Hetimi për Tahirin. PD kërkon dëshminë e Ramës. PS: Duam dhe Berishën

Partia Demokratike ka publikuar sot listën e zyrtarëve që do të thirren për të dëshmuar në komisionin hetimor për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Kreu i këtij komisioni, Edi Paloka tha se për të arritur objektivin e hetimeve të parlamentit, duhet të merret dhe dëshmia e një sërë zyrtarësh aktuale të qeverisë dhe ish-zyrtarë. Hetimi nuk do të përqendrohet vetëm në rastin e ish-ministrit, por te gjithë fenomeni i kultivimit dhe trafikut të drogës në vend.

Zyrtari i parë që demokratët do të thërrasin për të dëshmuar është kryeministri Edi Rama. Lista vazhdon më pas me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ndërkohë që para deputetëve do të dëshmojnë edhe ish-kreu i SHISH, Visho Ajazi, kreu në detyrë i SHISH, Helidon Bendo, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, drejtues dhe ish-drejtues të Policisë së Shtetit në qarqe, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të sigurisë. Në cilësinë e dëshmitarit do të thirret dhe prokurori i Krimeve të Rënda që ka nën hetim Saimir Tahirin, Besim Hajdarmataj, si dhe zyrtarë të tjerë të organit të akuzës.

Lista me emrat e personave që do të dëshmojnë do të miratohet në seancën e radhës së komisionit. Sipas ligjit, kur një zyrtar nuk pranon të vijë në komision për të dëshmuar, ai mund të merret edhe me forcë nga policia. Nisma e PD synon jo vetëm të sjellë detaje të reja mbi çështjen e ish-ministrit Saimir Tahiri, por edhe zbardhë të vërtetën për kultivimin e drogës gjatë viteve 2013-2016.

Pas publikimi të listës së dëshmitarëve që kërkon PD, Partia Socialiste do të përgjigjet me një listë tjetër. Deputeti Bashkim Fino tha se lista që do të sjellë PS në mbledhjen e ardhshme do të jetë shumë herë më e gjatë se lista e PD. Fino la të kuptohet se në cilësinë e dëshmitarit do të jenë dhe disa anëtarë të PD në komision, siç është rasti i ish-ministrit të Brendshëm në qeverisjen e PD, Flamur Noka. Gjithashtu në komision do të thirret nga PS dhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe disa drejtues të Policisë së Shtetit gjatë qeverisjes së PD. Sipas socialistëve këta dëshmitarë do të përgjigjen për çështjen e kultivimit të kanabisit në Lazarat, para vitit 2013.
Nisur nga kërkesat për thirrje në komision të dyja palët premtojnë spektakël. Synimi i PD është që të sjellë Edi Ramën në komision duke e trajtuar atë në cilësinë e “të pandehurit”. Në të njëjtën mënyrë do të sillet dhe Partia Socialiste duke nxjerrë inatin për Edi Ramën te Sali Berisha, gjatë seancave të komisionit.

ZYRTARËT QE DO THIRREN DESHMITARË NË KOMISION

Edi Rama

Fatmir Xhafaj

Etilda Gjonaj

Sajmir Tahiri

Visho Ajazi Lika

Haki Çako

Ardi Veliu

Helidon Bendo

Drejtorët dhe ish-drejtorët e Policisë në 12 qarqet e vendit

Besim Hajdarmataj

Arqile Koca

Rovena Gashi

Odeta Thengjilli

Drejtori i Burgut 313

Drejtorët e Policisë në pikat e kalimit kufitar

Drejtorët e Portit të Durrësit dhe Vlorës

Dritan Zagani

SHKARKO APP