Henri Çili “masakroi” sot Andi Bushatin për një status në Facebook

Ka reaguar Henri Çili për një shkrim të Andi Bushatit botuar në lapsi.al para disa ditëve.

Bushati për Çilin

Sot në gazetën Mapo botuesi i saj Henri Çili kishte bërë një shkrim tmerrësisht të gjatë pas një statusi vetëm dy radhë në Facebook të Andi Bushatit ku ai ironizonte thirrjen e gazetarit, pronar dhe botues për të votuar edhe një mandat tjetër Ramën si një kryeministër reformist.

Përgjigjja e Bushatit: ” Të gjithë i dinë arsyet e vërteta të qëndrimeve publike të Çilit. Këtu nuk është puna nese ka ndëruar ai idetë apo jo. Unë nuk kam asgjë kundër njerzve që mund të ndryshojnë, bindje, ide, emër, seks, qytet apo kombësi. Por Çili fatkeqësisht nuk bën zgjedhje të vullnetshme. Prandaj më shumë sesa replika ai meriton citimin e një shkrimtari, që kryeministri i tij i radhës e ka shumë për zemër dhe e përdor vend e pa vend. Unë e kujtoj shpesh këtë shprehje të Milan Kunderës: “Të marësh seriozisht, njerëz të cilëve u mungon krejtësisht serioziteti, është të humbasësh seriozitetin tënd”.

“Koherenca është çështje metode dhe jo amatori sikurse ti je, Bushat!”

Nga Henri Çili 

Replikë me Lapsi.al

“… i vinte për të qeshur” Andi Bushatit, siç shprehej në një status në Facebook, në lidhje me një shkrim timin të ditës së hënë, përfaqësues i linjës editoriale të gazetës Mapo, me titull: “Cikli i reformist i Ramës duhet të vazhdojë edhe një mandat tjetër”. Po ashtu lapsi.al, ku ish-kolegu Bushati është kryeredaktor, kishte një shkrim denigrues pa emër, krejt në papërputhje me traditën e gazetarisë etike dhe të ndershme, të cilën vetë Bushati e ka ushtruar dikur. Të dyja më bëjnë të lidh një fenomen: Fenomenin e një amatori dhe dogmatiku të çështjeve publike siç është Andi Bushati. Por jo vetëm aq. Sikur të dyja këto të mos mjaftonin, edhe të një moralisti pa asnjë lloj mbështetjenë vepra gjatë këtyre 20 e ca viteve të karrierës së gazetarit Andi Bushati.

Po e filloj me të parën: Pasaktësitë dhe gënjeshtrat e vogla malinje. Së pari, ka një spekulim në lidhje me shkrimet e mia të mëparshme, të cilat është rasti që t’i përmend në mënyrë kronologjike, duke argumentuar, besoj në mënyrë të mjaftueshme, sipas meje, koherencën e plotë timen të konturuar në këto shkrime. Por një koherencë jo marksiste, jo puniste, e cila e kërkon koherencën te njeriu, jo tek idetë. Unë besoj së kam qenë vazhdimisht dhe pa ndërprerje koherent i ideve liberale, i ideve reformiste apo i çdo gjëje që lidhet me tregun, konkurrencën, zvogëlimin e shtetit dhe de-etatizimin e shumë prej proceseve dhe sektorëve të shoqërisë shqiptare.

Telegrafikisht, në katër ose pesë shkrime të miat përgjatë këtyre 10 viteve të fundit, koherenca e ideve është e plotë. Gjithmonë kam luftuar për idetë liberale, kam kritikuar çdo ide joliberale, çdo masë puniste të programeve të qeverive apo të opozitave, duke ruajtur plotësisht pikërisht atë dhe vetëm atë që është obsesioni im: koherenca e ideve dhe jo e personave.

Mund të përmend disa shkrime dhe tezën kryesore të këtyre shkrimeve, që për shkak të profesionit tim të vjetër të gazetarit, merren vesh që në titull. Për shembull, në vitin 2008, kam bërë një shkrim në lidhje me buxhetin e Berishës, i cili premtonte taksa të ulëta dhe shpenzime të mëdha. Shkrimi ka qenë “Kontradiktat e buxhetit hajekiano-kejnesian” dhe trajtonte një premtim të Berishës, i cili me taksën e sheshtë kërkonte të taksonte në mënyrë hajekiane, pra pak, dhe të harxhonte në mënyrë kejnesiane, pra shumë. Me këtë shkrim godita fort tendencën e Berishës për shpenzime të mëdha, të cilat provuan një paradoks i cili nga ana e tij prodhoi një deficit shumë të madh buxhetor në fund të qeverisjes.

