Grupi i Ervis Martinaj dhe grupi i Ben Ndokës, aleancat dhe armiqsitë
Dosja e SPAK që zbardh përgjimet e SKY ECC hedhur dritë për herë të parë në luftën e nëndheshme mes bandave për kontrollin e lojërave të fatit, që dolën jashtë ligjit në vitin 2018. Me vendim të shumicës socialiste, kumari u ndalua, por ajo që ndodhi në të vërtetë ishte nisja e një lufte mes emrave më të njohur të krimit për kontrollin e tregut me vlerë disa qindra miliona dollarë.
Për herë të parë, prokurorët e SPAK kanë mundur të krijojnë një panoramë se si u ndanë të fortët e Vlorës, Tiranës, Durrësit, Krujës, Lezhës dhe Shkodrës në përpjekje për të sunduar tregun e bixhozit. Kështu në dosjen e SPAK janë përgjimet e SKY ECC që zbulojnë aleancën mes dy grupeve të mëdha.
Në aleancën e parë ishte mes bosit më të madh të kumarit, që kishte trashëguar para dhe eksperiencë gjatë qeverisjes së PD para 2013, Ervis Martinajt dhe ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arbën Ndokës, me reputacion në Lezhë për kontrollin që kishte mbi institucionet shtetërore të qarkut edhe pas dorëheqjes si deputet.
Ky ishte boshti i aleancës së parë, që sipas dosjes së SPAK u “pasurua” edhe me grupe të tjera, që kërkonin akses në biznesin e kumarit dhe kontroll lokal në qytetet e tyre. Ishin Avdylajt e Shijakut, të njohur për publikun pas përgjimeve të dosjes 339, kur ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako u kërkonte ndihmë për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 2017. Ishte Emiljano Shullazi nga burgu 313, në kohën kur i bëhej gjyqi për gjobëvënie dhe vepra të tjera kriminale. Me të njëjtin grup u afrua edhe Viktor Ymeri, vlonjat, ish-i dënuar që përfitoi nga “reforma në drejtësi” dhe përmbysi dënimin me burg të përjetshëm, për t’u kthyer sërish në bur,g ku pret dënimin për vrasjen e Vajdin Lames shkruan lapsi.
“Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martinaj, kontakton shtetasin Viktor Imeri, i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit Fatmir Hyseni. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit Emiljani Shullazi dhe A.Avdylaj, të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bami, etj.
Emiljano Shullazi kontakton me të hetuarin T. B., të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bami. Po kështu Emiljano Shullazi, siguron informacione për lëvizjet e Durim Bami. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit Arben Ndoka”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Në grupin e dytë, SPAK thotë se bën pjesë Durim Bami, i forti i Niklës që dikur iu prezantua Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri si vrasës me pagesë që kishte marrë porosi të vriste Tom Doshin, por që më pas ishte penduar. Bami, i njohur për ndikimin në Krujë kishte kompaninë e tij të basteve dhe refuzonte t’i nënshtrohej monopolit të Ervis Martinajt. Përveç tij në grupin e dytë ishte edhe Leonard Duka, i fiksuar për të vrarë Ervis Martinajn, që kur ky i kishte marrë peng të atin. I rekrutuar për të goditur Ervis Martinajn ishte edhe Fatmir Hyseni, i njohur si “Doqja” i Vlorës, që mendohet se ishte ekzekutor i Santiago Malkos në Tiranë dhe atentor i Inez Hajrullës në Vlorë.
“Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami, i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit E.M., dhe që drejtohet nga shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni., persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.”
Në njoftimin e SPAK u shpërndanë disa foto me çanta me para, bizhuteri dhe makina me vlerë deri në 3 milion euro. Por krahasuar me qindra miliona euro që janë qarkulluar këto vite me bastet ilegale, sekuestrimet e policisë janë një pikë në oqean.
Kur vendosi të mbyllë lojërat e fatit, në fund të vitit 2018 kryeministri Edi Rama u shpreh se “Me ndalimin e basteve ne kalkulojmë një mesatare 700 milionë euro që shkojnë nga llumi dhe lumi i basteve në konsumin racional të familjeve”.
Shifra 700 milion euro që përmendi Rama ishte shumë e ekzagjeruar, të paktën nëse krahasohej me deklarimet zyrtare të kohës. Në vitin 2017, qarkullimi vjetor i bixhozit (kazinove, basteve, loto, bingo, lotari) llogaritej të ishte rreth 132 milionë euro.
Nga 1 Janari i vitit 2018, qeveria Rama e ndaloi me ligj kumarin, përveç një kazinoje në Tiranë. Në realitet, bastet sportive nuk u ndalën asnjëherë. Tregu thjesht kaloi në ilegalitet të plotë, duke u shndërruar në një xhungël ku mbijetoi më i forti. Në gusht të vitit 2022, familjarët e Ervis Martinajt dënoncuan zhdukjen e tij që ende sot mbetet mister.
Ndërsa gazetari investigues Artan Hoxha te new24 tha se “Operacioni ka qenë i madh, shtrirë në disa vende të Shqipërisë, por janë përfshirë edhe policitë e shteteve europiane. Operacioni ka qenë sfidë për institucionet tona. Janë sekuestruar 4.5 milionë euro. Do të ketë zhvillime të reja për këtë operacion. Janë 4 procedime, që janë bashkuar. Janë katër dosje të mëdha dhe janë mbledhur në një procedim të vetëm. Më 10 maj, SPAK ka dorëzuar kërkesat për 49 urdhër-arreste. Grupet kriminale janë vënë në alarm sepse po kuptonin se po bëhej operacion i madh. Kjo mund të jetë arsyeja e arratisjeve. Arben Ndoka familjen e vet e ka dërguar në Itali, ka qenë edhe në Dubai. Kemi grupin e Shijakut, ku janë Avdylët. Kemi në Durrës Plarent Dervishin, Lulzim Berishën, po aty përmendet edhe rasti i Indrit Dokles dhe një grupi të tij. Kemi Shkozetin, kemi Lezhën, Shkodrën, Niklën, Kurbinin, Fushë Krujën. Për Shkozetin, ky grup është ndër grupet më të rrezikshme në vend. Aty janë gjetur edhe paratë dhe kishte banesa, që kishin edhe kamera. Kemi edhe Sukthin, ku u identifikua edhe grupi i Pojës ose grupi i Troplinëve. RENEA e ka rrethuar zonën 24 orë, është menduar se mund të ketë edhe rezistencë. Grupi i Shkozetit ishte një grup që nuk i përmendej emri, por ndoshta edhe për faktin se nuk i gjendeshin prova. Përplasja mes grupit të Tiranës dhe Shkozetit ka qenë tragjike. Grupi i Shkozetit ka rezultuar i fuqishëm dhe kjo nënkupton se ky grup ishte i fuqishëm. Grupi i Shkozetit është bërë i njohur për shkak të vrasjes së Edison Harizajt dhe ekzekutimit të Edmond Çekiçit dhe më pas nisi përplasja me Ervis Martinajn. Janë grupe që kanë pasur edhe lidhje politike”- përfundon Hoxha.