Hervin Çuli: Kam luajtur poker me ish-kryeministrin Fatos Nano,etj

INTERVISTA  e Hervin Çuli drejtor i Teatrit Kombëtar marrë nga Enkel Demi

 Jam i kënaqur që kam parë një shfaqje shumë të mire si “Tri motrat”. M’u duk punë e paqme…

Kemi punuar, plot katër muaj, pavarësisht “degjenerimeve” të mia, lojës herë pas herë poker në orar të punës, (qesh) por kemi punuar fort me stafin dhe jam i kënaqur. Në shfaqje interpretojnë aktorë të rinj të cilët unë i cilësoj si shtyllat e Teatrit të sotëm.

 Kë konsideron aktorë të rinj, sepse për mua të gjithë ishin personalitete?

Po le të themi si Elia Zaharia, një fenomen i skenës, goca si Ola Harizaj, Flaura Kureta, Ina Gjonçi, Olta Gixhari dhe të tjerë janë një stadard që po hyjnë bukur në Teatër. Helidon Fino. Neritan Liço sot janë kollonat e forta të Teatrit

 Shfaqja është pak e gjatë apo jo?

Po, është tre orë e gjysëm së bashku me pushimin. Shqipërimin e Çehovit e kemi bërë unë dhe bashkëshortja time. Gjuha në përkthimin e vjetër ishte adoptuar në mënyrë pak ideologjike.

Por, një vërejtje të madhe e kam dhe e kam për ty. Përse mos të marrësh honorare nga shfaqja. Kjo më duket shumë majtiste, interesi i përgjithshëm mbi atë individual…

Nuk e kam bërë për këtë apo për të treguar se po bëj sakrifica shumë të mëdha. E bëj, sepse e kam për detyrë si drejtues institucioni. Dhe këtë deklaratë e ribëj sa herë që më akuzojnë për fondet apo se përse vendos pjesë në skenë. Ky sulmi ndaj meje ka filluar që kur është vënë në skenë “Marati” i Arben Kumbaros dhe ku unë pata një rol. Unë përsa kohë jam në teatër dua ta vë kokën rehat në jastëk. Unë nuk dua të humb zanatin, jam kabull që të bëj gjithçka për të mos e humbur këtë zanat.

 Çfarë ndodhi me gazetarin e ABC news?

Kjo është një histori e turpshme, e stisur. Në provën gjenerale për gati një orë e njëzetë minuta unë e kam parë shfaqjen në llozhën kryesore, se nga aty salla kontrollohet në mënyrë të jashtëzakonshme dhe nga djali gjatë gjithë kohës krijonte zhurmë rreth e përqark vetes. Unë i tërhiqja vëmendjen që të pushonte. Kur ishim në pushimin e pjesës i jam turrur, sepse jam energjik nga natyra dhe i kam kërkuar se përse kishte ardhur në shfaqje për ta prishur. Dhe kaq është gjithë incidenti! E pranoj që jam turrur në mënyrë energjike, sepse kjo është natyra ime, por nuk e kam shtyrë. Unë kam nerv të fortë oral.  Vetëm i kam kërkuar llogari se përse kishte ardhur për të prishur shfaqjen. Kanë ardhur dhe dy vetë nga stafi im që i kanë kërkuar që të lërë shfaqjen.

Ia kanë kërkuar që të ikë me etiketë apo kanë ushtruar dhunë mbi të?

I kanë bllokuar rrugën duke i kërkuar që të dilte jashtë.

 Shfaqja ishte vetëm për gazetarët?

Jo, ishte e hapur, ishte provë gjenerale.

Po gazetarë të tjerë kishte aty? Përse asnjëri prej tyre nuk flet për këtë histori?

Nuk e di. Di të them se kjo është si punë miqësish tani dhe inatesh personale. Ka gazetarë që kanë ndenjur indiferentë përballë kësaj historie, ka dhe gazetarë që duke qenë pjesë e “entourage”-it të personit kanë mbajtur qëndrime duke deklaruar se nuk bënte zhurmë. Kjo është një histori banale. Por, unë nuk e mendoj se më të intereson të prish punën time. Si mund ta prishja unë vetë me duart e mia punën ku u investova së bashku me sfafin për katër muaj?! Dhe nuk është precedenti i parë i sulmit të një media të caktuar. Unë e respektoj shumë median, kam jetuar si gazetar, kam miq mes tyre, por ndonjëherë diktati i disa personave për të dominuar në media është i tepruar. Kujtoj se edhe kur u vu në skenë shfaqja “Vrasja e Maratit”, i njëjti gazetar krijoi një incident tjetër, duke krijuar një skenë me aktoren Luli Bitri dhe vëllain e saj. Ju vu kamera përballë, e trembën e terrorizuan sikur çfarë kishte bërë dhe i vëllai e lagu me ujë për ta mbrojtur. Ajo skenë u montua sikur çfarë kishte ndodhur, si film horrorr. Teatri Kombëtar është një institucion i vogël, por siç duket dikush duhet të këtë interesa që iu preken. Epo unë kam vendosur që të jem maksimalisht i pavaruar nga interesat e kujdo, përfshirë dhe personave mediatikë.