Një shkrim tjetër i kësaj periudhe ka të bëjë me kuotat e programeve Master, me vendimin për kuotat master të tejrritura në vitin 2008. Shkrimi ishte “Populizmi në arsimin e lartë”. Më tej akoma shkrime të tjera të miat në të cilat rrëmova pak këto ditë, ‘i kujtuar’ nga përpjekja e shpifur pa emër e lapsi.al apo statusi qesharak në facebook i ish-kolegut Bushati, të dyja në kërkim të inkoherencës së personit, jo të ideve. Një shkrim tjetër është “Zonja Hafizi, socialistja e vjetër dhe rreziku punist për Rilindje”, lidhur me një prononcim të saj kundër universiteteve private.

Më tej akoma në zgjedhjet para vitit 2013, ku qeverisja demokrate ose kishte humbur thelbin e saj reformues, ose kishte ngadalësuar atë, kam bërë një pyetje në gazetën Mapo: “Për çfarë i duhet më tej pushteti Sali Berishës?”, një nëntekst i thjeshtë, që nëse nuk bën reformime të mëdha ose liberalizime të mëdha të tregut, nuk ka asnjë arsye që të qëndrojë në pushtet si kryeministër i djathtë. Madje, me shumë shqetësim në shkurt të vitit 2012 kam shkruar: “A ka perënduar ylli politik i Genc Pollos, Genc Rulit dhe Arben Imamit”, në kushtet ku qeverisja e Partisë Demokratike po manifestonte një lodhje shumë të madhe, jo vetëm te grupi tradicional i partisë ose Berishës vetë, por edhe atyre që kishin ardhur në Partinë Demokratike, ishin rikthyer si kontestatorë, si personalitete të rëndësishme siç ishte rasti i Genc Pollos, Genc Rulit dhe Arben Imamit.

Më tej akoma votimin e presidentit Nishani në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca e Berishës e kam quajtur në një shkrim “Njeriu i mirë Nishani, kundër interesit publik dhe kundër interesit të PD-së”.

Pra, në raport me bindjet e mia liberale, qoftë në reformën e shtetit, qoftë në potencialin demokratik, kam qenë koherent ose më shumë se koherent, por sigurisht koherent idesh.

Të njohura janë debatet publike që kam bërë me Edi Ramën kundër shëndetësisë falas apo kundër disa proceseve të tjera, të cilat ishin me natyrë përqendruese ose propozonin përqendrime pushteti, si rasti i Byrosë së Hetimit si instrument i qeverisë. Kam denoncuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 rënien e Edi Ramës nën populizëm, nga i cili e pësoi i pari për armët kimike dhe po e pëson sot për importin e mbetjeve.

Sigurisht, e kam mbyllur me editorialin e datës 22 qershor 2013 me kopertinën përkatëse të gazetës Mapo me titullin: “Shqipërisë i duhet ideja liberale, Shqipërisë i duhet lidershipi i Berishës”. Pra, në qoftë se e vëren, ka vazhdimisht një koherencë idesh që lidhet me liberalizmin, reformizmin, me idetë e djathta në ekonomi dhe përgjithësi me reformizmin dhe me konceptin e kalimit e ristrukturimit të sistemit të ri ku jemi futur, të demokracisë liberale dhe kapitalizmit.

Dy shkrimet me të cilat Bushati spekulon, jo vetëm nuk janë ashtu, por edhe sikur të ishin Bushati nuk mund t’i kuptojë sepse janë shkrime profesioniste të shkencave politike kundrejt opinioneve të një amatori, sikurse zoti Bushati është në fushën e analizës. Edhe pse do t’i haja hakun po të mos i jepja meritën e të qenit profesionist si redaktor.

Shkrimi i parë, në vitin 2008, ka të bëjë me një fenomen të sociologjisë elektorale.  Kur demokracia shqiptare po normalizohej, po strukturohej brenda një cikli normal, kishim kaluar rotacionin e pushtetit 2005, dhe dukej qartë që mazhoranca ishte në avantazh dhe ishte në një cikël transformimi të vendit, kohë kur shkrova “Fenomeni: Mandati i parë sjell të dytin”. Asgjë më shumë se një analizë më se normale e politologjisë, rasti kur në vendet demokratike, të konsoliduara pak a shumë, çdo qeveri kalon në mënyrë të natyrshme dy mandate, sepse ritmi dhe tempi i reformave është akoma i lartë, motivimi i qeverisë është ende i lartë, njerëzit kanë pritshmëri dhe nuk duan t’i ndryshojnë gjërat, dhe po ashtu opozita ka “punët e veta”, është duke u reformuar, duke u vetëkritikuar, duke u vetëpastruar dhe duke ndërtuar identitetin e ri për ta çuar shoqërinë përpara.

