Haradinaj: Edi Rama ndihmon Kosovën vetëm duke zhvilluar Shqipërinë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar për deklaratat e Edi Ramës në Kuvendin e Kosovës, gjatë festimeve të 10-vjetorit të Pavarësisë.
Haradinaj është shprehur se Kosova nuk ka nevojë për leksione nga askush. Kryeministri i Kosovës shton se mënyra sesi Edi Rama mund të ndihmojë Kosovën është duke zhvilluar Shqipërinë. “I kam thënë Edi Ramës se mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam. Edi Rama e ndihmon Kosovën vetëm duke e zhvilluar Shqipërinë”, tha Haradinaj.
Kreu i Qeverisë së Kosovës i bëri komentet gjatë qëndrimit në qytetin e Mitrovicës, ku po shënohet përvjetori i grevës së minatorëve. Haradinaj tha se nuk ka qëllim për të hyrë në debate të panevojshme, “sepse jemi vëllezër”. “Por, duhet ta kuptojnë që Kosova ka njerëz, nuk munden me ardhë me mbajt leksione. E dojmë popullin tonë. Por është me rëndësi me kry punët tona”, u shpreh Haradinaj.
Deklarata e kryeministrit të Kosovës vijnë pas qëndrimeve të Edi Ramës që kanë shkaktuar mjaft polemika. Në Kuvendin e Kosovës, Rama tha se pas 10 vitesh dy vendet do të kenë një president të përbashkët.
Një ditë më parë, në një intervistë në “Klan Kosova”, Kryeministri shqiptar kritikoi kryeministrin e Kosovës për qëndrimin e mbajtur për demarkacionin me Malin e Zi. Sipas Edi Ramës, bllokimi i ndarjes së kufirit me Malin e Zi ishte një problem i shpikur nga politikanët në Kosovë. Kjo deklaratë e Ramës sulmonte qëndrimet e homologut të tij kosovar, Ramush Haradinaj.
Të dyja qëndrimet e Ramës për Presidentin dhe demarkacionin shkaktuan jo pak debate në Prishtinë dhe në Tiranë. Kryeministri Haradinaj, në cilësinë edhe të mikëpritësit të homologut shqiptar nuk reagoi gjatë ditëve të festimeve për këto qëndrime të Edi Ramës. Ndërkohë deklaratat e Edi Ramës kanë sjellë dhe reagime në BE, Serbi dhe Greqi, duke i cilësuar ide të tilla si të dëmshme. Për serbët, fjalimi Ramës është pjesë e “strategjisë për Shqipërinë e madhe”. Ndërsa në qëndrimin e BE thuhet se deklarata të tilla nuk i shërbejnë stabilitetit në rajon.
Por sot nga Mitrovica, politikani Haradinaj i ka kthyer një përgjigje të matur Edi Ramës. E para, që si Shqipëria dhe Kosova nuk kanë nevojë për leksione nga njeri-tjetrit. E dyta është që mënyra më e mirë që dy vendet të ecin përpara është që të zhvillohen. Haradinaj thotë hapur se një Shqipëri e fortë dhe e integruar në BE është ndihma më e mirë që Tirana zyrtare mund të japë për Kosovën.