Hakmarrja e Athinës. Rinis operacionet “fshesa”. 100 shqiptar kthehen në kufi
Pas tensioneve mes Greqisë dhe Shqipërisë për Himarën dhe Çështjen Çame, hakmarrja e Athinës nuk ka vonuar.
Qëndrimet e prera të kryeministrit, Edi Rama në Parlament për çështjen çame, Himarën dhe anulimin e ligjit të luftës nga Greqia kanë sjellë reagimin e autoriteteve greke.
Brenda 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Kakavijës, pala greke ka kthyer mbi 100 shqiptarë. Argumenti i përdorur kësaj here ka qenë mungesa e dokumenteve dhe fakti i mosdisponimit të një shume prej minimum 100 euro në ditë për të hyrë në zonën Shengen.
Në prononcime për “Neës24”, qytetarët shqiptarë të kthyer në kufi janë shprehur të irrituar për këtë qëndrim të palës greke në kufi. “Jemi kthyer pa arsye, dokumentat i kemi të rregullta, nuk po marrim vesh asgjë”, – janë shprehur ata.
Në fakt kthimi i shqiptarëve në kufi nga pala greke nuk është një fenomen i rrallë. Kujtojmë se më herët argumenti “klasik” që përdorte pala greke ka qenë prishja e kompjutereve që ka fiksuar në memorie rradhët kilometrike të emigrantëve shqiptarë që prisnin me orë të të tëra për të kaluar në tokën helene. Ndërkohë operacionet “fshesa” të policisë greke njihen më së shumti gjatë viteve 1990-2005, kur për ccdo tension diplomatik Tiranë-Athinë, autoritet helene dëbonin mijëra emigrantë shqiptarë.
“Fshesa” në kufi po ndodh ndërkohë që në Tiranë ndodhet edhe drejtori i Policisë Greke Konstantinos Tsouvalas, i cili po sot pati një takim me homologun e tij shqiptar, Haki Çako. Palët sipas njoftimin zyrtar vlerësuan si mjaft të mira marrëdhëniet mes dy policive por duket se as kjo shprehje vullneti nuk mjafton.
Pas problematikës së shfaqur ditët e fundit për kthimin e disa shtetasve shqiptarë në kufi edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri zhvilloi vetëm 24 orë më parë një takim me Drejtorin e Policisë greke, Konstantinos Tsouvalas. Tahiri i bëri me dije Tsouvalas se ka vërejtur me shqetësim rritjen e numrit të shtetasve shqiptarë të kthyer në kufirin me Greqinë. Ai kërkoi nga pala greke të respektohet lëvizja e lirë e shtetasve në zonën “Shengen” dhe të mos kthehen shtetas shqiptarë në kufi pa shkaqe ligjore e të motivuara mirë.
Por as kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga Athina zyrtare, që duket se ka vendosur të “hakmerret” ndaj toneve në rritje të Tiranës zyrtare që kohët e fundit ka insistuar fort në respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Greqi, zgjidhjen e çështjes çame e anulimit të ligjit të luftës si dhe ka vendosur “vijën e kuqe” sa i përket Himarës, duke kërkuar mosndërhyrjen e Athinës në punët e brendshme të Shqipërisë për sa kohë kemi të bëjmë me një zonë të banuar nga shqiptarë. BW