Pra, ky është një shkrim prej politologu dhe mund të gjejmë sa të duash shembuj ku analiza e shkencave politike çon pikërisht në këtë përfundim; pra mandati i parë sjell të dytin dhe cikli i qeverive është kryesisht dy-mandatësh. (Edhe pse mund të ketë dhe përjashtime për shkak të krizave.) Pra, kjo është analiza prej profesionisti kundrejt këndvështrimit amator që kryesisht na ofron Bushati në shkrimet e tij. Por jo vetëm amator, por dhe dogmatik punist, madje dhe moralist pa meritë.

Shkrimi i dytë, që Bushati në mënyrë spekulative e mbivendos tek i pari, është fakti që unë në vitin 2013 kam mbështetur një mandat të tretë dhe historik të Berishës në funksion të faktit që ishin për t’u përmbyllur disa procese, disa reforma të nisura, por të lëna rrugës pa guxim, rrezik që i kanoset dhe sot Edi Ramës për mandatin e dytë.

Gjithmonë reforma liberalizuese, të instalimit dhe strukturimit të kapitalizmit, reforma de-punistizuese, të cilat duhet thënë që Sali Berisha i mori, por jo të gjitha në mënyrë të bindur dhe përfundimtare, dhe jo me guximin e duhur. Duke bërë pjesë në pakicën e shqiptarëve që votuan Berishën në 23 qershor, me dhënien e dorëheqjes më datë 4 korrik 2013, të cilën e kam përshëndetur me shkrimin “Berisha, demokrat i madh, reformator i madh”, mund të rendisim disa bilance të rëndësishme reformuese të Berishës ‘së dytë’ në pushtet. Po mund ta themi me plot gojën edhe tani, si në 4 korrik, Berisha instaloi taksën e sheshtë; një arritje historike për kulturën shtetformuese në Shqipëri dhe ambientin kapitalist në Shqipëri, një kontribut esencial në nxitjen e nismës së lirë në një vend që kapitalizmin s’e kishte pasur kurrë as traditë, as metodë dhe as pëlqim, në një vend ku kapitalizmi ishte luftuar dhe luftohet shumë egër. Reformë tjetër e madhe e Berishës ishte reforma derregullatore për biznesin, ku nga dhjetëra inspektorate u reduktuan në vetëm një grusht syresh. Këto reforma me karakter liberal, fatkeqësisht në disa raste ose mbetën jetime në praktikë ose mbetën thjesht vetëm në teori.

Berisha e tha por kurrë nuk e bëri tregun e shëndetësisë, e tha po kurrë nuk e goditi monopolin e universiteteve shtetërore dhe pse ai liberalizoi tregun e licencave në arsimin e lartë privat. Berisha nuk e preku dot çështjen e tregut të tokës – futjen e kapitalizmit në fshat. Megjithatë ishin elemente shumë të rëndësishme për kohën dhe i japin atij një meritë reformuese, dhe pse mund të ishte bërë më shumë dhe një qeverie të djathtë i takonte të bënte tmerrësisht më shumë. Gjithashtu, ndryshe nga ç’pritej dhe ç’parashikohej, ai e lëshoi pushtetin me zgjedhje të lira dhe kjo e sistemon atë në histori edhe si “demokrat të madh”. Bëri reforma të mëdha liberalizuese, edhe pse la pa prekur shumë aspekte puniste të shtetit shqiptar dhe iku me zgjedhje të lira. Në këtë kuptim pra, editoriali im i datës 4 korrik, “Berisha, demokrat i madh, reformator i madh” është plotësisht koherent dhe në përputhje me realitetin. Do të kisha dashur që Berisha të qe shumë liberal, por ky është realiteti dhe vota e shqiptarëve për qeverisjen e tij.

Po ashtu përveç gjërave të shkruara janë botërisht të njohura qëndrimet e mia me grupin e liberalëve të djathtë te Zonë e Lirë, për të cilin kam shumë nostalgji dhe që sollën debatin profesional të ideve në Shqipëri, apo duelet në debatin publik me Fatos Lubonjën, me përfaqësues të rinisë komuniste shqiptare, të tipit Arlind Qorri e kështu me radhë.

