Heshtja e dyshimtë e Lulzim Bashës për prangat e kryebashkiakut lezhjan

-Dje Lulzim Basha duhet të dilte para medias dhe të fliste. Heshtja tregon bashkëfajësi ose shitje të njërëzve të PD. Sali Berisha ishte ndryshe. Edhe Edi Rama. Edhe Ilir Meta. Nuk heshtnin, kur duhej folur, aq me tepër kur prangat janë në duart e përfaqësuesve të tyre.

Një operacion i madh spektakolarë i Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit ka vënë në pranga dje thuajse gjithë drejtuesit e Bashkisë së Lezhës. Bile nëpër Lezhë thuhej se nuk ka më bashki, pasi të gjitha janë në pranga. Bilanci i një hetimi disa mujor për abuzimet me pronat në bfregdet ka çuar pas hekurave 8 persona, mes të cilëve dhe kryebashkiakut Fran Frrokaj, si dhe 14 të tjerë janë nën hetim. Një ngjarje e tillë është e rrallë në aksionet e Prokurorisë dhe Policisë. Pa marrë përsipër të gjykojmë fajësinë apo provat e Prokurorisë që kërkoi arrestin me burg, fakt është se pjesa më e madhe e tyre janë përfaqësues të Partisë Demokratike. Duke nisur nga kryebashkiaku Fran Frrokaj, disa juristë dhe zyrtarë të tjerë të venë në pranga, janë anëtarë të selisë blu, ose kanë lidhje historike me të djathtën. Ky aksion pati reagime të ndryshme. Një pjesë e vlerësonin punën e policisë dhe të tjerë që ishin skeptikë mbi motivet e një stuhie arrestimesh, sepse vendosnin gishtin te sulmi politik duke arrestuar vetëm nga radhët e opozitës.

Dje vetëm kryetari i PD-së Lulzim Basha nuk ka reaguar. As selia e PD. Vonë në darkë kishte një reagim në një status personal vetëm deputeti demokrat i Shkodrës Romeo Gurakuqi, por ishte thjesht reagim personal. Një reagim vonë e bëri dhe nënkryetarja e bashkisë së Lezhës Alfrida Marku, e cila ishte mjaft e ashpër ndaj kryeministrit duke e quajtur arrestim politik për ti marrë bashkinë në zgjedhjet e vitit 2019. Por Lulzim Basha nuk foli.

Në çdo mënyrë që ta interpretosh mosreagimin e kreut të Partisë Demokratike, sërish ngjan si diçka pa sens. Basha është kryetari i partisë më të madhe në opozitë dhe njeriu që mban përgjegjësi edhe për zyrtarët lokalë që ka zgjedhur. Fran Frrokaj është zgjedhur nga PD  dhe pikërisht si zgjedhje personale e Bashës, kryebashkiak i cili ka një përvojë të gjatë si pjesë e strukturave demokrate. Heshtja e Lulzim Bashës ndaj arrestimit të përfaqësuesit të PD-së  lë shije te keqe ndër demokratët, edhe nëse ka fakte për kryebashkiakun.

Në Lezhë, fajtor apo jo, dje u arrestua thuajse gjithë PD-ja lokale dhe duket sikur në Tiranë ende nuk ka ardhur lajmi për këtë ngjarje, e cila ka shokuar dhe paralizuar një zonë të madhe demokrate. Lulzim Basha duhej të dilte dje në media dhe të fliste për operacionin. Nëse mendon se hetimet dhe akuzat janë të drejta, si lider perëndimor mund përshëndeste punën e Prokurorisë dhe të Policisë. Madje mund të shtonte se PD-ja nuk merr askënd në mbrojte politike, kur organet e drejtësisë janë duke vepruar konform ligjit dhe pa seleksionim politik. Sado keq që të ngjante një deklaratë e tillë, sërish tregonte se PD-ja ka një qëndrim dhe është e ndjeshme për atë që ndodh. Edi Rama, në dosjen Tahiri që ishte shumë herë më serioze, sërish pati një qëndrim distancues, pavarësisht se më vonë u bë mburojë e ish-ministrit. Por Basha edhe këtë nuk e bëri. Nuk doli, por u kujdes mbrëmë vonë të mblidhte krerët e PD-së të rretheve për organizimin e Kuvendit Kombëtar. Pra Lezha e tij si bastion ishte në flakë, kurse Basha darkonte pa e prishur terezinë.

Lulzim Basha dje mund të dilte pas operacionit të policisë dhe të gjente dhjetëra kleçka për aksionin, nëse nuk kishte bindje për arrestimin. PD-ja e Berishës ka një përvojë të gjatë në historinë e arrestimeve, ku edhe ngjarjet më të vogla i ka kthyer në kauza të së djathtës. Lulzim Basha mund të deklaronte se kemi të bëjmë me një goditje politike, siç është zakon sa herë arrestohet një zyrtar. Por as këtë nuk e bëri.

Kreu i PD-së kishte mundësi dje që duke pranuar se ligji është shkelur me pronat, të kërkonte të njëjtat masa ndëshkimore edhe ndaj kryebashkiakëve të kampit socialist, kur dihet se po bëhet nami në tokat e zonës bregdetare ku qeverisin socialistët. Edhe në Durrës është bërë masakër me pronat, në Fier, në Elbasan dhe disa bashki të majta. Por Basha nuk doli fare të thoshte, të paktën diçka. Ndërkohë që në parlament bën “namin” duke denoncuar kryeministrin, qeverinë dhe bashkitë socialiste, dje as që u ndje kryetari i PD-së.

Apo Kryeministri Rama dhe ministri Xhafaj i kanë ndonjë dosje në dorë Lulzim Bashës?! PD-ja heshti duke çuar, edhe me heshtje, mesazh kryeministrit dhe Kryeprokurores se “mund të arrestoni dorën e dytë nga PD-ja, por jo ish-ministrat e PD”.

Dje Lulzim Basha duhet të dilte para medias dhe të fliste. Heshtja tregon bashkëfajësi ose shitje të njërëzve të PD. Sali Berisha ishte ndryshe. Edhe Edi Rama. Edhe Ilir Meta. Nuk heshtnin, kur duhej folur, aq me tepër kur prangat janë në duart e përfaqësuesve të tyre.

S.Prulli

SHKARKO APP