Ti shkove në prokurori?

Prapë është një spekullim tjetër që më vjen turp ta komentoj. Unë kam shkuar në polici pas një telefonatë që më është bërë nga shefi i komisariatit nr.1, i cili më ka thënë se deri të nesërmen në drekë duhet të paraqitesha për të bërë deponimin lidhur me një denoncim të bërë nga filan gazetar. Kam shkuar dhe kam bërë deponimin tim si qytetar. Lajmi ka dale sikur Hervin Çuli nuk pranoi  tre herë të shkonte më polici dhe policia e kërcënoi që do ta merrte me forcë, ndaj ai u detyrua të shkonte. Ky është fundi i gazetarisë!

Aktorët edhe mua më kanë dëshmuar variantin tend, por kur pashë shfaqjen mendova se kjo është gjë shumë e vogël për ta prishur këtë pjesë, por megjithatë a ke parë një filmim që ka nxjerrë Klani para 2-3 ditësh? Është filmim i kohëve të fundit?

Unë nuk e mbaj mend as se kur është, sepse unë pak më shumë se para një viti e gjysëm jam bërë drejtor dhe para pak më shumë se një vit kam qenë gati i papunë dhe kjo ka qenë jeta ime private. Aty duket se ka qenë verë, sepse jam me mëngë të shkurtra. Në fund të fundit është jeta ime. Unë nuk kam bërë kurrë nje kontratë që të heq dorë nga veset e mia. Unë veset i kam patur dhe do të vazhdoj t’i kem përsa kohë ato nuk cënojnë punën time si drejtor i Teatrit Kombëtar. Unë nuk jam shenjt, nuk jam pjellë e Perëndisë. Unë luaj poker me shumë miq të mi, kam luajtur me një ish-kryeministër si Fatos Nano, me Sokol Olldashin ndjesë pastë, me Sabri Godon, Teodor Laçon dhe të tjerë. Kam luajtur me mjeshtrat e mëdhenj të një loje shumë psikologjike si pokeri.

 Një drejtor a duhet të filmohet, teksa tërheq paratë në një bankomat dhe hyn në një kazino?

( qesh)  Nuk e di, të jap ca filmime private në shtrat apo kur shkoj në tualet në mëngjes? T’ia jap më mirë ato se nuk e di a është mirë që një drejtor teatri të shkojë në banjo në mëngjes!!

Si e kanë përjetuar këtë histori në shtëpinë tënde?

Unë  personalisht, edhe pse jam natyre energjike dhe njëri me një sens ndjeshmërie shumë të fortë, me thënë të drejtën kam qenë shumë i qetë, kurse nëna dhe babai kanë mbetur më të prekur dhe të shqetësuar nga këto sulme, sepse në thelb unë i prisja. Unë jam i qetë dhe do të jem i qetë për këtë histori. Unë nuk do të iki. Unë do të rri në Teatër të paktën sa të kem mandatin, do të rri derisa të kem gjëra për të bërë për institucionin. Mua nuk më heq njeri përsa kohë statistikat e institucionit janë këto që janë sot, përsa kohë punoj 12-14 orë në ditë. Emërimi im është me mandat. Unë kam fituar konkurs, mua nuk më ka vënë në krye të Teatrit Kombëtar kryeministri. Ai vetëm ka firmosur emërimin tim pasi fitova konkursin

 Po Ministria e Kulturës të ka kërkuar shpjegime?

Po, patjetër që kam dhënë shpjegimet e mia.

A e di që janë disa media që kanë vendosur që të bojkotojnë aktivitetet e Ministrisë së Kulturës?

Nuk besoj se është tamam kështu, besoj se edhe këtu ka një spekullim tjetër. Shoqata të ndryshme gazetarësh herë pas herë manipulohen nga një dorë e veçantë. Asnjë shoqatë serioze gazetarësh nuk ka sjellë reagime deri më tani .

Ju edhe në shkrimet publike thoni që nuk jeni shenjt, por unë doja të të pyesja nëse vesi yt ka shkaktuar ndonjëherë probleme në familjen tënde?

Asnjëherë.  Edhe kur e kam ushtruar këtë sport (pokerin), kam luajtur brenda një limiti logjik pasional, me vetëkontroll.

 Polemikat që kanë ndodhur a e kanë ndihmuar shfaqjen?

Ndoshta i kanë dhënë një dorë, por në fakt shitja e shfaqjes ka ndodhur para incidentit. Që të premten, para provës gjenerale kishin mbaruar biletat për dy netët e para dhe ishin shitur biletat për një javë më mbrapa në masën 90 përqind.

SHKARKO APP