Në këtë kuptim, unë dua që në Shqipëri t’i fitojë zgjedhjet Partia Liberale por derisa kjo nuk është e mundur unë do të gjykoj aktorët që janë në lojë. Dhe e vërteta është që përtej asaj se me çfarë programi erdhi në pushtet Edi Rama, është tejet në interes të publikut zhvendosja e tij te “rruga e tretë”, te social – liberizmi, te blerizmi, te Tony Blair, që ai ka patur rast ta ketë dhe këshilltar. Duke vijuar të mbetet i majtë. Më e mirë kjo se social demokracia apo punizmi shqiptar, i përhapur kudo në media, mentalitet, kulturë, akademi apo facebook. Rama ka kapur idenë e duhur, idenë më të avancuar të kohës për të shpëtuar të majtën dhe Shqipërinë, për ta vendosur atë në shinat e sistemit kapitalist. Sepse në demokraci jemi, në kapitalizëm ende jo. Rama është shpresa të na futë më në fund në sistemin e kohës, edhe pse ai ka nevojë të flakë me guxim ende mbijetesa të së majtës së vjetër: taksën progresive, shëndetësinë falas apo etatizmin si mentalitet të administratës së tij. Në këtë frymë duhet kuptuar dhe mbështetja e MAPO për ciklin reformist të vendit dhe për de- punistizimin e vendit. Edi Rama ka idetë më të avancuara dhe lidershipin për ta përmbyllur këtë cikël reformist. Të mos harrojmë: Edi Rama nuk na vjen nga partia e punës që u konvertua në PS, na vjen nga Lëvizja e Dhjetorit dhe ka bërë rrugën e tij në politikë.

Përkundër kësaj opozita e Lulzim Bashës, karrierën dhe profilin e të cilit nuk ka nevojë të rendis sa e kam mbështetur, veç taksës së sheshtë 9 për qind, që ka propozuar me guxim,  shpesh infektohet rëndë nga populizmi i ditës, i çdo lloji: përkrah çdo grup në rrugë a tryeza; ambientalistët anti-kapitalistë; esnafërinë e së shkuarës së universiteteve shtetërore; hakërrehet për prishje kontratash kur të vijë në pushtet, sulmon korporata private, godet “klientelën” dhe “oligarkët” në një gjuhe tipike anti-kapitalizëm e të tjera si këto. Në vend që ajo të jetë e vendosur si parti e lirisë, në vend të përforcojë profilin e djathtë, në vend që rrisë mbështetjen për tregun dhe lirinë, duket se rrezikon kështu të zërë vendin e lënë bosh të “rrugës së dytë”, rrezikon të bëhet social-demokrate, duke braktisur idealet e tregut të lirë.

Së dyti: Ka diçka që nuk shkon me shpatën moraliste që ka marrë Bushati te lapsi.al, që degjeneron shpeshherë në hale.al, siç shkruante një koleg, kundër njerëzve, kundër origjinës, pozitës, rrethanave të tyre dhe jo ideve të tyre, ose siç njihen ndryshe si sulme ad hominem dhe për këtë hale.al është shumë i dalluar, fshehur pas penave anonime pa asnjë lezet gazetaresk, 25 vjet pas një shtypi të lirë, të hapur dhe transparent.

Veçanërisht Bushati, manifeston në dalje publike një dogmatizëm dhe punizëm, i cili sheh personin, jo çfarë ai bën, dhe e kritikon si të tillë. Kritikon kapitalistin, liberalin, apo njeriun e ideve në funksionin se kush ai është dhe jo se çfarë ai thotë. Konsekuenca e dogmatikut, gati e dhunshme në kuptimin verbal të fjalës, sepse ka plot fyerje dhe etiketime, reflekton dogmatizmin që vjen prej amatorizmit. Kush di më shumë nuk ka asnjë arsye pse të jetë dogmatik, është i hapur ndaj ideve të reja dhe është i hapur për t’i gjykuar njerëzit sipas ideve që kanë apo asaj çfarë bëjnë jo sipas ngjyrës, origjinës, besimit etj… Kush është profesionist ka të paktën metodë edhe pse mund të ketë pak njohuri e kulturë.  Me këtë të fundit nuk kam parasysh kulturën e jetesës, pasi Bushati njihet se jeton mirë, shumë mirë, falë pjesëmarrjes së tij aktive prej 20 e ca vjetësh në kapitalizmin shqiptar.

