Reagimi kryeministrit Rama erdhi në ora 11.56 dhe shumë i vakët. As mish e as peshk!

Në këtë mëngjez të kësaj të shtune, kur prej katër ditësh janë me mijëra e mijëra shqiptarë që presin në mesin e zhegut dhe gjatë natës për të kaluar kufirin, kur gjëndja ka kaluar përmasat e tragjedisë njerëzore në durim e tmerr pa ujë e me fëmijë të vegjël, (të qarat e tyre po dëgjohen në gjithë Shqipërinë prej mediave) pritej që kryeministri Rama jo vetëm të kontribuonte me qeverinë greke, por edhe të fliste apo të shkruante status për njerëzit e pritjes në kufi.

Mijëra vetë prisnin që qeveria shqiptare të fliste, bile edhe të ngrinte tonet kërcënuese ndaj Greqisë, e cila edhe si për hakmarrje vendos kushte diskreminuese ndaj shqiptarëve, por u pa vetëm ministrja e mbrojtjes dhe asgjë me shumë. Ministrja e mbrojtjes , Olta Xhaçka shkoi dhe duhet falenderuar, por as nuk bëri gjë; as nuk kishte pse shkonte, pasi nuk kishte invazion të trupave greke!

Ishte punë vetëm për ministrin e jashtëm që është edhe kryeministër!

Nëse pala greke vendos kastile kushte të tilla, duke lozur me nervat e durimin shqiptar, atëhere kryeministri Rama derisa nuk ha pykë Athina zyrtare, pse nuk përdor kartën e presionit.

Presion për presion!

A ka pak kompani greke që bëjnë invazon fiskal apo që marrin benefite nga prezenca në Shqipëri?!

Greqia bllokon kufirin duke shkatërruar mijëra familje shqiptare prej katër ditësh, ndaj edhe Tirana zyrtare presion parave që dalin nga kompanitë greke e që shkojnë si taksa greke për të paguar policët grekë, të cilët tallen me shqiptarët!

Në vend që të përdor të gjitha kartat e mundshme diplomatike dhe të presionit, kryeministri Rama sot na postoi këtë status.

Lexojeni!

“MIRËMËNGJES 

dhe me një përqafim nga larg, për nxënësit, prindërit, mësuesit e shkollës “Neim Babameto” në Durrës, disa prej të cilëve atë ditë pas tragjedisë i gjeta të përlotur në oborrin ku shkolla qe kthyer në një shëmbëlltyrë të rrënimit të gjithandejshëm, ju uroj të gjithëve ju një ditë të mbarë” (Edi Rama).

E pse duhet të nxitojnë grekët kur kryeministri i shqiptarëve merret me një shkollë (e cila edhe kjo rëndësi) dhe nuk do t’ia dijë mijëra shqiptarë që janë me mbi 25 km në varg duke pritur radhën për të hyrë në shtetin grek?!

Forcat e Armatosura të nisura sot paradite drejt kufirit për të ndihmuar qytetarët shqiptarë nuk zgjidhin gjë, ndonëse lehtësojnë paksa vuajtjet, por nuk do të shkurtojnë pritjen biblike të njerëzve në radhë. Duhet qeveria shqiptare të ushtrojë gjithë presionin e duhur ndaj palës greke, e pse jo vetë kryeministri Rama të nisej urgjent për Athinë në gjetjen e zgjidhjes, e cila duket se mbetet haptazi presion grek kundrejt Tiranës zyrtare.

Presion që vjen nga Marrëveshja Detare e pa konkretizuar e që natyrisht duhet shumë kujdes e jo nxitim, por edhe nga miqësia e Ramës me Presidentin turk Erdogan, ku dihet se këto ditë Turqia dhe Greqia janë pothuaj në gjëndje lufte në det për zonat ekonomike.

Por pasojat i vuajnë mijërat e qytetarëve shqiptarë. Korrespodentët e KOHA JONE nga Kakavija dhe Kapshtica tregojnë se pala greke ka vetëm një infermier dhe një mjekë! Kjo është çmenduri dhe tallje e hapur, pasi duhej që të kishte me shumë se dy sportele dhe me shumë mjekë për tampon mëqënëse duan të testojnë që në kufi.

Po kështu ka mundësi që pala greke të mbyll kufirin ditën e dielë ose ta lerë vetëm formalisht një sportel, me argumentin se është ditë pushimi. Nëse ndodh kjo atëhere kjo do jetë katastrofale.

Ndaj duhet që kryeministri Rama të shkojë vetë në pikat kufitare dhe që andej, nëse Athina zyrtare nuk shton kapacitetet në kufi, kërcënimi nga qeveria të jetë i prerë: Nuk ka negociata për Detin!

Pse duhet patur frikë nga Greqia? Dhëmbë për dhëmbë!

Shënim: Reagimi kryeministrit Rama erdhi në ora 11.56 dhe shumë i vakët. As mish e as peshk! Pra nuk zgjidh gjë.

Ja se ç’shkruan Rama në ora 11.56:

Jemi në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për lehtësimin e procedurave, të cilat janë procedura të njëjta në çdo pikë hyrëse të Greqisë, për qytetarët e çdo vendi, përfshirë edhe qytetarët grek që hyjnë në një kufi!”- shkruan Rama në rrjetet sociale.

 

 

SHKARKO APP