30 nëntor 2015 në qytetin e Pogradecit është arrestuar shtetasi Viktor Behaj me një sasi prej 5.1 kg Cannabis Sativa
• Në datë 21 mars 2016, në autostradën Fushë Krujë – Vorë nga kontrolli i ushtruar në mjetin AA 221 IS, u gjet sasia prej 560 gramë, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Heroinë dhe u arrestuan shtetasit Anesti Koromanin dhe Romeo Beqa.
Shtetasit Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri dhe Anesti Koromani dyshohet të jenë në rolin e financuesit dhe të organizatorit të këtij aktiviteti për sigurimin e trafikimin e lëndëve narkotike nga Turqia në drejtim të Shqipërisë, për llogari të interesave të grupeve kriminale që operojnë brenda dhe jashtë vendit.