Por jo vetëm kaq. Janë dhe dy gjëra të tjera pikante: profili i tij prej dogmatisti punist plotësohet me të qenit anti-amerikan i shpallur. Po ashtu Andi Bushati më bën përshtypje të jashtëzakonshme sepse ai është gazetar me përvojë (një redaktor profesionist i shtypit të shkruar pra, por kaq) dhe i njeh mjaft mirë rrethanat dhe kontekstet e veprimit shqiptar, i njeh mjaft mirë personazhet e jetës publike, ndaj kalimi i Bushatit në pozitën e një moralisti pa meritë, është po ashtu një fenomen shqetësues. Andi Bushati duket sot sikur i kërkon llogari morale gjithkujt për gjëra që askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë llogari tjetrit, përderisa nuk jemi në një shkelje të vërtetuar të ligjit. Po edhe sikur kjo të qe kështu, ai është pa kredencialet e duhura për të qenë një moralist publik që gjykon veprimit e lira të njerëzve apo qëllimet.

Andi Bushati, pjesë e sistemeve të rëndësishme mediatike, deri në nivel aksionesh në media, të cilat pasi i shfrytëzon i pështyn, siç është rasti i polemikave me ish-kolegët apo pronarët aktualë në Klan, pasi ka përfituar, është paguar, drekuar, aksionuar, shpërblyer nga të ardhurat e një sistemi, (të cilin gjej rastin ta vlerësoj si një nga dy arritjet kryesore të industrisë mediatike shqiptare, arritje – bazë e kryemenaxherit Aleksandër Frangaj), i pështyn dhe i mallkon nga pozitat e një moralisti banal. Është tipike e asaj që dikur pati thënë avokat Ngjela për një kolegun tonë: “ti asnjë biletë avioni nuk ke prerë me paratë e tua, vetëm me paratë e kapitalit, dhe gjithë ditën shan kapitalin.” 

Së treti, Bushati nuk është individ, është fenomen. Ligjërimi i tij demonstron një fenomen të ri në shoqërinë shqiptare: Në media është duke u proklamuar një rrymë e fuqishme kulturore-gazetareske e ekstremit të majtë, populizmi gjithfarësoj, që merr dhe shfrytëzon çdo ngërç, problem, përmbytje, kazan plehrash, vrasje, goditje, aksident etj…e merr dhe e kthen këtë në problem të sistemit kapitalist. Po ngjizet një racë që kërkon burgosjen e sipërmarrësve, shpronësimin, prishjen e kontratave etj. Shkurt fundin e kapitalizmit duke pasur në kokë një revolucion bolshevik, duke pritur një Cipras apo një Corbyn. Kjo racë në dukje anti-establishment në fakt është anti-liri, fatkeqësisht pa moralin e duhur sepse është pjesë e rëndësishme e sistemit, ka punuar në kompani që akuzon për përfitime publike, për kontrabandë, për koncesione e kështu me radhë. Kjo racë është dyfish e keqe. Është një racë që kontribuon në jetën publike kundër zhvillimit, kundër lirisë dhe kapitalizmit, por mbi të gjitha është një racë e pamoralshme, sepse siç e thashë më sipër shfrytëzon gjatë gjithë kohës mjetet dhe mundësitë e kapitalizmit për ta luftuar atë. Andi Bushati përfaqëson një prej tyre.

Si amator dhe i paditur realisht në asnjë specialitet të jetës publike, ai i turret çdo qëndrimi që i teket, pa pasur asnjë referencë në raport me atë se kjo ide është e mirë apo e keqe. Si një dogmatik dhe si një njeri që lufton kategori personash, emrash dhe institucionesh, ai godet me një pretendim prej një moralisti qesharak, këdo, si emër, si mbiemër, duke gjykuar mbi kategori fikse.

Dhe së fundi, kjo më së shumti pa rregullat më minimale të etikës, me shkrime pa emër, në një faqe online që përditë vjedh shkrime, karikatura, fotografi etj. Që meqë ra fjala, këtij mosrespekti të drejtash, duhet një orë e më parë t’i japim fund të gjitha portalet apo gazetat tona, përfshi dhe MAPO përmes një iniciative që do të ndërmarrim shpejt edhe me portale të tjera. Dhe e fundit: nuk dihet se sa,  (shpresoj të mos jetë e vërtetë) transparente është me taksat progresive apo legalitetin e veprimeve juridiko-fiskale, karriera dhe entet ku punon apo është aksioner Andi Bushati.

P.s: Paraprakisht po iu përgjigjem dy dyshimeve: UET sh.p.k. nuk merr pjesë në tendera publikë dhe është nën auditimin financiar të Deloitte, një auditues prestigjioz ndërkombëtarisht i njohur.

SHKARKO APP