Haradinaj telefonon Ilir Metën pas lirimit: Faleminderit për mbështetjen
Pas lirimit me kusht nga gjykata e Francës, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e Kuvendit, Ilir Meta.
Zyra e Shtypit e Parlamentit njofton se gjatë bisedës, Ramush Haradinaj falënderoi kreu e Kuvendit, Ilir Meta për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar. Nga ana e tij, “kreu i Kuvendit Meta shprehu mbështetjen në vazhdim”.
Që pas arrestimit të tij në datën 4 Janar, Kreu i Kuvendit, Ilir Meta mbajt qëndrime të forta në cilësinë e drejtuesit të Parlamentit, por edhe si Kryetar i LSI-së për lirimin e Ramush Haradinajt. Kreu i Kuvendit zhvilloi disa ditë më parë një vizitë në Kosovë, ku u takua me drejtues të institucioneve dhe faktor politikë në Prishtinë, për koordinimin e qëndrimeve lidhur me arrestimin e Haradinajt.
Më herë, gjatë ditës së sotme, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë komentoi dhe vendimin e Gjykatës së Kolmerit për lirimin me kusht të Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Meta tha se ky vendim është ende jo i plotë dhe beson se drejtësia franceze do të japë verdiktin e saj përfundimtar, duke e çliruar Kryetarin e AAK-së nga të gjitha akuzat e vjetra që vijnë nga Serbia. “Zoti Ramush Haradinaj duhet të kthehet sa më parë pranë familjes së tij në Kosovë e njerëzve të tij të dashur. AAK dhe simpatizantët e saj, të gjitha dashamirësit, mbështetësit dhe qytetarët e Kosovës, të cilët ngritën zërin kundër kësaj padrejtësie dhe e mbështetën pa kushte janë në pritje të kthimit të tij në vendin, tek e ardhmja e të cilit ai beson aq shumë”,- nënvizoi Meta.
Haradinaj: Kurrë nuk është mjaft të punosh për vendin tënd!
Pak orë pasi fitoi lirinë me kusht, Ramush Haradinaj ka reaguar për herë të parë që pas ndalimit nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër-arresti serb. Ai ka komunikuar përmes rrjeteve sociale shkurtimisht për të falenderuar dhe shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që e mbështetën në këto ditë.
“Të nderuar qytetarë, gjithë këto ditë dhe nga të gjitha anët e globit, me zërin dhe me dinjitetin tuaj, më keni bërë të ndihem krenar! Më keni bindur se kurrë nuk është boll të punosh për vendin tënd!”, shkruan Haradinaj. Këtë të enjte, gjykatat franceze e liruan me kusht ish-kryeministrin e Kosovës. Sipas vendimit të gjykatës, Haradinaj duhet të paraqitet dy herë në javë tek autoritetet dhe të qëndrojë në territorin francez. Lirimi me kusht i ish-komandantit të UÇK-së vjen dy ditë pasi Ministria e Drejtësisë në Serbi u dorëzoi autoriteteve të Parisit kërkesën për ekstradimin e tij.
Lajme të tjera në “Koha Jonë” për çështjen Haradinaj:
Rama: Mirëukthefsh në Prishtinë i dashur Ramush
Lirimi i Haradinajt, Basha: Padrejtësia mos përsëritet më
Ben Blushi: Cilësia më e lartë e heronjve është maturia!
Pacolli kërkon që Haradinaj të hiqet nga lista e INTERPOL
Kryeministri serb mbledhje të jashtëzakonshme pas vendimit të Francës
Avokatja franceze e Haradinajt: Kërkesa për ekstradim duhet të refuzohet
Avokati: Ja sa do të zgjasë lirimi me kusht i Haradinajt
Fotografi nga seanca ku u shqyrtua lirimi i përkohshëm i Haradinajt
Blic: Ish-presidenti Behgjet Pacolli “blen” lirimin e Haradinaj
Vendimi për Haradinaj, jo i plotë. Të çlirohet nga çdo akuzë serbe